Koncesionet e Shëndetësisë/ Dhjetëra pacientë talasemikë pa trajtim, spitalet pa specialistë, modeli “Beqaj rrënoi shërbimin shëndetësor

255

Jakup B. GJOÇA

Shëndetësia publike nën rrënojat e modelit të ish-ministrit Ilir Beqaj

Dhjetëra pacientëve talasemikë të infektuar nga transfuzioni i gjakut janë pa ndihmë, koncesioni i hemodializës kushton 70 milionë euro

Koncesionet, modeli i ministrit Beqaj për shëndetësinë

Në 2015 ministri i Shëndetësisë dha me koncesion dializën, Kompania fituese kishte asete me vlerë prej 30 milionë lekësh dhe papritur fitoi një kontratë dhjetëvjeçare e cila do t’i sjellë të ardhura të sigurta në masën 9.5 miliardë lekë, (rreth 70 milionë euro).Të dhënat e bilancit të kompanisë Diavita sh.p.k, të publikuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, tregojnë se për vitin 2016-të, kompania e shumëdebatuar e koncesionit të dializës realizoi fitime neto në masën e 51 milionë lekëve, ose 51 herë më shumë se sa vlera e kapitalit themeltar, ose 5100 për qind.

Ndërkohë që të sëmurët mbeten pa ndihmë dhe kurim

Përgjatë një dekade, dhjetëra pacientë talasemikë u infektuan me Hepatit B dhe C dhe vuajnë pasoja të shumëfishta në shëndetin e tyre, ndërkohë që institucionet e shëndetësisë nuk i hetuan shkaqet dhe “lanë duart” nga përgjegjësia për kurimin e tyre. Survejanca e parë biologjike, e kryer në vitin 2006 nga Instituti i Shëndetit Publik për pacientët talasemikë i shtoi vuajtjet në familjen e një 53-vjeçareje nga rrethinat e Durrësit. Nëna e dy fëmijëve talasemikë thotë në kushtet e anonimatit se u trondit kur mësoi se e bija duhej të luftonte edhe me Hepatitin C, përveç betejës që në lindje me sëmundjen e gjakut. “Vajza është konstatuar për herë të parë si paciente talasemike kur ishte 6 muajshe, në shtator të vitit 1992,” thotë 53-vjeçarja. “Hepatitin mund ta ketë marrë shumë vite më përpara, por këta si institucion arritën ta zbulojnë në vitin 2006, kur erdhën për të bërë analizat,” shton ajo, ndërsa fajëson Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut në Tiranë për infektimin e së bijës. Të dhënat tregojnë se dhjetëra pacientë talasemikë u infektuan me Hepatit B dhe C përgjatë dekadës së fundit, duke vuajtur pasoja të shumëfishta në shëndetin e tyre. Një pjesë e konsiderueshme e të infektuarve, sipas Institutit të Shëndetit Publik i përkasin moshave nga 5 në 14 vjeç. Transfuzioni i gjakut fajësohet gjithashtu për infektimin e 4 fëmijëve me virusin HIV/AIDS, të diagnostikuar gjithashtu në survejancën e parë biologjike të kryer në vitin 2006. Origjina e infektimit të dhjetëra pacientëve talasemikë përgjatë një dekade nuk është verifikuar ndonjëherë nga institucionet shtetërore, të cilat kanë “larë duart” edhe nga përgjegjësitë për kurimin e tyre të vazhdueshëm. Përfaqësues të pacientëve thonë se institucionet nuk kanë hetuar rastet dhe se nuk kanë garantuar trajtimin nga sëmundjet e rrezikshme infektive.

Askush nuk mban përgjegjësi

Prindër të pacientëve dhe përfaqësues të shoqatës së talasemikëve, pohuan se situata vazhdon të jetë problematike, veçanërisht në sigurimin e gjakut për qytetet jashtë Tiranës dhe kryerjen e analizave periodike, për të cilat mungojnë shpesh kitet. Mungesa e ekove dhe e aparaturave diagnostikuese në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut është gjithashtu një gangrenë, që e bën gjysmak trajtimin e tyre. Por marrja e sëmundjeve infektive përmes transfuzionit të gjakut konsiderohet një ankth i pambarimtë prej tyre. Kur e bija u diagnostikua me Hepatit C në vitin 2006, e ëma iu drejtua me shqetësim hematologes së gjakut, e cila i konfirmoi “nën zë” se transfuzioni mund të ishte shkaktar i sëmundjes infektive të së bijës. “Nga viti 2006 deri në 2016 vajzës nuk i është dhënë mjekimi më i vogël nga shteti. Anduela Pinguli, kryetare e një shoqate të re të Talasemikëve dhe Onkohemoglobinopative u bie kambanave të alarmit për mungesën e gjakut në trajtimin e pacientëve dhe mungesën e kiteve për kryerjen e analizave. Asnjë institucion nuk ka marrë përsipër fajin. Shteti duhet të mbulojë të tëra shpenzimet e këtyre pacientëve, nëse vërtetohet se infektimi ka ardhur si pasojë e gjakut dhe personat që janë evidentuar me hepatit apo HIV/AIDS të lokalizohen dhe normalisht ata të ndiqen për trajtimet e tyre. Të mos jenë më dhurues të gjakut për të tjerë, sepse është e tmerrshme që të vazhdojë të infektohen ende pacientët e tjerë”, – tha Pinguli.

Modeli i ministrit Beqaj, rrënimi i shëndetësisë publike

Ilir Beqaj, si ministër i Shëndetësisë në 2013-2017 zbatoi një model në shëndetësinë publike, e cila shkatërroi gjithë shërbimin shëndetësor. Spitalet rajonale u zvogëluan, shumë specialitete u fshinë, numri i mjekëve u zvogëlua, aparaturat moderne spitalore u mbajtën në magazina me lagështi. Përqendrimi në Tiranë në 2 spitale i të gjitha shërbimeve shëndetësore për gjithë Shqipërinë ishte katastrofa për pacientët. Kështu, në Shqipëri ka vetëm një spital të specializuar për Traumën, edhe ky me numër shumë të kufizuar krevatesh, derisa qeveria i ka dhuruar spitalit privat mjediset e Spitalit të Traumës, numri i mjekëve është shumë i vogël përballë nevojave, spitalet rajonale nuk mund të japin asnjë ndihmë të specializuar, për shembull në Sarandë, Vlorë, Shkodër, Peshkopi. Para disa ditësh një grua shtatzanë humbi pa lindur trinjakët, sepse në Bulqizë nuk ka mjek gjinekolog.