Konflikti institucional/ Ekspertët: Dekretet e presidentit, votimi i Kuvendit, emërimet e kryeministrit dhe mungesa e Gjykatës Kushtetuese

556
Sigal

Presidenti merr vendimin, por dekreti i Presidentit nuk është në cënim të kryeministrit

Gazeta TELEGRAF

Gazeta “Telegraf” boton intervistën me një nga kostitucionalistët më të shquar, për ngërçin kostitucional midis Kryeministrisë, Presidencës dhe Kuvendit, për kompetencat kushtetuese të këtyre institucioneve dhe kujt i shërben mungesa e Gjykatës Kushtetuese. Kostitucionalisti shpjegon se Presidenti ka të drejtë kushtetuese të emërojë ose jo kandidaturat e propozuara nga kryeministri për ministra, Kuvendi ka të drejtë të verifikojë kriteret që përcaktohen në ligj për kandidaturat e dekretuara nga Presidenti për institucionet kushtetuese, por Kuvendi nuk ka kompetenca kushtetuese të gjykojë aftësitë profesionale të këtyre kandidaturave. Gjithashtu, kostitucionalisti në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se është marrëzi që ministri t’i delegojë zëvendësit të vet komandimin e ministrisë për një kohë të gjatë.

-A janë analoge, e drejta e Presidentit për të mos dekretuar propozimin e kryeministrit për ministër dhe mosvotimi nga parlamenti i kandidaturës të propozuar nga Presidenti për kreun e një institucioni Kushtetues, siç është rasti i KLSH-së apo të ndonjë anëtari të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë etj?

– Të flasësh për analogjinë këtu është një çikë e vështirë, pasi sipas Kushtetutës kemi të bëjmë me probleme të ndryshme. Por problemi është se të gjitha palët, që nga kryeministri, nga Presidenti dhe nga Kuvendi nuk merren vesh me njërin tjetrin. Këtu është e gjithë çështja, se po të merren vesh nuk krijojnë situata të tilla. Në fund të fundit, Kushtetuta i jep të drejtën Presidentit, pasi është Presidenti ai që e emëron ministrat me propozimin e kryeministrit. Nuk ma ha mendja që Kushtetuta shkruan gjëra formale dhe nuk ka mundësi të ketë nene në Kushtetutë për gjëra kot së koti. Në qoftë se Presidenti s’ka kompetencë, në qoftë se Presidenti nuk ka të drejtë që t’ia refuzojë kryeministrit rastet që ai i quan të pa përshtatshme, siç pretendon sot mazhoranca, atëherë nuk ka as edhe një kuptim kjo dispozitë kushtetuese. Nuk është një dispozitë formale. Edhe vetë Presidenti e ka shpjeguar që formale është, që qeveria bën betimin përpara Presidentit, betimin mund ta bëjë edhe para Kryetarit të Gjykatës së Lartë, siç e bën ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo është formale, që Presidenti nuk ka asnjë lloj kompetencë tjetër, përveçse të dëgjojë bërjen e betimit e të jetë i pranishëm edhe të dëgjojë betimin e tjetrit dhe të thotë që betimi u bë, në këtë kuptim, ndërsa kur vjen puna, për sa i përket emërimeve, Presidenti ka të drejtë që edhe të refuzojë, por gjithmonë, duke argumentuar pse-në.

-Përse është e drejtë e kufizuar?

– Kjo është një e drejtë e kufizuar, sepse ai që zgjedh ministrat, ai që punon me ministrat është kryeministri, edhe Presidenti nuk emëron dot asnjë ministër, pa e propozuar kryeministri. Pra, këtu kërkohet bashkëpunim; njëri propozon dhe tjetri emëron.

– Tani cilat janë detyrat e Presidentit këtu?

– Këtu është problemi, detyrat e Presidentit janë që ai të shikojë kriteret ligjore. Presidenti nuk mund ta refuzojë e të thotë se “mua ky ministër nuk më pëlqen ose të thotë që për mua ky është i paaftë”. Presidenti nuk ka të drejtë t’i hyjë problemeve të aftësisë e apo njërën e tjetrën.

– Presidenti a duhet ta publikojë, ta argumentojë vendimin e refuzimit?

