Komisioni i Venecias: Realizoni sa më parë Reformën në Drejtësi!

444
Dita e parë e punës për politikën shqiptare ka nisur me takimin e ekspertëve të nivelit te lartë të reformës në drejtësi. Takimi i ekspertëve ka nisur rreth ores 17.30 minuta dhe në këtë takim do të diskutohet për këshillat dhe sugjerimet që Komisioni i Venecias i bëri draftit të ardhur nga Komisioni Parlamentar i Reformës në Drejtësi të kryesuar nga Kreu i Komisionit të Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë Fatmir Xhafa. Shpejtësi me të cilën u mblodh ky komision nuk përbënë gjë tjetër vetëm shoun e radhës pasi përpara se të mblidheshin ndoshta do ishte mirë që ky komision ose vetë Parlamenti Shqiptar të bënin një analizë të hollësishme se përse dështoi kjo reformë dhe kush janë përgjegjësit e sajë. Nëse nuk bëhet kjo analizë ,nëse nuk merren mendimet e ekspertëve të jashtëm dhe të paindoktrinuar politikisht,nëse nuk pyeten grupet e interesit, përsëri kjo reformë do të dështojë dhe Shqipëria do të vazhdojë të zvarritet deri sa të mbyllet ky mandat i këtij parlamenti i cili për nga përbërja është ndoshta më i inkriminuari i këtyre 103 viteve të formimit të shtetit shqiptar.
Siç ishte parashikuar, është mbledhur pasditen e djeshme tryeza e ekspertëve për reformën në drejtësi, që përbën edhe aktivitetin e parë politik për vitin 2016-të. Kjo mbledhje do të mbahej, më 29 dhjetor 2015, por dështoi, pasi ekspertët e Partisë Demokratike akuzuan mazhorancën se ka përgatitur një draft të njëanshëm. Ekspertët e nivelit të lartë dhe ekspertët e forcave politike kanë mbajtur këtë mbledhje në Kryesinë e Kuvendit për të diskutuar mënyrën sesi do të integrohen rekomandimet e komisionit të Venecias në draftin e reformës në drejtësi. Në këtë mbledhje eksperti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj u shpreh: “Ndodhemi para një befasie, në tryezat e grupit të ekspertëve u hodh një draft i amendamenteve kushtetuese, përgatitur jashtë këtij grupi ekspertësh, siç duket replikuar edhe njëherë, historia procedurale e mëparshme, ku një grup ekspertësh përgatisin draft-amendamente, sipas optikës së tyre, që në këto raste nuk është optika e të gjithëve. Kjo ishte arsyeja kryesore pse tryeza zgjati 2 orë. Unë këmbëngula së bashku me kolegun që puna për reformën të fillojë sa më parë. Madje edhe propozova që mbledhja e parë, ngjarja e parë pas draft-opinionit të Venecias të jetë nesër. Nuk u pranua, u la që diku nga fillimi i janarit, në datë 4 janar të vazhdojë me seancën tjetër. Por kjo gjë nuk i shërben një lloj sinqeriteti, një lloj konsensusi teknik mes teknikësh apo po të doni edhe një lloj konsensusi politik, që produkti nga ky moment e tutje, konvertimi i të gjitha rekomandimeve të Komisionit të Venecias të bëhet nga të gjithë ekspertët”. Në takimin e 29 dhjetorit, PS u përfaqësua nga ekspertët, Sokol Sadushi dhe Gent Ibrahimi, PD me ekspertët Enkelejd Alibeaj dhe Gazmend Bardhi, ndërsa ministri i Drejtësisë ka caktuar dy ekspertët, Ilir Rusmajli e Krenar Loloci.
Sigal

Në lidhje me Reformën në Drejtësi janë shprehur:
1- Prof. Dr. Shefqet Muçi: Eksperimentet e Venecias me KLD dhe Prokurorin 

