Koço Kokëdhima- Sekretar për emigracionin dhe reformën, pritet nga qindra emigrantë shqiptarë në Greqi

518
Sigal

Projekti
i ri është ky: Në janar 2017, do të nisë nënshkrimi i peticionit “Unë e zgjedh
deputetin që dua”, jo si lëvizje individuale, por për t’u kthyer të drejtat
qytetarëve, ndërkohë Kokëdhima deklaroi, se nuk do të largohet nga PS, por do
të punojë brenda saj me anëtarët e thjeshtë dhe me emigrantët shqiptarë, të cilët
denoncuan presionet nga qendra, për të refuzuar takimin me ish-deputetin
socialist

 Qindra emigrantë
shqiptarë bashkëbiseduan me sekretarin e Partisë Socialiste për Reformën
Strukturore dhe Emigracionin, Koço Kokëdhima, në hotelin “Titania” në Athinë.
Para mbi 800 shqiptarëve, të cilët jetojnë dhe punojnë në Greqi prej gati 25
vitesh, Kokëdhima e nisi fjalën e vet duke falënderuar emigrantët që me shumë
sakrifica kanë dhënë gjithçka për atdheun, familjet e tyre dhe ekonominë e
Shqipërisë, por ata janë nëpërkëmbur dhe harruar nga qeveritë në
Shqipëri. Ai tha se është e pafalshme, që pas 25 vitesh nuk ka ende një
qendër kulturore në Athinë dhe mijëra shqiptarë që nuk marrin dot letrat, nuk
kanë mundësi të shkollojnë dhe arsimojnë në gjuhën shqipe fëmijët e tyre.
Kokëdhima tha, se zgjodhi Ditën Ndërkombëtare të Emigrantëve për të folur për
hallet e tyre. Ai shtoi, se ne kemi 30-40 për qind të njerëzve larg atdheut, që
edhe po të kishte luftë, nuk do të kishte ndodhur kështu. Gjatë takimit në
Athinë me emigrantët shqiptarë, të cilët jetojnë e punojnë në Greqi, politikani
Koço Kokëdhima, foli edhe për lëvizjen politike që ka nisur në Partinë
Socialiste. Ai theksoi sërish, se reformimi i PS-së do të bëhet nga baza. Në
fjalën e tij, Kokëdhima bëri të ditur se në janar 2017-ës, do të nisë nënshkrimi
i peticionit “Unë e zgjedh deputetin që dua”. Ai tha, se kjo nuk është lëvizje
individuale, por një nismë për t’u kthyer të drejtat qytetarëve. Gjithashtu,
politikani Kokëdhima tha, se nuk do të largohet nga Partia Socialiste, por do
të punojë aty me anëtarët e thjeshtë të PS. Në bashkëbisedimin e sekretarit të
Partisë Socialiste për Reformën Strukturore dhe Emigracionin, Koço Kokëdhima,
me emigrantët shqiptarë në Athinë, nuk kanë munguar edhe denoncimet për
presionet e marra për të refuzuar takimin me ish-deputetin socialist. Bardhi
Çela, një emigrant nga Shqipëria, tha se ka marrë kërcënime nga një zv/ministër
nga Tirana që të mos merrte pjesë në takim. Emigrantët shqiptarë në Greqi i
kanë paraqitur Kokëdhimës, shqetësimet e shumta që kanë lidhur me punën e
administratës shtetërore në Shqipëri. Gjatë bashkëbisedimit të zhvilluar në
hotel “Titania” në Athinë, diskutantë të shumtë theksuan problemet e mëdha që
hasin me administratën shtetërore në Shqipëri. Një emigrant nga Saranda solli
përvojën e hidhur personale me zyrën e hipotekës së Sarandës, duke u ankuar se
nuk i kanë kthyer as përgjigje për problemet e regjistrimit të pronës.
Politikani Koço Kokëdhima, u shpreh gjatë bashkëbisedimit me emigrantët
shqiptarë, se nuk ka ndryshuar mendim lidhur me strategjinë për legalizimin e
hashashit. “Mafia e hashashit merr deri 6 miliardë euro fitime, që më pas të
afektojnë shoqërinë dhe politikën. Nuk mund të nënvlerësohet ekonomia botërore
e hashashit, të mos kemi frike që ta bëjmë për popullin dhe jo për mafien e
bandat afër zyrtarëve të lartë”, u shpreh Kokëdhima. Ai shtoi se legalizimi i
hashashit për qëllime mjekësore do të thotë që njerëzit e sëmurë do të marrin
ilaçet e tyre. “Duhet strategji komplekse kundër hashashit, që shteti të
pastrohet nga zyrtarët e lartë të lidhur me hashashin. Duhet konsideruar
bujqësia si ekonomi zhvilluese”, nënvizoi Kokëdhima. Në fund të diskutimeve me
emigrantët në Athinë, politikani Koço Kokëdhima tha se ishte i surprizuar nga
takimi me shumë bashkëatdhetarë. Ai tha se i njeh problemet në Shqipëri dhe
punoi 3 vite sa ishte deputet, sidomos në Qarkun e Vlorës. “Ne u dhamë zgjidhje
këtyre problemeve. Ju dhamë zgjidhje shumë çështjeve, si ajo e tokave në
Ksamil. Por sapo të kthehem sërish në Kuvend do të merrem seriozisht me këto
probleme”, u shpreh Kokëdhima. Duke iu përgjigjur pyetjes për të majtën e
bashkuar, Kokëdhima tha se ajo nuk duhet të bashkojë banda, por të krijojë
institucione. Ai shtoi se, problemet tuaja tregojnë se politika nuk ka veshë,
nuk dëgjon hallet dhe problemet. “A do të pranohet lëvizja në parti? Është
sikur të thuash, a e duan njerëzit lumturinë e tyre? Shqipëria është një sistem
i kalbur, një paradoks. Nuk ka sistem demokratik kur vidhet vota, kur qytetarët
nuk zgjedhin asnjë njeri. Dua apo s’dua unë, sistemi politik do te reformohet,
duan apo s’duan elitat. Trumpi fitoi kundër kastës me punëtorët, emigrantët dhe
të përbuzurit”,-tha Kokëdhima. Politikani socialist tha se “revolta anti-kastë
po fiton kudo”. “Këtë ndryshim do ta bëjë Shqipëria se ai popull i lodhur do
t’i ndëshkojë vjedhësit. Problemi është kur do ta bëjë? Në pyetje është në
çfarë kostoje, me çfarë dhimbjeje, që t’i japim terapinë e duhur e të mos kemi
turp të themi se jemi shqiptarë kudo ku jemi. Kjo nuk është lëvizja ime, unë
thjesht e artikuloj atë. Është lëvizja e njerëzve që duan ligj, drejtësi,
dinjitet. Një herë mund të gënjehet një njeri, pastaj e ka fajin ai, nëse
gënjehet prapë”, u shpreh Kokëdhima. “Shqipëria o do të bëhet, o do të bëhet!”,
e mbylli fjalën e tij Kokëdhima, në takimin me emigrantët në Athinë që zgjati
mbi 2 orë.