– Patjetër që po, njëherë duhet të thotë arsyet, pse e refuzon dhe kur e refuzon, Presidenti duhet të shikojë kriteret ligjore. Cilat janë kriteret ligjore? Aty thuhet që ministrat duhet të plotësojnë kriteret që ka deputeti për t’u emëruar. Çfarë përmbajnë këto kritere? Duhet të ketë mbushur 18 vjeç, fjala vjen, duhet të jetë i përgjegjshëm nga ana mendore, duhet të mos ketë probleme dënimi, pra kërkohen ato gjëra që kërkohen për një deputet. Në qoftë se këto janë respektuar nga kryeministri, Presidenti nuk ka të drejtë ta refuzojë emërimin e emrit të propozuar prej tij. Në qoftë se kryeministri ka shkelur këto kritere, atëherë Presidenti thotë që, shiko këtu nuk ke respektuar kriteret, nuk mund të caktoj një 17 vjeçar, sepse i thotë, ligji nuk e lejon, por e kërkon kështu, nuk mund të caktoj një njëri që është i dënuar, që është i dënuar me vendim Gjykate, Ndërsa këtu këta spekulojnë edhe thonë që Presidenti nuk ka të drejtë të futet fare në këtë problem, mjafton që ai që i verifikon është kryeministri. Kryeministri është ai që i verifikon, kryeministri është ai që i shikon, kryeministri është ai që i heton dhe të gjitha gjërat e tjera, por Presidenti verifikon, nëse janë respektuar apo jo kriteret. E njëjta gjë është edhe me Kuvendin, kështu që është e ngjashme, është e njëjta gjë. Tani në fund të fundit këto mosmarrëveshje për Kryetarin e Komisionit të KLSH-ës, për funksionet e tjera, këto i gjykon Presidenti. Është ai që e dekreton, kur e dekreton do të thotë që Presidenti është ai që e emëron nuk është Kuvendi, ndërsa Kuvendi këtu bën kontrollin e shikon, nëse Presidenti i ka respektuar apo jo kriteret, mos ka shkelur ndonjë kriter, por nuk mund të hyjë Kuvendi këtu dhe të thotë, që ky është i aftë ose i paaftë, ky më pëlqen dhe ky s’më pëlqen. Këtu është spekulim dhe shpërdorim që bëhet nga Kuvendi, nga ata që komandojnë aty, që bëjnë gjëra të tilla dhe krijojnë situata të tilla, sepse Kuvendi i kthen propozimet e Presidentit për emërimin e kreut të institucioneve kushtetuese, se nuk i pëlqen, nuk iu pëlqen Presidenti, por jo personat që i propozon Presidenti. Ata mendojnë se ai që propozon Presidenti është personi që nuk iu vjen sipas oreksit atyre që komandojnë Kuvendin dhe ata kërkojnë e bëjnë presion Presidentit të caktojnë atë njëri që duan ata edhe jo atë njeri që plotëson kriteret.

– Tani, mazhoranca në rastin e parë u shpreh se presidenti ka shkelur Kushtetutën deri sa nuk emëron në mënyrë verbale propozimin e kryeministrit për ministër. Nëse e marrim të mirëqenë, kushtetuese këtë që thotë mazhoranca, po parlamenti a nuk shkel këtë të drejtë kushtetuese deri sa nuk voton në mënyrë verbale dekretin e Presidentit, të drejtë që ia ka dhënë kushtetuta?

