Koalicioni opozitar i PD-së/ Sot nënshkruhet marrëveshja. Ja partitë aleate. Mediu: Të radikalizojmë protestat në gjithë vendin

478
Sigal

Mediu: “Opozita duhet të mendojë radikalizimin e protestave në të gjithë vendin”

PD-ja krijon sot koalicionin opozitar. Ja partitë aleate

Petraq BARJAMI

Sot në orën 09.00 PD nis firmosjen e marrëveshjeve për krijimin e koalicionit opozitar. Me koalicionin e PD bashkohen partitë kryesore të opozitës, që kërkojnë zgjedhje të lira e të ndershme pa Edi Ramën kryeministër. Mësohet se kjo do jetë një nga pikat e marrëveshjes për krijimin e koalicionit opozitar, i cili synon krijimin e një qeverie tranzitore, që do të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme dhe do t’i hapë rrugë drejtësisë për të ndëshkuar ata politikanë që janë faktuar se kanë blerë zgjedhjet. Disa nga partitë nënshkruese të koalicionit opozitar janë: LSI, PR, LZHK, PBDNJ, PAA, PDK, PDIU.

Vendimi i Kolegjit: Përshkallëzim protestash në rrethe

Kreu i PD-së Lulzim Basha mblodhi dje Kolegjin e Kryetarëve. Sipas burimeve mësohet se në këtë mbledhje është marrë vendimi për protestën e radhës dhe është vendosur data 11 maj ora 18.30 kur qytetarët nga e gjithë Shqipëria do të thirren për protestën e katërt kombëtare. Në përfundim të mbledhjes Kolegji i Kryetarëve vendosi për përshkallëzim protestash në rrethe,duke nisur me protesta rajonale në akset kryesore kombëtare nga kjo e enjte.  Ndërsa, Basha u ndal te zgjedhjet lokale, të cilat i cilësoi një farsë, për faktin që opozita nuk do hyjë në zgjedhje. Opozita e bashkuar kërkon largimin e Ramës si Kryeministër dhe hapjen e rrugës për zgjedhje të parakohshme, të cilat të jenë të lira dhe të ndershme.

Opozita duhet të mendojë radikalizimin e protestave në të gjithë vendin!

Ish-ministri i Mbrojtjes dhe kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, dje, duke analizuar edhe aksionin e opozitës, ka kërkuar që të ketë një përshkallëzim të mëtejshëm të protestave, Sipas Mediut deri më tani protestat e opozitës kanë qenë të përmbajtura, por në mendimin e tij Edi Rama mund të rrëzohet vetëm duke e shtrirë protestën e opozitës në të gjithë vendin. “Kemi pasur organizime politike kundër qeverisë, por protesta duhet sjellë deri në një përplasje më të keqe. Deri tani kemi qenë në një përplasje brenda Tiranës. Por duhet një organizim më i gjerë jashtë Tirane. Qytetarët duhet ta marrin në dorë fatin e tyre. Ajo që dua të them është se Edi Rama shkatërroi gjithçka me vetëdije. Parlamenti u kthye në një ‘haltore’ të Edi Ramës që përbuz dhe shan këdo. Edi Rama po kërkon që e keqja të bëhet e pranueshme. Ajo që do të ishte gabim nga opozita është ajo që ka të bëjë me një njeri racional. E keqja është ngritur ne sistem nga ky kryeministër në mënyrë të vetëdijshme. Ne duhet të mendojmë çdo skenar të zi nga Edi Rama Në mënyrë diabolike Rama shkatërroi Gjyqësorin. Të gjithë kanë qenë dakord për Reformën në Drejtësi. Pasi mori konsensusin nga opozita, Edi Rama miratoi në mënyrë të njëanshme të gjitha ligjet për të shkatërruar reformën ne Drejtësi. Shkatërroi parlamentin, duke e kthyer në një vend të debatit banal. Sot nuk kemi as qeveri, sepse nuk është as e socialistëve sepse është jashtë frymës së socialistëve. Sot jemi në një qeveri bananesh. Ky është një skenar i qëllimshëm nga Edi Rama.” Qëllimi i tij është një njeri egocentrist që gjithçka e ka për vete dhe do ta çojë të keqen deri në fund” Në duhet të mendojmë çdo lloj fature që shpëton demokracinë shqiptare dhe që është e nevojshme për tu përplasur me Edi Ramën” – tha Mediu.