Komiteti Shqiptar i Helsinkit ngre alarmin për keqpërdorimin e të dhënave personale

290
Sigal

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), edhe më parë është prononcuar për mbrojtjen e të dhënave personale, si një aspekt i rëndësishëm i së drejtës për jetë private dhe familjare, i sanksionuar në nenin 8 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe në legjislacionin tonë të brendshëm. Gjithashtu, vlen të evidentojmë se Kuvendi i RSH-së ka miratuar Konventën e Këshillit të Evropës (108) “Për mbrojtjen e individëve në lidhje me përpunimin automatik të të dhënave” si dhe protokollin shtesë nëpërmjet ligjeve nr. 9287 dhe nr. 9288 të datës 07.10.2004.

Ditët e fundit, janë publikuar në media të dhëna se partitë politike në vendin tonë mbledhin të dhëna personale të zgjedhësve për efekte elektorale, të cilat mbahen në formën e databazës dhe përcaktojnë profilet e zgjedhësve, bazuar në bindjet politike.

Është detyrë e institucioneve përgjegjëse për të bërë verifikimet e duhura se si janë mbledhur këto të dhëna, si dhe nëse mbledhja dhe përpunimi i tyre shkel legjislacionin në fuqi.

Mgjth, KShH tërheq vëmendjen për faktin se, nëse zgjedhësit pyeten nga partitë politike apo çdo person tjetër, për bindjet politike dhe se për cilin subjekt zgjedhor do votojnë, dhe këto të dhëna përpunohen dhe ruhen, sipas identitetit të zgjedhësit dhe/ose pa pëlqimin e tij/saj, kjo përbën premisë për cenimin e fshehtësisë së votimit të sanksionuar në nenin 45/5 të Kushtetutës dhe/ose të së drejtës për privatësi. Gjithashtu, problematik është fakti i krijimi të profilit të zgjedhësit për bindjet politike, pa marrë pëlqimin e tij/saj.

Organe të specializuara të Këshillit të Evropës vërejnë se në qendër të përpjekjeve për të luftuar manipulimin dhe propagandën zgjedhore qëndron çështja se si të dhënat personale për zgjedhësit (individualisht) janë duke u përpunuar në fushatat politike, si dhe nëse ky proces përpunimi kryhet në mënyrë të ligjshme dhe etike. Pikëpyetjet për mbrojtjen e të dhënave familjare janë në fokus të një debati ndërkombëtar për integritetin demokratik dhe për të drejtat lidhur me zgjedhjet e lira, mishëruar në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kështu, në një raport të Zyrës së Komisionerit për Informacion në Mbretëriën e Bashkuar, të korrikut të vitit 2018, shprehet shqetësimi se si 7 parti politike të audituara prej Komisionerit, kanë probleme të qënësishme lidhur me transparencën dhe përdorimin e të dhënave të njerëzve në fushatat elektorale.

Në përfundim, KShH e sheh të arsyeshme ti bëjë thirrje të gjitha subjekteve zgjedhore, teksa na ndajnë gati 10 ditë nga zgjedhjet parlamentare, se në veprimtarinë e tyre, jo vetëm duhet të zbatojnë legjislacionin në fuqi dhe Konventat Ndërkombëtare të ratifikuara nga vendi ynë, por duhet të tregojnë përgjegjshmëri dhe transparencë karshi publikut, në respekt të privatësisë së çdo zgjedhësi, por edhe lirisë, barazisë dhe fshehtësisë së votës.