Konsensusi gjendet, kriza mbetet

482
Lulzim Basha: Sot jemi të gatshëm të bashkojmë votat për Reformën në Drejtësi 
Me të përfunduar komunikimin me partnerët europianë dhe amerikanë dhe pas komunikimit përmes Komisionerit të Zgjerimit Johanes Hahn, Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha bëri me dije rënien dakord se roli i misionit ndërkombëtar do të jetë një rol rekomandues, vendimmarrja mbetet tërësisht në duart e institucioneve shqiptar, dhe kjo do të mishërohet në Kushtetutën e Shqipërisë, me një dispozitë tranzitore. Po kështu, nuk do të përjashtohet asnjë qytetar shqiptar, është shprehur Basha, nga konkurrimi mbi bazën e hamendësimeve, opinioneve, por vetëm mbi bazën e fakteve dhe provave sipas ligjit. “Konkludimi me sukses i betejës së Partisë Demokratike për një draft kushtetues në përputhje me Komisionin e Venecias dhe bazuar mbi propozimin e zonjës Nuland. Kjo betejë e fundit ka patur dy qëllime; të mbrojë kushtetutshmërinë, parimin e shenjtë se askush nuk mund të ketë pushtet pa pasur llogaridhënie, dhe ka pasur në qendër të saj të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si ADN-ja e Partisë Demokratike, si vetë motivi i krijimit të saj dhe motivi sot dhe nesër i të gjitha qëndrimeve të saj politike”. Vendimi i Bashës është përshëndetur nga Kancelarja Merkel dhe aleatët e tij të grupimit të Partive Popullore Europiane.
Eurokomisioneri sqaron edhe mënyrën e funksionimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit
Dita më e nxehtë politike, e cila ka bërë të mundur pasjen e debateve dhe daljeve publike të krerëve të lartë të politikës Shqiptare, 21 korriku është pritur me ankth edhe nga ndërkombëtarët të cilët janë përfshirë për tu arritur konsensusi i duhur dhe kjo reformë të kaloj. Gjatë tre ditëve, nisur nga e diela në të cilën kreu i Kuvendit Ilir Meta, pati një dalje publike posaçërisht për kalimin e një reforme me konsensus të mes kreut të maxhorancës Edi Rama dhe kreut të opozitës Lulzim Basha, duke ftuar kështu ambasadorët e ShBA dhe BE, Donald Lu dhe Vlahutin, të përfshiheshin në këto negociata që të arrihej një konsensus. Pas tij, nuk kanë munguar dhe deklaratat e Kryeministrit, e kreut të opozitës dhe të ambasadorëve Lu dhe Vlahutin. Por të mërkurën, një ditë para votimit të reformës në drejtësi, eurokomisioneri Johannes Hahn, u dërguar një letër krerëve të politikës shqiptare. Letra e komisionerit Hahn u është dërguar kryeministrit Edi Rama, kreut të Kuvendit Ilir Meta, dhe kreut të opozitës Lulzim Basha. Teksa përmend komunikimet e bëra gjatë dy ditëve të fundit me të tre palët, eurokomisioneri thekson se në këtë letër përmend pikat kryesore të të ashtuquajturit propozim hibrid i cili është tashmë në tryezën e diskutimeve. Hahn thekson se këto pika janë linjat e kuqe për komunitetin ndërkombëtar, gjë që është theksuar vazhdimisht edhe më herët. Eurokomisioneri sqaron edhe mënyrën e funksionimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Të martën Komiteti i Jashtëm në Parlamentin Europian, diskutoi lidhur me procesin e reformës në drejtësi në Shqipëri. Komisionerët theksuan rëndësinë e miratimit të kësaj reformë, duke u shprehur se dështimi i saj dëmton procesin e integrimit europian të vendit.
