Kongresi që shpëtoi coptimin e Shqipërisë

451
Sigal

Përkujtimi i kësaj date, të shërbejë edhe si moment reflektimi për politikën dhe shoqërinë shqiptare

 Kongresi i Përmetit hodhi themelet e Shqipërisë moderne. 24 maji i vitit 1944 është një nga datat më me rëndësi në historinë e Shqipërisë. 70 vjet më parë, të zgjedhurit nga këshillat antifashiste nacionalçlirimtare, përfaqësuesit e pushtetit të popullit, ngritën themelet e shtetit modern shqiptar, duke e shkëputur përfundimisht, si nga rendi feudal që përfaqësohej nga monarkia zogiste, ashtu edhe nga fuqitë e mundura nazifashiste të Luftës së Dytë Botërore. Ky kongres i organizuar dhe drejtuar nga Partia Komuniste dhe udhëheqësi i Luftës Antifashiste, shoku Enver Hoxha, ishte një ndër mbledhjet ku vërtet populli arriti të shprehte vullnetin e tij, i përfaqësuar nga qindra delegatë. Ai u mblodh në qytetin historik të Përmetit, një nga qytetet martire të Luftës Antifashiste u dogj tri herë me radhë nga pushtuesit barbarë nazifashistë dhe dha me qindra bij e bija dëshmorë.

Katër ishin vendimet më të rëndësishme të këtij kongresi:

1-Të ndërtohet Shqipëria e re demokratike e popullore sipas vullnetit të popullit

2-Të mos njihet asnjë qeveri tjetër, brenda apo jashtë kufijve, që mund të formohej në kundërshtim me vullnetin e popullit dhe të ndalohej kthimi i ish-mbretit Zog

3-Të mos njihen koncesionet e nënshkruara nga qeveritë e mëparshme në dëm të interesave kombëtare

4-Të vijojë vijoj me ashpërsi lufta kundër pushtuesve nazistë dhe tradhtarëve, deri në çlirimin e plotë dhe vendosjen e pushtetit të ri demokratik popullor në të gjithë vendin.

Kongresi i Përmetit është jo vetëm një nga faqet më të lavdishme në historinë e vendit, por edhe një nga ato që kanë lënë gjurmë të thella. Vendimet e këtij kongresi, edhe pas përmbysjes së rendit socialist, vijojnë të kenë fuqi ligjore dhe askush nuk mund t’i nëpërkëmbë. Përkujtimi i kësaj date historike, duhet të shërbejë edhe si moment reflektimi për politikën dhe shoqërinë shqiptare. 70 vjet më parë u vendos ndalimi i hyrjes në Shqipëri të mbretit Zog, i damkosur si tradhtar i vendit, ndërsa sot, politika shqiptare i ka kthyer pronat e vëna në kurriz të popullit dhe i ka ngritur monument në kryeqytet. 70 vjet më parë u vendos të ndëshkoheshin tradhtarët dhe bashkëpunëtorët e nazizmit dhe fashizmit, ndërsa sot pinjollët e tyre mundohen të rishkruajnë historinë.

Të gjithë duhet të jemi krenarë për këtë datë. 70 vjet më parë kuvendi i popullit e vendosi Shqipërinë në radhën e vendeve fituese të Luftës së Dytë Botërore dhe siguroi integritetin territorial dhe pavarësinë kombëtare. Nga ai kongres zuri fill Shqipëria e re, Shqipëria që e kemi edhe sot, ndonëse më pak të lirë e më pak demokratike. Ky kongres nuk pret të rishkruhet historia. Ai e ka bërë historinë.

Marko Dajti