Korrupsioni në Shqipëri ka përmbysur shtetin

461
Renditjet e Kosovës dhe Shqipërisë në një sërë vrojtimesh ndërkombëtare si vendet me nivelin më të lartë të korrupsionit (të perceptuar) në Ballkan, mbështeten edhe nga sipërmarrësit në këto vende. Kosova dhe Shqipëria rezultojnë si vendet më të korruptuara në Ballkan. Sekretariati i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), një institucion i BE-së, ka realizuar vrojtimin me sipërmarrës nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
Barometri i Opinionit për Biznes 
Barometri i Opinionit për Biznes, i cili vlerëson frymën e biznesit në këto vende, realizoi sondazhe me 200 kompani për secilin shtet, duke i pyetur sipërmarrësit për një sërë aspektesh, menaxheriale por edhe të natyrave të ndërthurura. RCC publikoi raportin në maj të këtij viti. Disa ndër pyetjet që u janë parashtruar bizneseve kanë të bëjnë me korrupsionin, me pagesa ryshfeti apo dhurata ndaj institucioneve apo zyrtarëve publikë për të zgjidhur çështje të natyrës biznesore. Në pyetjen shtruar bizneseve se a është e zakonshme për firmat që të paguajnë ryshfet për t’i kryer punët, biznesmenët e Europës Jug-Perëndimore janë përgjigjur se diçka të tillë në përgjithësi nuk e praktikojnë. Biznesmenët nga Bosnja janë më të bindur që ekziston ky lloj i pagesës (ryshfet), sesa ata nga Kosova, Serbia, Kroacia dhe Shqipëria. Madje bizneset nga Kosova dhe Shqipëria paraqiten sikur paguajnë më pak ryshfet sesa ato të rajonit. Të pyetur nëse është e zakonshme për firmat që të “japin disa dhurata të parregullta për t’i rregulluar punët”, sipërmarrësit nga Kosova dhe Shqipëria rezultojnë se shumë rrallë kryejnë veprime të tilla, krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Sipërmarrësit nga të dyja vendet, thanë se nuk bëjnë punë të tilla, përkatësisht me gati 80% të përgjigjeve, duke vendosur në këtë mënyrë një “rekord rajonal të ndershmërisë”. “Në shikim të parë Kosova dhe Shqipëria ndoshta duken si vendet me nivelin më të ulët të korrupsionit, mirëpo nëse ndalemi dhe i shikojmë përgjigjet e tyre më poshtë, atëherë konkluzioni është tjetër”, shkruhet në raport. Sipas vrojtimit, 38% e sipërmarrësve shqiptarë mendojnë se ekziston dhënia e ryshfeteve për shërbimet publike, 27% në Kosovë, kurse në vendet e tjera të rajonit kjo përqindje është më e ulët, në Bosnje është 14%, në Serbi 13%, në Mal të Zi 10%, kurse në Kroaci 8%. Këto përgjigje i pozicionojnë të dy vendet shqipfolëse në krye të listës së korrupsionit për këtë kategori, në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Edhe kategoritë e tjera tregojnë një pasqyrë të ngjashme.
Ryshfeti për licenca biznesi
Për shembull, opinioni se jepet ryshfet për licenca biznesi është më i shpeshtë në Shqipëri (39%), në Serbi (39%), në Kosovë (34%), (Maqedoni 24%), Bosnje (22%) dhe në Kroaci (13%). Sipas vrojtimit, 35% e udhëheqësve të biznesit në Shqipëri dhe 24% e tyre në Kosovë, mendojnë se firmat nganjëherë duhet të paguajnë ryshfet për të marrë licencën nga qeveria, që është një përqindje dukshëm më e lartë sesa në Maqedoni (20%), Kroaci (14%), Serbi (14%) dhe Bosnje (14%). Nga udhëheqësit e biznesit nga Kroacia, 8% prej tyre janë të bindur që ka korrupsion në inspektimet e shëndetit. Kjo përqindje është më e ulët sesa në Shqipëri (45%), Kosovë (29%), Maqedoni (22%), në Serbi (16%) dhe Bosnje (13%). Në pyetjen se sa ekziston praktika e dhënies së ryshfetit në taksa përsëri janë Shqipëria dhe Kosova ato që i prijnë listës. Kemi Shqipërinë më 40%, Kosovën më 29%, Maqedoninë 20%, Bosnje dhe Hercegovinën më 14%, Malin e Zi më 15%, Serbinë më 15% dhe Kroacinë më 7%.
