Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Prokurori të hetojë rastet e blerjes së votës

458
Fenomeni i shitblerjes së votës, raportuar ditën e zgjedhjeve në 25 qershor nga subjekte të ndryshme politike, është ngritur si një nga shqetësimet më të mëdha të këtij procesi. Ndërsa u raportua nga të gjithë vëzhguesit si problematikë, ky fenomen preket edhe nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, i cili në këto zgjedhje kishte të shpërndarë vëzhguesit e tij. Por ndërsa në deklaratën për shtyp, KSHH e denoncon blerjen e votës duke iu referuar medias, nuk ndodh kështu me raportet e përpiluara nga vëzhguesit e tyre. KSHH thotë se monitorimi i numërimit të votave u bë nga 160 vëzhgues të akredituar nga KQZ dhe të vendosur në 11 KZAZ. Ndërsa ditën e diel këta vëzhgues kanë qenë në 154 qendra votimi në 9 qarqe të vendit. “Në vlerësimin e KSHH, procesi i votimit dhe ai i pjesshëm i monitorimit ka qenë “përgjithësisht i qetë”. “Në media u raportua për disa raste të fenomenit të shit-blerjes së votës dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit vëren se, në krahasim me zgjedhjet e kaluara është pozitiv fakti, që ka pasur një rritje të numrit të rasteve të denoncuara nga media dhe nga qytetarët, ç’ka mundëson hetim të plotë dhe efektiv nga organi i prokurorisë”, vijon njoftimi për shtyp.
Sigal