Sali Berisha: Fitore e parimeve të larta të drejtësisë 
Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar në lidhje me arritjen e konsensusit mes palëve politike për reformën në drejtësi. Me anë të një mesazhi në rrjetin social ‘Facebook’, Berisha pohoi se kjo ishte një fitore e parimeve të larta të drejtësisë, ndërsa u shpreh krenar për rolin përcaktues të opozitës në këtë proces. “Një fitore e parimeve te larta të një drejtësie të pavarur, efikase, transparente, të përgjegjshme! Të dashur miq, sot (dje) u finalizuan negociatat për nenin e fundit të reformës së sistemit të drejtësisë në vendin tonë! Me këtë rast shpreh krenarinë dhe vlerësimin tim më të madh për rolin udhëheqës dhe përcaktues të opozitës shqiptare në tërësi dhe PD në veçanti, e cila me oponencën e saj në dy projektet që dërgoi në Komisionin e Venecias dhe projektin që u përdor për propozimin hibrid, negociata konstruktive të javës se fundit arriti garantimin e një projekti reforme që shpëtoi sistemin nga kapja qeveritare, nga kthetrat e njeriut që donte të bëhej me çdo kusht kryehetues, kryegjykatës, kryeprokuror i vendit, kujtoni vetëm projektin e tij për FBI personale te tij, përpjekjet e tjera absurde për të bllokuar për këtë shkak reformën në çdo moment. Garantimin për qytetaret shqiptare të lirive dhe të drejtave që gëzojnë nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut dhe Kushtetuta e tyre duke hedhur në kosh përpjekjet për t’iu mohuar me Kushtetute këto të drejta dhe zhvendosur ata në hapësira orwelliane apo të shkuarës se tyre të zezë hoxhiste nga Old Mayer-i, Edvin Shullazi. Garantoi një proces vlerësimi transparent, ligjor, objektiv të bazuar në meritën dhe integritetin profesional dhe njerëzor të prokurorëve dhe gjykatësve tanë dhe jo në opinione, thashetheme dhe marrëzira që dëshironte i suksesshmi imagjinar! Garantoi që në të gjithë procesin e ndërtimit të piramidës së drejtësisë vendimmarrja të jetë ekskluzivisht si në çdo vend tjetër sovran në duart e shqiptarëve dhe jo të të huajve, siç iu deklaroi shqiptareve me qindra here Old Mayer-i, Edvin Kristaq Rama. garantoi mbështetje të çmuar nga miqtë dhe partneret ndërkombëtar në procesin e Vettingut, gjë që do ta bëjë më të besueshme dhe më transparent reformën e sistemit të drejtësisë, defacto të udhëhequr nga opozita, të cilën Edi Rama bëri gjithçka që ta përjashtonte që në fillim nga procesi, por dështoi në mënyrë spektakolare”, citohet në mesazhin e Berishës. 
Ilir Meta: Konsensusi PS-PD është arritje historike, përshëndesim vendimin e PD
Në deklaratën e tij kreu i parlamentit Ilir Meta përshëndet vendimin Partisë Demokratike për të miratuar në seancën e sotme plenare projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, e ndryshuar”. “Përshëndes vendimin e Partisë Demokratike. Konsensusi është një arritje historike. Me këtë rast, dua të shpreh mirënjohjen për Komisionerin e BE për Politikat e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, z. Johannes Hahn. Miratimi i Reformës në Drejtësi është një sukses dhe një arritje për të gjithë shqiptarët”, vlerësoi Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta. Meta e ka cilësuar konsensusin si një arritje historike dhe i shpreh mirënjohjen Komisionerit të BE për Politikat e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn. 
Reforma në drejtësi u mbyll nga një marrëveshje mes palëve për ta votuar atë në seancën e ditës së nesërme, por që pas firmosjes së saj politika nisi lojën “e ka kush e ka”, fitoren, fajin, gabimin, lavdinë e të tjera. Ama asgjë nuk është mbyllur këtu. Pjesa më e vështirë vjen në zbatimin e kësaj reforme. E para në zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Republikës që do të kërkojë 94 vota; e dyta me zgjedhjen e Prokurorit Special që do të zgjedhë zyrtarët, kërkon 84 vota; e tretat në zgjedhjen e krerëve të trupave gjyqësore që kërkon sërish 94 vota; dhe më pas me rezistencën ndaj procesit të vetingut. Sapo u arrit marrëveshja, Lulzim Basha deklamoi fitoren e PD-së, pasi sipas tij është arritur një fitore e madhe sepse “Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit” do të ketë vetëm detyrë monitoruese. Në fakt, siç quhet edhe në emërtimin ligjor misioni ndërkombëtar ka vetëm detyrë monitoruese, por ky monitorim do të jetë mjaft thelbësor, pasi është vendosur në Kushtetutë. Në draftin-hibrid të Viktoria Nuland, është shtuar që në misionin ndërkombëtar do të hyjë edhe SHBA, por pas ndërhyrjes së komisioneri Hahn, është shtuar fjala “rekomandim”, që në fakt nuk është gjë tjetër veçse një përcaktim që jepet në draftin e hartuar nga ekspertët. Më poshtë po japim draftin në variantin fillestar dhe të ndryshuar.
