Kolegji merr në dorë zgjedhjet, Gjin Gjoni relator

564
Debate lidhur me kërkesën e Partisë Agrare Ambientaliste. Flasin Denar Biba, Oerd Bylykbashi dhe Kristaq Kume

Beteja politike është zhvendosur nga dita e djeshme në dyert e Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit, i cili do të mblidhet më 18 maj për të dhënë ndoshta vendimin më të rëndësishëm për zgjedhjet e 18 qershorit. Kolegji Zgjedhor zgjodhi me short pesë gjyqtarët, të cilët do të shqyrtojnë kërkesën e opozitës për të çregjistruar listat e kandidatëve për deputetë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke pretenduar dorëzimin e tyre jashtë afatit kohor.

Gjyqtarët Gjin Gjoni, Sotiraq Lubonja, Tomor Shkreli, Ridvan Hado dhe Artur Malaj do të shqyrtojnë ankesën që opozita dorëzoi dy ditë më parë në Kolegj. Relator i çështjes do të jetë Gjin Gjoni, një ndër gjyqtarët më të kritikuar nga kryeministri Rama dhe Partia Socialiste. Tashmë Gjoni dhe kolegët e tij të Apelit do të kenë në dorë dosjen e zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit.

Opozita u ankua në Kolegjin Zgjedhor me argumentimin se KQZ ka shkelur Kodin Zgjedhor, duke regjistruar jashtë afatit ligjor prej 50 ditësh listat e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste dhe 14 partive të tjera. Ankesa në Kolegj Zgjedhor është dorëzuar nga Partia Agrare Ambientaliste, e vetmja që ishte regjistruar si subjekt zgjedhor në KQZ nga opozita. Më pas kjo parti kërkoi të çregjistrohej dhe nuk paraqiti lista me kandidatë për deputetë, por Komisioni nuk mori një vendim për ta larguar edhe zyrtarisht partinë e Agron Dukës nga zgjedhjet.

Pikërisht ankesa e PAA-së ka shkaktuar edhe debate e argumentime të ndryshme. Kryetari i KQZ-së, Denar Biba, argumentoi se Kolegji nuk ka arsye që të marrë në shqyrtim ankesën e një partie, e cila nuk është subjekt zgjedhor, derisa PAA ka kërkuar çregjistrim nga gara e 18 qershorit dhe nuk solli kandidatë. Por ish-kryetari i KQZ-së, Kristaq Kume, i cili drejton prej shumë vitesh Institutin e Zhvillimit të Demokracisë dhe Sistemeve Zgjedhore, i tha “Zërit të Amerikës”, se PAA e gëzon statusin e subjektit zgjedhor dhe mund të ankohet në Kolegjin Zgjedhor, sepse KQZ nuk e ka çregjistruar në çastin kur ajo nuk dorëzoi lista kandidatësh për deputetë.

“PAA është regjistruar në KQZ dhe nga ky çast ka marrë statusin “subjekt zgjedhor”, i cili duhej pasuar nga dorëzimi i listave të kandidatëve. Por PAA nuk ka dorëzuar listat e kandidatëve për deputetë dhe nga ky çast KQZ duhet ta çregjistronte si subjekt zgjedhor, por ky vendim nuk është marrë ndaj saj. Pra, në çastin, kur ka miratuar listat e kandidatëve të partive pjesëmarrëse në zgjedhje, KQZ duhet të çregjistronte si subjekte zgjedhore ato parti, që nuk dorëzuan lista kandidatësh”, tha Kume. Eksperti i njohur i kësaj fushe, Kume thotë, se PAA ka shfrytëzuar për t’u ankuar të vetmin status, që i ka mbetur si subjekt zgjedhor kur u regjistrua fillimisht, madje KQZ nuk e ka marrë në shqyrtim as kërkesën e kësaj partie për t’u çregjistruar nga gara zgjedhore. Sipas Kumes, mbetet për t’u parë, nëse Kolegji Zgjedhor do të bëjë apo jo ndonjë interpretim mbi statusin e ankimuesit në vendim, por vendimi i Kolegjit Zgjedhor është i paapelueshëm në nivele të tjera gjyqësore.

Nga ana tjetër, zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj, tha se qëndrimet e veta mbi këtë ankesë të PAA-së ndaj listave dhe afateve të garuesve të tjerë, KQZ do t’i parashtrojë në seancat e Kolegjit Zgjedhor, kur të nisë shqyrtimi i saj. Ajo shtoi se emri i PAA-së është në radhën e partive të regjistruara si subjekte, por kur nuk paraqiti listat e kandidatëve, emri i saj thjesht nuk figuron në listën e subjekteve zgjedhore të 18 qershorit.

Partitë e koalicionit opozitar nuk u regjistruan për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. Nga ana e saj, Partia Socialiste ka shprehur vendosmërinë për të shkuar në zgjedhje edhe pa pjesëmarrjen e opozitës.
Sigal