Koronavirusi/ Presidenti Meta: Po e ndjek me shqetësim të madh situatën e shqiptarëve në Mal të Zi

340
Sigal

Gjatë një intervistë të dhënë mbrëmjen e sotme, Presidenti Ilir Meta deklaroi se po e ndjek me shqetësim të madh përhapjen e pandemisë COVID-19 në rajonet e banuara nga shqiptarët në Malin e Zi.

Meta bëri me dije se ka zhvilluar edhe një bisedë telefonike me Kryetarin e Komunës së Tuzit, z.Nik Gjeloshaj pas bërjes publike të lajmit se rreth 20 shqiptarë janë prekur nga COVID 19 në këtë rajon.

“Me shqetësim shumë të madh, po e ndjek situatën për shqiptarët në Malin e Zi. Kam pasur një bisedë telefonike me Kryetarin e Komunës së Tuzit, zotin Nik Gjeloshaj, i cili më ka informuar në detaje për situatën atje. Duke u uruar të gjithë shqiptarëve në Malin e Zi shëndet, në veçanti atyre të prekur nga kjo pandemi u bëj apel të gjithëve të tregojnë kujdes maksimal në këtë situatë.
Sepse një zonë që deri para disa ditësh rezultonte me zero të prekur, tashmë ka disa të infektuar. Apeloj për shumë kujdes, sepse të mos harrojmë rrezikun që ekziston nga përhapja e kësaj pandemie edhe në Malësinë e Madhe edhe në Shkodër, për shkak të lidhjeve të ngushta e tradicionale të këtyre trevave me njëra-tjetrën”, – u shpreh ndër të tjera Presidenti Meta.