Dhënia e ryshfetit është praktikë e shqipfolësve
Dhënia e ryshfetit është praktikë e shqipfolësve edhe në dogana. Përqindjet e larta në përgjigjet e tyre e dëshmojnë se këto dy shtete japin më së shumti ryshfet në dogana, krahasuar me shtetet e rajonit. Kemi Shqipërinë me 34%, Kosovën me 31%, Bosnjen dhe Malin e Zi me 17%, Serbinë me 11%, Kroacinë me 8% dhe Maqedoninë me 16%. Se sa ofrojnë ryshfet dhe ndikojnë në gjykata, përsëri listës i paraprijnë Shqipëria (29%), Kosova (21%) dhe Maqedonia (18%). Duke lënë prapa Serbinë (11%), Bosnjen (11%), Malin e Zi (7%) dhe Kroacinë (9%). Në krahasim me Kroacinë (8%), Serbinë (10%), Malin e Zi (7%), Bosnjen (12%), Shqipëria (34%), Kosova (25%) dhe Maqedonia (21%) kanë përqindjen më të lartë në raportet e tyre, ku theksojnë që ofrojnë ryshfet dhe se ndikojnë në legjislacionet e reja. Në të gjitha pyetjet e parashtruara, Maqedonia është shteti i vetëm i cili në çdo pyetje ka përqindjen më të lartë në opsionin “Nuk e di”, çka ngre dyshime nëse maqedonasit me të vërtetë nuk dinë asgjë, apo shtiren sikur nuk dinë. Sidoqoftë, përgjigjet e të anketuarve nga Kosova dhe Shqipëria në pyetjen e parë, se a japin zakonisht ryshfet për kryerjen e shërbimeve të caktuara, ata dalin të jenë si më të jo korruptuarit, mirëpo, përgjigjet e tyre në pyetjet e tjera paraqesin krejtësisht të kundërtën e asaj që thanë në fillim. 
Kosova dhe Shqipëria, vendet më të korruptuara
Kosova dhe Shqipëria rezultojnë vendet më të korruptuara në rajon, me nivelin më të lartë të korrupsionit në pothuajse secilën fushë të cekur më lart. Bazuar te Raporti i Progresit 2014, korrupsioni është njëra ndër temat kryesore të KE për Kosovën dhe përmendet në pothuajse secilën fushë. Sipas raportit, Kosova ka bërë një progres të kufizuar dhe ende është në një fazë të hershme në luftën kundër korrupsionit. Korrupsioni mbetet i përhapur në shumë fusha duke përfshirë edhe prokurimin publik. Prania e shumë subjekteve të përfshira në prokurim paraqet një rrezik të korrupsionit. Në përgjithësi, “edhe përkundër progresit të bërë në regjistrin civil dhe në të dhënat kadastrale, korniza gjyqësore, dhe sidomos zbatimi i saj, mbetet i pakënaqshëm. Sigurimi i një sistemi funksional të gjyqësorit mbetet një detyrë e rëndësishme. Kapaciteti i dobët institucional për zbatimin ligjor, vonesat në gjykata dhe korrupsioni i përhapur kanë vazhduar të pengojnë mjedisin e biznesit”, thuhet në raportin e progresit 2014. Kosova dhe Shqipëria shfaqen si vendet më të korruptuara në Ballkanin Perëndimor edhe në indeksin e perceptimit të korrupsionit të “Transparency International” duke e renditur Kosovën dhe Shqipërinë në vendin e 110 nga gjithsej 174 shtete të botës. 
Sigal