Koronavirusi/ Ish-kryeministri italian: Të hapen bizneset. Njerëzit do vdesin për bukë

531
Sigal

Ditën e sotme ish-kryeministri italian, Matteo Renzi ka deklaruar se Italia duhet të rinisë prodhimin ekonomik në javët e para të Prillit, gjatë festës së Pashkëve. Në një intervistë për “Avenire” ish-kryeministri thotë se epidemia mund të zgjasë edhe një ose dy vite, por italianët nuk mund të shkatërrojnë ekonominë dhe të ngelen pa ushqime.

Renzi shprehet se “shkollat mund të hapen në fillim të muajit maj, por fabrikat dhe sektorët e tjerë të ekonomisë duhet të nisin sa më parë nga puna”.

Ai thotë se “ky virus do të na godasë keq, jo për javë, por për muaj dhe muaj. Vaksina nuk është gati dhe ne mund të përqafojmë njeri-tjetrin vetëm pas një viti, ose nëse shkon më keq pas dy vitesh”.

Ish-kreu i qeverisë dhe kryetari i partisë Viva Italia deklaron se biznesi nuk mund të presë më. “Kishim probleme ekonomike edhe para kësaj. Nuk mund të presim që e gjitha kjo të kalojë. Nëse vazhdojmë të qëndrojmë mbyllur njerëzit do të vdesin nga uria. Ka tre javë që Italia është mbyllur e gjitha dhe njerëzit nuk ja dalin dot më. Nuk ka më para, nuk ka më për të ngrënë”,- thotë Renzi.

Intervista e Matteo Renzi ka shkaktuar polemika dhe irritim në radhët e epidemiologëve që ndjekin situatë në Itali.

Përfaqësues të Institutit të Lartë të Shëndetit në Itali e ka cilësuar deklaratën si një marrëzi. Sipas ekspertëve ende është herët për të folur për afate se kur mund të hapen të gjitha bizneset. Dje Italia regjistroi numrin më të lartë të viktimave, 926. Numri i total i viktimave ka arritur në 9134 duke u renditur si shteti i parë në botë me më shumë viktima.

Roberto Burioni, virusologu që kërkoi mbylljen e Italisë që më 20 janar, një muaj para shpërthimit të epidemisë, thotë se “duhet të mendojmë për një rinisjen e jetës. Nuk mund të mendojmë se do rrimë në shtëpi përgjithmonë. Por, në këto momente situata është aq shumë e rëndë se çdo kërkesë për rihapjen e të gjitha shërbimeve është jo reale’.

Ndërkohë Pier Luigi Lopalco, epidemiolog dhe një nga shkencëtarët më të njohur në Itali është pro propozimit të ish-kryeministrit. “Në mënyrë urgjente duhet të ngremë një grup pune që të hartojë një strategji dhe ta na thotë të gjithëve ne, se kur dhe si mund të nisim aktivitetin. Problemi që ka ngritur kreu i Viva Italia (Matteo Renzi) është serioz. Mbyllja  aktiviteteve nuk mund të jetë pa fund, si për faktin se qytetarët nuk mund të rrinë në shtëpi me muaj pa u sëmurur dhe pa u çmendur, ashtu dhe për faktin se aktivitet prodhuese duhet, që në një farë mënyre, të rinisin punën. Në të kundërt, do të ketë nga ata që do sëmuren nga varfëria. Po për të bërë këtë gjë duhet një strategji dhe duhet tani në mënyrë urgjente”,- thotë Pier Luigi Lopalco.