Ish-ministri i Drejtësisë, Prof. Shefqet Muçi, në intervistën për gazetën “Telegraf”, pohon se Komisioni i Venecias i tha në tërësi “JO” draftit të Komisionit Parlamentar të reformës në drejtësi, por, Prof. Muçi thotë se këto opinione të “Venecias” më parë i kanë ngritur si shqetësim edhe juristët tanë, të cilët nuk u përfillën. Prof. Muçi, thotë se ndërkombëtarët kanë dështuar në këto 25 vjet, me orientimet, rekomandimet, ekspertizën, mbikëqyrjen që kanë dhënë për legjislacionin shqiptar, derisa kërkojnë që të bëjnë sërish ndryshime kaq rrënjësore. Të vjen keq, por kjo është e vërtetë e pamohueshme, që në rekomandimet e Komisionit të Venecias, drafti që ka hartuar Komisioni Parlamentar është hedhur totalisht poshtë. Janë justifikime e atyre që duan ta mbrojnë tani, që thonë se Komisioni i Venecias ka kërkuar të bëjë përmirësime dhe ndryshime në draft. Në fakt, po të shikosh një e nga një opinionet, shikon që nuk ka asnjë dispozitë të draftit, që Komisioni i Venecias është shprehur se “kjo është e papranueshme”, “kjo është e paqartë”, “kjo nuk kuptohet se si do të zgjidhë problemet”. Pra, drafti i reformës në drejtësi, tani ka nevojë të rishikohet plotësisht, të ristrukturohet nga e para. Në këtë vështrim, mendoj se Komisioni i Venecias e ka futur procesin e reformës në drejtësi në rrugën e duhur. Domethënë, i ka thënë “JO” draftit të paraqitur për reformën në drejtësi dhe ka rekomanduar që të rishikohet në tërësi, duke dhënë orientime. Që nga 1991, me ndihmën dhe orientimin e ndërkombëtarëve, nën mbikëqyrjen e tyre kemi përshtatur gjithë legjislacionin tonë me legjislacionin europian. Bëhen ndryshime 2 herë në vit në Kodin Penal, në Procedurën Penale, Civile, janë miratuar ligje kundër krimit të organizuar, korrupsionit, u krijuan gjykatat administrative, ajo e Krimeve të Rënda me prokurorinë e saj, që janë institucione antikorrupsion dhe këto janë bërë me iniciativën e drejtpërdrejtë të partnerëve tanë ndërkombëtarë. Nëse kërkojnë të bëjnë sërish ndryshime kaq të thella, duhet së pari të pranojnë dështimin e tyre në 25 vjet.
– Unë jam me variantin që Gjykata Kushtetuese, kur bëhen ndryshime kushtetuese, duhet ta shikojë çështjen në tërësi, jo vetëm në procedurë, por edhe në përmbajtje, sepse ndodh që nëpërmjet këtyre ndryshimeve, të krijohen kontradikta me dispozita të tjera ligjore kushtetuese që ekzistojnë dhe Gjykata Kushtetuese nuk mund të heshtë dhe ne duhet të kemi një organ që të shikojë nëse ka përputhshmëri, jo vetëm në procedurë, por edhe për përmbajtjen e dispozitave që nuk shtohen në Kushtetutë me ato që shtohen në Kushtetutë, sepse në shumë raste konstatohet që ndryshimet janë të asaj natyre, që bien ndesh me dispozitat e mëparshme dhe krijohet një dualitet dispozitash kushtetuese, një paqartësi më e madhe, nga ajo që ka ekzistuar më parë. Prandaj, Gjykata Kushtetuese duhet ta shikojë në tërësi problemin dhe të shprehet edhe me përmbajtjen e këtyre dispozitave kushtetuese. 
– Komisioni i Venecias është në hall me ne, sepse ky draft që i është paraqitur për vlerësim, ka krijuar një mori të tërë institucionesh të reja të drejtësisë, që dublojnë dhe mbivendosen mbi njëri-tjetrin, përplasen me njëri-tjetrin. Duke u nisur nga ky fakt, “Venecia” kërkon të bëjë një përjashtim, të bëjë një eksperiment edhe me Shqipërinë, kur vjen puna për mandatet e anëtarëve të KLD dhe thotë që në kushtet specifike të Shqipërisë, që është e papranueshme për vendet e tjera, por për kushtet e Shqipërisë, ku sipas deklarimeve që bëjmë ne ka humbur besimi te Gjyqësori, do të ishte e pranueshme që mandatet e anëtarëve të KLD të ndërpritet, kur të formohet KLGJ, qëndrim që “Venecia” nuk e mban për mandatin e prokurorit të Përgjithshëm, ku rekomandon që mandati i tij të mos ndërpritet. Ky është qëndrim kontradiktor i Komisionit të Venecias dhe për mua, “Venecia” duhet të ishte më konsekuent, shumë i qartë dhe jo me dy standarde, kur thotë që këtë ndërprerje të mandateve “Venecia” nuk e ka pranuar për Gjeorgjinë. 

2- Çlirim Gjata: Ky draft çon një gjyqësor nën hyqmin e Parlamentit dhe ekzekutivit