– Tani, nëse ka shkelur apo nuk ka shkelur Presidenti Kushtetutën njëri apo tjetri, kjo nuk është një çështje që e zgjedh as kryeministri e as Kuvendi edhe as Presidenti, nuk e zgjidh as njëri e as tjetri. Atë e zgjidh organi që ka ngarkuar Kushtetuta dhe ky organ është Gjykata Kushtetuese. Në qoftë se ne jemi katandisur në këtë ditë të hallit, që këta e lënë vendin pa Gjykatë Kushtetuese që s’ka bërë vaki në asnjë vend, qoftë edhe në vendet më të humbura një gjë e tillë, kjo është çështje tjetër, atëherë fillojnë e llomotitin, pastaj edhe flasim; jo ke shkelur ti e jo e kam shkelur unë. Askush nuk ka të drejtë të akuzojë njërin tjetrin, por ka të drejtën të ndjekë rrugët procedurale. Edhe në qoftë se kryeministrit i mbushet mendja dhe arrin përfundimin se Presidenti nuk e ka respektuar Kushtetutën, sipas kryeministrit, Kryeministri nuk ka të drejtë ta zgjidhë vetë problemin e të thotë në publik, që ky e ka shkelur Kushtetutën, por ka të drejtë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, e cila do shprehet se kush e ka shkelur Kushtetutën: Presidenti, apo kryeministri. Pra, këtu ai është palë ndërgjygjëse, si i thonë, ndërsa do vejë në Kuvend, do vejë në Gjykatë Kushtetuese është palë, është një akuzë dhe si akuzë, ligji nuk i jep të drejtë ankuesit të zgjidhë problemin. Problemin e zgjidh arbitri dhe arbitri këtu është Gjykata Kushtetuese. Problemin nuk e zgjidh as Presidenti, Presidenti merr vendimin, por vendimi i presidentit nuk është në cenimin e kryeministrit. Thotë kryeministri që e ke të drejtë ti, apo nuk ke të drejtë ti. Kryeministri, në qoftë se mendon se është i padrejtë vendimi i Presidentit për të mos emëruar kandidaturën e propozuar nga ai për ministër, le t’i drejtohet në rrugë kushtetuese, në rrugë institucionale në Gjykatën Kushtetuese që ta zgjidhë problemin. Në qoftë se nuk ka Gjykatë Kushtetuese të rrinë rehat të kryejnë detyrën, sepse deri këtu e ka katandisur punën e këtij vendi. Po ashtu është edhe për Kuvendin, e njëjta gjë është edhe Kuvendi. Edhe Kuvendi nuk ka të drejtë t’i hyjë problemeve në thellësi të kompetencave të Presidentit. Kuvendi e shikon, nëse Presidenti i ka plotësuar kriteret apo jo. Ligji për KLSH-ën thotë të jetë jurist ose ekonomist, edhe nuk thotë të jetë jurist dhe që të ketë kaq vjet përvojë, por ligji kushtetues nuk i kërkon Kuvendit të hyjë, nëse kandidatura e propozuar nga Presidenti është jurist i zoti, apo nuk është i zoti. Nëse është i zoti apo nuk është i zoti atë e di Presidenti, që e ka zgjedhur dhe atij ia ka dhënë ligji një të drejtë të tillë, Kuvendi shikon vetëm kaq, kandidatura e propozuar nga Presidenti është jurist apo s’është jurist, sepse ligji e kërkon ose jurist ose ekonomist. Ta zëmë një nga këto dy profesionet i plotëson. Është ekonomist? Është! Presidenti e ka respektuar kërkesën. Është jurist? Është! Presidenti e ka respektuar kërkesën, por nuk mund të thuhet nga Kuvendi, jo ai ekonomist nuk është, ai është jurist. Por nuk është ekonomist, është jurist, pra presidenti ka zgjedhur nga ata persona, të cilët i lejon ligji dhe nuk mund t’i thotë Kuvendi jo, nuk e dua unë, sepse është Kuvendi që shkel ligjin tani këtu, i cili po kërkon që të shmangë Kushtetutën, të shmangë ligjin që lejon juristin në atë vend edhe të thotë jo, nuk e do jurist, por e do ekonomist. Në qoftë se e do ekonomist, ndrysho ligjin, ndrysho Kushtetutën.

– Po këtu në rastin konkret në propozimin konkret, një që ka drejtuar SHISH-in dhe SHISH-i është edhe institucion i investigimit të krimit ekonomik dhe të tjera e tjera… mund të thuhet që ky person nuk ka përvojë ekonomike sa të jetë kreu i KLSH-së?

– Nuk po i hyj këtij problemi, sepse unë jam kundër këtyre, nuk ka të drejtë Kuvendi të thotë se ka përvojë, apo s’ka përvojë. Kuvendi ka të drejtë të shikojë dekretin e Presidentit, nëse ka respektuar kriteret e gjithanshme, po që nuk është ekonomist, se nuk e merr në aprovim Kuvendi e të thotë që është ekonomist i zoti, apo është ekonomist i pazoti, po ashtu edhe si jurist është i zoti apo i pazoti, nëse ka drejtuar SHISH-in, apo s’ka drejtuar SHISH-in. Rëndësi ka që është njeri me përvojë, dhe duhet ta respektojmë. Në qoftë se në ligj thuhet me përvojë, le të vënë një afat që thotë: Duhet të ketë përvojë në këtë fushë kaq vjet, fjala vjen, edhe Presidenti është i detyruar ta respektojë, siç thotë për shembull për Gjykatën e Lartë, që ligji thotë, që kandidati duhet të ketë 15 vjet përvojë. Supozojmë, në qoftë se Presidenti zgjedh një kandidaturë, që është 14 vjet pune, Kuvendi i thotë Presidentit se nuk ke respektuar kriterin me kandidatin në propozimin që ke bërë, sepse kandidati duhet të mbushë 15 vjet, po nuk mund t’i thotë tani, jo po ka 20 vjet, edhe tek SHISH-i nuk ka rëndësi që ka drejtuar SHISH-in, apo nuk ka drejtuar SHISH-in, nuk ka rëndësi këtu. Mund të ketë drejtuar SHISH-in, por është punonjës i ministrisë së Brendshme dhe nuk është jurist, nuk e cakton dot, se nuk është jurist, sepse e ka ligji që duhet të jetë jurist, nuk ka rëndësi që ka drejtuar apo kë s’ka drejtuar. Rëndësi ka të ketë vjetërsi në punë edhe të jetë i profesionit që e kërkon ligji ose i profesionit dhe të ketë vjetërsinë e punës edhe kriteret e tjera që kërkon ligji, por nuk mund të hysh tek aftësitë edhe profesionale, nëse je i zoti, je ekonomist i mirë, por nuk je marrë me ekonomi, por je marrë me financë, nuk i ke këtu. Këtu mjafton të ketë mbaruar fakultetin që e ka të shënuar aty tek kriteret, po tha ekonomist, ekonomist duhet.

