Kocias në interpelancë: Nuk ka çështje çame

484
Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kocias, i thirrur në interpelance nga shefi i Çështjeve të Jashtme të Demokracisë së Re, Jorgos Kumutsakos, në lidhje me përmbajtjen e bisedimeve të fundit me homologun shqiptar Bushati, ka deklaruar në Parlament se në këto bisedime nuk është përfshirë aspak çështja çame. Kocias ka thënë se bisedimet janë fokusuar në çështjet bilaterale, në të cilat ka pasur mosmarrëveshje apo çështje të pazgjidhura në 70 vitet e fundit dhe ka vlerësuar se ka pasur progres substancial drejt gjetjes së zgjidhjeve të qëndrueshme për to, për të mirën e përbashkët të të dy vendeve dhe qytetarëve të tyre dhe në përputhje me rregullat dhe vlerat evropiane. Ndërkohë, ai ka theksuar se ka një përmirësim të dukshëm të klimës në marrëdhëniet greko-shqiptare, e cila është një rezultat i dialogut të hapur mes dy palëve dhe qe tashme vërtetohet nga aktet konkrete. Në këtë kontekst, ai i referohet ndryshimit të qëndrimit të qeverisë shqiptare për sa i përket varrezave ushtarake për grekët e rënë në Shqipëri dhe veçanërisht miratimit të dy ligjeve zbatuese në lidhje me marrëveshjen e vitit 2009. Kocias ka hedhur poshtë gjithashtu akuzat e konservatoreve greke për një diplomaci të fshehtë midis Athinës dhe Tiranës.
Sigal