Komisionieri Hahn zbulon vuajtjen e BE, për ti dhënë dënim sa më të butë Shqipërisë

554
Sigal

Ndërkohë që në Shqipëri kryeministri, Edi Rama, ka ndezur fort motorët e propagandës për të quajtur ‘fitore’, djegien edhe të një viti tjetër për shansin që vendi ynë të hap negociatat me BE-në, komisionieri për zgjerim, Johannes Hahn, e sheh të gjithën këtë, thjesht si një ‘dritë për të ardhmen’.

Në një mesazh në ‘Twitter’, Komisioneri europian zbulon mes fjalëve, se gjatë bisedimeve të gjata me dyer të mbyllura të vendeve anëtare analiza e situatës për vendin tonë ka qenë e errët, por në fund Shqipërisë i është dhënë edhe një mundësi tjetër.

Johannes Hahn nuk e fsheh ngazëllimin, që Këshilli Europian sheh më në fund dritë mbi konkluzionet e zgjerimit, pas një debati të gjatë nga i cili u vendos një afat i ri për vitin 2019, por me disa kushte të treguara qartë, siç janë krimi i organizuar korrupsioni dhe plaga e emigracionit.

‘I lumtur që Këshilli i BE sheh një dritë për konkluzionet e zgjerimit për Shqipërinë dhe të ardhmen e Maqedonisë veriore, pas një debati të gjatë. Çështja e hapjes së negociatave është e qartë në qershor 2019. Sinjal kyç për rajonin është progresi i kërkuar dhe vendimtare për besueshmërinë e BE-së’, shkruan Hahn.

Lumturia e Hahn që shtyrja e hapjes së negociatave me BE-në për vendin tonë nuk ishte pa afat, siç kanë kërkuar disa vende tregon, se Këshilli i BE është sforcuar shumë në kuadër të zhvillimeve gjeopolitike, për të mos e shuar fare për këtë qeveri, ‘dritën për Shqipërinë’.

Gjithsesi, shtetet anëtare të BE-së kanë përcaktuar tashmë në mënyrë të detajuar dhe të qartë udhërrëfyesin e ri drejt hapjes së negociatave me Shqipërinë në qershor të vitit 2019, gjatë takimit të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, që merret me përgatitjet e takimeve të Këshillit Europian.

Për Shqipërinë janë vendosur ‘pikat mbi I’; duhet më shumë progres me Reformën në Drejtësi, luftë serioze kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.