Koço Kokëdhima: ‘KÇK’-ja e Ramës do të veprojë jashtë sistemit të drejtësisë

1209
Sigal

Koço Kokëdhima, Kryetari i partisë ‘Zgjidhja’, së fundmi ka publikuar një postim në Facebook ku komenton hyrjen në fuqi të ligjit për ‘KÇK-në, term i shpikur nga ish-bankieri Artan Santo, që stampoi edhe bluza me ‘Kap ç’a t’kapësh’, për të karakterizuar, shpjeguar e përligjur sjelljet pragmatiste e jo domosdoshmërisht parimore të njerëzve të ditëve tona.

“Edi Rama e vodhi dhe e deformoi mesazhin e ish-bankierit, për të krijuar një njësi të re hetimi në Policinë e Shtetit, me po ata drejtorë, shefa dhe komisarë, në shërbim të kryeministrit që kanabizuan vendin në vitin 2016 dhe sot do të bëjnë ‘KÇK’-në, që nuk kanë mundur deri më sot.”-shprehet Kokëdhima.

Komenti i Kokëdhimës

Miku im i ndjerë, Artan Santo, e përdorte shprehjen ‘Kap ç’a t’kapësh’, për të karakterizuar, shpjeguar e përligjur sjelljet pragmatiste e jodomosdoshmërisht parimore të njerëzve të ditëve tona. Madje e stampoi ‘KÇK’-në edhe në bluza. Edi Rama e vodhi dhe e deformoi mesazhin e ish-bankierit. Ktheu në ligj që hyri sot në fuqi ‘KÇK’-në e tij, me të cilën krijoi një njësi të re hetimi në Policinë e Shtetit, e cila varet nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë, ka Drejtorinë e Antiterrorit e Drejtorinë e Krimit të Organizuar dhe degë në 12 qarqe. ‘KÇK’-ja e tij do të veprojë jashtë sistemit të drejtësisë, me kompetencat e një policie sekrete dhe shërbimi informativ, që dublojnë dhe tjetërsojnë kompetencat që i janë dhënë Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). ‘KÇK’-ja e Ramës do të hetojë çdo krim të parashikuar në kodin penal, nga vjedhja me armë, droga, grupi i strukturuar kriminal, vrasja, falsifikimet, plagosja, rrëmbimi, prostitucioni, korrupsioni i çdo zyrtari publik, deri te përfituesit e buxhetit të shtetit përmes koncesioneve, PPP-ve apo subvencioneve; ajo do të ketë të drejtën të urdhërojë marrjen e pasaportës dhe çdo mjeti tjetër të udhëtimit; të përgjojë biseda dhe faqe online apo të marrë informacione private pa miratimin e prokurorit apo gjykatës. Policia sekrete e Ramës do të jetë Policia e Shtetit. Po ajo e vitit 2016, që u bë partnere dhe hamalle e mafiozëve të kanabisit. Janë po ata drejtorë, shefa dhe komisarë, në shërbim të kryeministrit për të ‘KÇK’, çfarë nuk kanë mundur deri më sot.