Kosova në heshtje zgjedhore, gara për kryesim mes LDK-së dhe “Vetëvendosjes

532
Sigal

Në Kosovë ka rënë heshtja zgjedhore, në paraprirje të së dielës së 6 tetorit, kur do të zhvillohen zgjedhjet qendrore të parakohshme. Shtetasit shqiptarë nga përtejkufiri që gëzojnë të drejtën e votës (1,937,868 të tillë), pritet t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur mes 6 kandidaturave më të parapëlqyerin e tyre për postin e kryeministrit të ardhshëm të vendit.

Sipas rezultateve të demoskopëve, gara për kryesim ndahet mes Lëvizjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes antistitem Vetëvendosje, me kandidatët respektivë Vjosa Osmani dhe Albin Kurti. Krahas tyrre, pjesë e garës për të marrë drejtimin e qeverisë së re janë edhe: Fatmir Limaj, kreu i Nismës për Kosovën; Kadri Veseli, lider i PDK-së; Ramush Haradinaj, drejtuesi i AAK-së, si edhe Nenad Rashiç, i propozuar nga koalicioni -Sloboda- ( Liria).

Këto zgjedhje të parakoshme në Kosovë ndjekin dorëheqjen e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, pas ftesës për të dëshmuar në Hagë në cilësinë e njërit prej eksponentëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), pjesërisht edhe si pasojë e krisjeve në koalicionin AAK-PDK-Nisma. Në zgjedhje do të marrin pjesë 25 subjekte politike/koalicione parazgjedhore.

Që nga shpallja e datës së zgjedhjeve, krahas përgatitjeve teknike, kanë filluar edhe thirrjet për një proces të lirë e demokratik dhe shmangien e parregullsive. Bashkimi Evropian ka vendosur një mision prej rreth 100 vëzhguesish, të cilëve do t’u bashkohen edhe diplomatët euro-perëndimorë të akredituar në Prishtinë.

Për të garantuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, Policia e Kosovës ka bërë me dije se po punon me mekanizma të tjerë, duke bashkërenduar planet e përbashkëta të veprimit për të siguruar një mjedis të qetë në ditën e zgjedhjeve.

Këto zgjedhje shihen të rëndësishme për Kosovën për shkak të sfidave me të cilat pritet të përballet qeveria e re, posaçërisht lidhur me çështjen e tarifës 100 % ndaj mallrave serbe dhe për rivendosjen e dialogut me Serbinë, në funksion të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, që është edhe kusht për integrimin evropian të tyre.