Kompania e Edmond Begos ka fituar 10 milionë euro nga lidhja me Ballën

713
Sigal

Petraq BARJAMI

PD denoncon koncesionet e përfituara nga kompania “Inerte Express” në autostradën Tiranë – Elbasan

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS dhe Kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS-së Taulant Balla e pranoi publikisht që ka njohje me biznesmenin Edmond Bego, i cili është dënuar në Itali për aktivitete kriminale. Por, Balla e justifikoi këtë njohje, si miqësi familjare, meqë kanë djemtë në një moshë. Taulant Balla kapërceu përgjegjësinë morale, që duhet të ndjejë si deputet, si kryetar i Grupit Parlamentar i PS-së, që pse shoqërohet me persona që janë dënuar për aktivitete kriminale.

PD-ja: Balla ka ndihmuar mikun e vet të përfitojë tenderë miliona eurosh

Që ditën e parë të lajmit të arrestimit të biznesmenit Bego nga policia greke, PD-ja denoncoi publikisht, se Taulant Balla e ka ndihmuar mikun e tij me dhënien e tenderëve dhe koncesioneve miliona eurosh, edhe pse kompania “Inerte Express” nuk ka pasur as përvojën e duhur. Dje, PD-ja ka vijuar me akuza kundër Taulant Ballës, dhe shton se kanë gjetur lidhje të tjera mes tij dhe Edmond Begos. Deputeti Gent Strazimiri deklaroi se në autostradën Tiranë-Elbasan, kompania e Edmond Begos ka përfituar 10 milionë euro nga paratë e taksapaguesve. “Partia Demokratike ka vërtetuar se kompania “Inerte Express” e trafikantit të drogës dhe mikut të familjes së Taulant Ballës ka përfituar 10 milionë euro që nga viti 2015 deri më sot nga paratë e taksapaguesve shqiptarë. Është kjo një nga arsyet pse gjendja për njerëzit e zakonshëm është përkeqësuar dhe mesatarisht 45 biznese mbyllen në ditë, që kur Edi Rama vendosi thundrën në ekonominë shqiptare.”, shprehet Strazimiri.

Fasada e dekriminalizimit të qeverisë së Rilindjes

Në denoncimin e PD-së theksohet se “Tre vjet më parë, si në këtë kohë, i shtrënguar nga presioni ndërkombëtar, Edi Rama u detyrua të nxjerrë një nga një kriminelet e tij nga parlamenti. Por kjo ishte vetëm fasada, sepse bashkëqeverisja e Edi Ramës me krimin mbetet e pacenuar dhe Shqipëria parajsë e krimit të organizuar. Kjo qeveri ka vënë buxhetin e shtetit në shërbim të trafikantëve të drogës, të vrasësve, të dënuarve për përdhunim dhe trafik vajzash e fëmijësh.

Heshtja e Ballës për tenderin e nënstacionit të Librazhdit

Dokumenti që PD-ja publikoi për tenderin 1 miliardë lekë që miku trafikant droge i Taulant Ballës fitoi në Librazhd dy muaj më parë, është vetëm një nga shumë dokumentet zyrtarë që provojnë sesi taksat e shqiptarëve shkojnë për pasurimin e një grushti kriminelësh të lidhur me pushtetin. Taulant Balla hesht, për të fshehur atë që e mendojnë të gjithë, se është ky personi i pushtetshëm që i ka siguruar trafikantit të drogës akses në paratë dhe pasuritë e shqiptarëve dhe se ky akses në miliona euro është burimi i miqësisë familjare që Taulant Balla ka me ish anëtarin e bandës së Lushnjës, që dikur luante futboll me kokat e prera. 1 miliardë lekët e dy muajve më parë për nënstacionin e Librazhdit janë shumë pak në krahasim më paratë e siguruara 3 vitet e fundit, jo nëpërmjet tenderëve publikë, por si nënkontraktues i firmave private, që detyrohen nga I pushtetshmi i Partisë Socialiste t’i kalojnë paratë kompanisë së trafikantit të drogës.

Rasti më flagrant është ai i ndërtimit të autostradës së Elbasanit.

PD-ja ka vërtetuar se kompania “Inerte Express” e trafikantit të drogës dhe mikut të familjes së Taulant Ballës ka përfituar 10 milionë euro që nga viti 2015 deri më sot nga paratë e taksapaguesve shqiptarë. Është kjo një nga arsyet pse gjendja për njerëzit e zakonshëm është përkeqësuar dhe mesatarisht 45 biznese mbyllen në ditë, që kur Edi Rama vendosi thundrën në ekonominë shqiptare. Milionat euro të investimeve publike shkojnë në xhepat e trafikantëve të drogës, biznesi i të cilëve shumëfishohet brenda ditës nën kujdesin e veçantë të Edi Ramës dhe taulantëve të tij.