Konfindustria: Gjykata Administrative, të vihet në punë sa më shpejtë!

493
Sigal

Konfindustria dhe administratori i saj i përgjithshëm Gjergj Buxhuku, mbështetur në  problematikën e vazhdueshme të përballjes së biznesit me institucionet ekzekutive si dogana, tatime, inspektorate, etj., i kërkojnë vendimmarrjes politike të të gjitha krahëve për të gjetur gjuhën e përbashkët dhe kryerjen e lëshimeve të dyanshme për ngritjen dhe fillimin sa më të shpejtë të punës së Gjykatës Administrative. Konfindustria gjykon, se është e papranueshme dhe nuk ka asnjë arsyetim të qëndrueshëm, që ende edhe pas pothuaj 5 muaj nga miratimi i ligjit për Gjykatën Administrative për shkak të përplasjeve politike nuk është e mundur fillimi i punës për shkak të moskalimit në Kuvendin e Shqipërisë të ligjit për Gjykatën e Lartë, që kërkon votat e 3/5 deputetëve. Përballja e biznesit me administratën tatimore, doganore, inspektoratet, etj., është dhe do të jetë e përhershme për vetë natyrën e tyre, por ka disa raste kur është më e ashpër. Në kohë krize ekonomike përballja është më e fortë, sepse nga njëra anë bizneset kanë vështirësi objektive në pagesa dhe shlyerje detyrimesh dhe nga ana tjetër administrata është më kërkuese për të realizuar të ardhurat e parashikuara në buxhet. Sa më sipër e tregojnë në mënyrë të njëpasnjëshme vitet kur pasojat e krizës globale janë ndjerë ashpër edhe në Shqipëri. Nga viti 2009 e deri më tash mbështetur në të dhënat, që vijnë pranë Konfindustrisë, është rritur ndjeshëm numri i rasteve të përballjeve biznes-administratë tatimore. Konfindustria vlerëson, se pikërisht Gjykata Administrative, si një hallkë e munguar e sistemit të drejtësisë shqiptare, do të jetë zgjidhja e vërtetë në afatgjatë në dhënien e drejtësisë në problematikën e përballjes së përhershme të biznesit, por edhe qytetarëve në përgjithësi me administratën shtetërore. Të gjitha veprimet e tjera janë të padobishme dhe mund të shërbejnë dhe përdoren vetëm për përfitime politike në afatshkurtër pa asnjë ndikim thelbësor në të mirë të qytetareve dhe biznesit.