Varianti fillestar:
Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit
Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit është përgjegjës për sigurimin e transparencës, sigurisë juridike dhe garancive për të mos lejuar abuzimet gjatë procesit të përkohshëm të vlerësimit. Organizimi dhe funksionimi i Misionit Ndërkombëtar të Monitorimit rregullohet sipas marrëveshjeve ndërkombëtare në fuqi. 
Kompetencat e Misionit Ndërkombëtar të Monitorimit rregullohen nga ky aneks dhe nga ligji.
Vëzhguesi ndërkombëtar është jurist i huaj me eksperiencë, i cili përmbush kriteret për të qenë gjyqtar në vendin e tij. Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, në kuadër të së drejtës ndërkombëtare ose marrëdhënieve diplomatike emëron vëzhguesit Ndërkombëtarë të Monitorimit.
Mandati i vëzhguesit ndërkombëtar mbaron për shkelje të rënda, bazuar në kërkesën e Misionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Vëzhguesit ndërkombëtarë ushtrojnë këto kompetenca:
a) Marrin menjëherë informacion për persona dhe dokumente të caktuara, me qëllim monitorimin e procesit të emërimit të anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe gjyqtarëve të Kolegjit të Posaçëm të Kualifikimit;
b) Marrin menjëherë informacion për persona dhe dokumente të domosdoshme për monitorimin e procesit të vlerësimit të kualifikimit të të gjitha niveleve dhe në çdo fazë të tij;
c) Paraqesin gjetje dhe mendime mbi çështje që shqyrtohen nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe nga Kolegji i Posaçëm i Kualifikimit. Lidhur me këto gjetje, vëzhguesit ndërkombëtarë mund të kërkojnë që Komisioni të marrë në shqyrtim prova ose të paraqesë prova të marra nga organet shtetërore, entitetet e huaja ose personat privatë, sipas ligjit.
ç) Kërkojnë që çështja të dërgohet menjëherë për shqyrtim nga një trupë tjetër gjyqësore e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ose Kolegjit të Posaçëm të Kualifikimit, në rastet kur ka prova dhe fakte të mjaftueshme dhe të besueshme që një vendim i një trupe gjyqësore të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ose i Kolegjit të Posaçëm të Kualifikimit është haptazi i pabazuar në fakte, prova ose në ligj, apo është marrë si pasojë e një ndikimi të papërshtatshëm.
Varianti i ndryshuar:
I njëjtë me të parin, por është shtuar se vetëm duhen hartuar me hollësi arsyet se pse kërkohet mospranimi apo largimi i gjyqtarëve apo prokurorëve. Ndërkohë, kjo lojë fjalësh në draft, më tepër se thelbi, është dhe një “dhuratë” e stisur e ndërkombëtarëve, për t`i mundësuar PD-së një ndjenjë triumfi politik. Siç dhe Basha e shpalli. 
Edi Rama: Përgëzoj vendimin e PD, që iu nënshtrua vullnetit të popullit 
Kryeministri Edi Rama theksoi se Partia Demokratike iu nënshtrua vullnetit të të gjithë shqiptarëve për reformën në drejtësi. Ai theksoi se në draft nuk ndryshon asgjë dhe se roli i ndërkombëtarëve do të jetë ai i diskutuar edhe gjatë negociatave në ditët e kaluara. “Do doja të përsërisja pikat e mëposhtme që ka pohuar dhe komuniteti ndërkombëtar. E para, roli i operacionit ndërkombëtar të monitorimit duhet të këtë një bazë solide, të ligjshme, brenda Kushtetuese së Shqipërisë. E dyta; unë e rinënvizojë siç kemi thënë përgjatë gjithë procesit, se operacioni ndërkombëtar i monitorimit, do bëjë rekomandime dhe nuk janë të ligjërueshme, që do të bëjnë arsyetimin përkatës”, pohoi ai. Rama ka siguruar mbështetësit se vijat e kuqe janë aty dhe se në draft nuk ka ndryshuar asgjë. “Vijat e kuqe ishin aty, janë aty dhe do të mbeten aty me votimin unanim të kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Falë këtyre vijave të kuqe, kjo reformë ka garantuar vijën mbrojtëse nga çdo përpjekje për të penguar revolucionin në drejtësi me mjete të korrupsionit politik apo financiar” tha ai.
Sigal