Në thelbin e tij, konsiston që ky draft çon një gjyqësor nën hyqmin e Parlamentit dhe pjesërisht të ekzekutivit. Pa folur pastaj për ndërprerje mandatesh, të cilat janë në opinion. Por kryesorja është që ata nuk ta pranojnë. Europianët, nuk ta pranojnë një gjyqësor nën hyqmin e Parlamentit”. Në tërësinë e tij, me çfarë pamë, i cili rrallë herë më ka qëlluar mua të paktën ta shoh, që të kundërshtojë deri në këtë masë një ndërhyrje në Kushtetutë, ose si të thuash të mos e pranojë deri në këtë masë. Dhe fakti është që u realizua një draft dhe shkoi në Venecia, që nuk pyet shumë as për politikën shqiptare, as për teknicienët shqiptarë, as për faktorin ndërkombëtar që vepron në Shqipëri, siç janë ambasadat, etj. Komisioni konstaton disa shkelje apo gjëra që nuk shkojnë në draft dhe ti je i detyruar ta respektosh. Nëse duam të hyjmë në BE jemi të detyruar të marrim parasysh sugjerimet e tyre. Ky draft nuk e kaloi klasën, por është një ogur i mirë, është një shenjë e mirë, që mund të ulen palët dhe të gjejnë konsensusin. Ashtu siç e gjetën konsensusin për ligjin e dekriminalizimit, që është shumë më i thjeshtë, se sa kjo reformë, të kuptohemi. Problemi aty ishte, sepse mungonte procedura ligjore në Kushtetutë.
Draftin e hodhi poshtë Venecia, me fare pak fjali: 
Së pari; po ndërtoni shumë institucione të panevojshme, sa më shumë burokraci, aq më shumë korrupsion do të ketë. Nuk zgjidhet duke shtuar burokracinë, problemi është të ndërtohet një sistem efikas, një sistem për ndërtimin e institucioneve të pavarura të drejtësisë. 
E dyta, për një sistem procedural për zgjedhjen e funksionarëve drejtues, e njerëzve që do të punojnë këtu. Një sistem procedural shumë strikt e me kritere të qarta, që të mos ketë mundësi të vijnë persona të paaftë e që të korruptohen nesër. Apo që të paguajnë para për të hyrë në punë.
Dhe e treta, procedurat se si do të funksionojnë këto funksione të drejtësisë. Pra në këto tre shtylla do të mbështetet sistemi. Po ngrite një sistem efikas, dhe shembuj ka plot në vendet e perëndimit, mjafton ta përshtatësh siç duhet, do të mund të kontrollosh të gjithë atë strukturën e drejtësisë, që të mos jemi më në këtë gjendje. 

3.Nini Tavani: Unioni i Prokurorëve të Shqipërisë reforma në drejtësi e domosdoshme 

Unioni i Prokuroreve, i themeluar pikërisht për të mbrojtur të drejtat e ligjshme të prokurorëve në detyrë, ndihet i privilegjuar të shpreh para kësaj tryeze mbështetjen e çdo anëtari të tij, për reformën në drejtësi si të domosdoshme, parë në dy këndvështrime themelore;
Së pari, në atë të rregullimit të përgjithshëm dhe të përhershëm të organeve përbërëse të sistemit të drejtësisë për të siguruar një pavarësi reale nga pushteti politik dhe nënshtrimi i një kontrolli ligjor.
Së dyti, për të parashikuar një filtër të fortë nga do të kalojnë të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët në përpjekje për të lënë jashtë sistemit ata gjyqtarë dhe prokurorë, që nuk kanë pasur si qëllim gjatë punës së tyre zbatimin e ligjit me ndershmëri, efikasitet dhe profesionalizëm.

4- Gerd Hoxha, Kreu i Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë aktor dhe faktor në tryezën për “Reforma në Drejtësi, nën dritën e opinionit paraprak të Komisionit të Venecias”.
Prej disa muajsh është duke u zhvilluar një proces i thellë reformues i sistemit të drejtësisë. Ky proces, i udhëhequr nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ka mbështetjen e pakursyer të miqve tanë; SHBA dhe BE. Ky proces, i cili u karakterizua përgjithësisht nga pjesëmarrje e gjerë e grupeve të interesit dhe profesionistëve të së drejtës, kulmoi në hartimin e një drafti ndryshimesh kushtetuese, i cili kaloi një proces paraprak verifikimi nga Komisioni i Venecias! Në këtë opinion paraprak Komisioni Venecias theksoi nevojën e kryerjes sa më parë të Reformës në Drejtësi, por duke qëndruar besnikë të parimeve të funksionimit të shtetit të së drejtës, ndarjes së pushteteve dhe pavarësisë së sistemit gjyqësor. Sipas këtij opinioni disa nga mjetet e zgjedhura për të arritur qëllimin final: “Drejtësi e pavarur dhe jashtë çdo ndikimi korruptiv, lënë për të dëshiruar dhe duhen rishikuar. Në këtë pikë, Opinioni i Komisionit të Venecias i jep të drejtë opinioneve të dhëna më parë nga shoqatat e juristeve profesioniste, përfshi këtu edhe Unionin e Gjyqtarëve të Shqipërisë. Nisur nga sa më sipër, me qellim përshpejtimin e procesit të Reformës në Drejtësi, parë tashmë nën dritën e Opinionit paraprak të Komisionit të Venecias, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, me mbështetjen edhe të ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani, ka kënaqësinë të jetë aktor dhe faktor në tryezën për “Reforma në Drejtësi, nën dritën e opinionit paraprak të Komisionit të Venecias”.