– Profesor, i jep të drejtë Kushtetuta kryeministrit të shprehet publikisht për këdo e aq më tepër për kreun e Shtetit, që ka shkelur kushtetutën dhe do t’i bëjmë padi penale?

– Edhe presidenti mund të dalë e të thotë që kryeministri ka shkelur Kushtetutën, edhe do t’i bëjmë padi penale. Këto janë llogje pazari, këto janë probleme politike, këto janë gjera të padenja në kuptimin që janë gjëra që i bëjnë njerëz, të cilët nuk dinë që çfarë është rregulli, çfarë është shteti e çfarë janë institucionet shtetërore e kushtetuese, nuk respektojnë institucionet, po janë njerëz megalomanë që shikojnë e mendojnë që vetëm ai di dhe ai bën, dhe ato që thotë ai janë ligji dhe nuk pranojnë që ligji është i detyrueshëm edhe për atë.

– Nga ana tjetër a nuk është ndikim ndaj Gjykatës Kushtetuese, ndaj vendimit që duhet të marrë Gjykata Kushtetuese, kur kryeministri, kreu i ekzekutivit e shpreh paraprakisht gjykimin e tij?

– Unë them që Gjykata Kushtetuese nuk duhet të ndikohet fare për vendimmarrjen e saj, se kush flet e kush nuk flet. Gjykata Kushtetuese duhet të zbatojë ligjin, se ai, në fund të fundit, kryeministri deri sa bën ankimimin, në daç të grijë sallatë, në daç të flasë rrugëve, të flasë nëpër televizione dhe andej e këtej se ankimimin do ta bëjë dhe, po bëre ankimimin, nuk ka punë ndikimi këtu, sepse kryeministri derisa e shfaq, derisa e çon me shkrim, atje, Gjykata Kushtetuese nuk ka nevojë të ndikohet se çfarë thotë paraprakisht kryeministri apo se e tha në publik. Shiko, një organ që është organ kompetent, që është organ që punon me ndërgjegje dhe profesionalizëm nuk do t’ia dijë se çfarë them unë e çfarë thua ti, e çfarë thotë ai tjetri e kushdo qoftë. Gjykata Kushtetuese vendos çfarë thotë ligji, kështu merr edhe fund, nuk kanë rëndësi opinionet që shfaqin kushdo qoftë. Rëndësi ka për kryeministrin, për Presidentin, për Kuvendin, se nuk duhet të kapërcejnë etikën, nuk duhet të shfaqen dhe të flasin në publik për gjërat, për të cilat ata mund të krijojnë pështjellim, sepse ne nuk e dimë se kush ka të drejtë. Populli tani nuk e di se kush ka të drejtë, nëse ka të drejtë kryeministri apo ka të drejtë Presidenti, sepse në qoftë se është kryeministri ai që përcakton kush e ka shkelur Kushtetutën, atëherë s’ka nevojë për Gjykatën Kushtetuese, ia linim kryeministrit që të vendosi ai për këtë gjë e për gjithçka.

Shënim i gazetën “Telegraf”. Detyrohemi të mos publikojmë emrin e kostitucionalistit, për shkak të pasojave që mund të ketë nga pushtetet. Derisa kemi arritur deri këtu, mund të imagjinojmë se jetojmë në një regjim më të egër sesa diktatura komuniste, ku njeriu dënohet për fjalën që thotë kundër pushtetit.

(Nesër do të lexoni: Reforma kushtetuese, jemi në një situatë paligjshmërie. Institucionet e reja të drejtësisë po plotësohen me anëtarë pa konkurrentë, kjo është pandershmëri).