Koço Kokëdhima kërkon të shfajësohet për akuzat e ngritura nga SHBA

435

Sigal

Deklarata e ambasadorit amerikan Donald Lu për ish-deputetin Koço Kokëdhima si një politikan i korruptuar nuk është pritur aspak mirë nga ky i fundit.

Në një deklaratë për mediat, ish deputeti socialist tha se pasuria e tij është bërë në mënyrë të ndershme dhe jo me korrupsion. Sipas tij deklarata e Donald Lu nëpërkëmb etikën diplomatike dhe ka arritur deri aty sa të shantazhojë deputetë dhe ligjvënës për çështje të ndryshme të vendimmarrjes.

“Gjithmonë më kanë shqetësuar standardet e dyfishta të disa ambasadorëve. Me shantazhe për të ndikuar në vendimmarrje te deputetët për çështje të rëndësishme” – tha Kokëdhima duke iu referuar mesazheve që ambasada amerikane u dërgoi disa deputeteve për të votuar reformën në drejtësi.

Kokëdhima tha se “këto deklarata janë të pavërteta dhe të ndikuara nga ata njerëz që goditën mandatin e tij në Gjykatën Kushtetuese sa në një ambasadë në një tjetrën”.

Kokëdhima tha se do të qëndrojë në Partinë Socialiste dhe për të ardhmen e tij në politikë do të vendosin vetëm qytetarët.