KLSH kallëzon në prokurori regjistruesin, 4-ish regjistrues dhe 5 specialistë të ZVRPP LUSHNJË

391

KLSH
KALLËZON NË PROKURORI REGJISTRUESIN, 4 ISH-REGJISTRUES DHE 5 SPECIALISTË DHE
ISH SPECIALISTË TË ZVRPP LUSHNJË 

 

 

Kanë kryer regjistrimin në mënyrë
abuzive të një pasurie prej 3000 m2,  pa marrë konfirmimin e Agjencisë së Trajtimit
të Pronave;  kanë regjistruar në mungesë
të kontratave të marrëdhënieve me truallin (kontratat e qirasë) dhe pa
likuidimin total të vlerës së objektit, duke shkaktuar dëm ekonomik për
buxhetin e shtetit në shumën 61,912,800 lekë; janë kryer regjistrime të
pasurive pa dokumentacionin e duhur tekniko ligjor.

 

Kontrolli
i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 812/1,  datë 24.08.2016,  ka audituar Zyrën Vendore të Regjistrimit të
Pasurisë së Paluajtshme Lushnjë, për periudhën 01.01.2014- 30.06.2016. Në
përfundim të auditimit u konstatuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore,
për të cilat janë rekomanduar masat përkatëse për përmirësimin e gjendjes dhe
nxjerrjen e përgjegjësive, të miratuara me Vendimin e Kryetarit të KLSH-së me
nr. 157, datë 24.12.2016,
të cilat janë përcjellë në subjekt me
shkresën nr. 812/19, datë 26.12.2016
.

 

Nga auditimi u konstatuan një sërë shkeljesh, ndër të cilat më kryesoret
janë:

 

1.1
rast
është regjistruar pasuria “Ullishte” me  sipërfaqe 3000 m2, bazuar në një vendim
të Agjencisë së Trajtimit të Pronave, i cili ka ardhur në ZVRPP jo nga ATP, por
dorazi nga aplikuesi. Megjithëse ky vendim përmban mangësi thelbësore, nga ana
e ZVRPP-së Lushnjë regjistrimi është bërë në mënyrë abuzive, pa ardhur
konfirmimi i vlefshmërisë së këtij akti nga ATP Tiranë, në kundërshtim me Ligjin
nr. 33, datë 21.03.2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”.  

 

2. Nga
auditimi në 2 zona kadastrale, u konstatua se ishin kryer regjistrime të
objekteve të përfituara nga ligji Nr. 7512, datë 10.08.1991, “Për sanksionimin
dhe mbrojtjen e pronës private dhe nismës së lirë, të veprimtarive private të
pavarura dhe privatizimit”, në mungesë të kontratave të marrëdhënieve me
truallin (kontratat e qirasë) dhe pa likuidimin total të vlerës së objektit, duke
shkaktuar dëm ekonomik për buxhetin e shtetit në shumën 61,912,800 lekë, në
kundërshtim me Rregulloren e Brendshme të ZQRPP nr. 184, datë 8.4.1999 “Për
punën e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme”.

 

3. Në 1 rast,
rezultoi se është regjistruar një pasuri, ndërtesë 138 m2, pa pasur
origjinë pronësie e leje ndërtimi, duke u bazuar vetëm në një vendim të
Komitetit Ekzekutiv KP të Qytetit nr.46, datë 29.09.1990, që bën fjalë për
shpërndarje kredie bankare, pa pasur dokumentacion ligjor pronësie për
ndërtesën apo për truallin (leje ndërtimi ose vendim gjykate para vitit 1991)
në kundërshtim me përcaktimet e bëra në nenin 193 të Kodit Civil, nenin 24, të
ligjit 33/2012, rregulloren nr.184, datë 08.04.1999 dhe urdhrin nr. 1400, datë
25.10.2010.

 

4. Nga auditimi i
regjistrimit të një pasurie, rezultoi që nuk është bërë saktësimi i sipërfaqeve
sipas librit të  ngastrave (LN)/Aktit të
marrjes së tokës në pronësi (AMTP), duke përfituar më tepër një sipërfaqe prej
4063 m2. ZVRPP-ja Lushnjë nuk i është drejtuar mbajtësit të parë të
titullit të pronësisë dhe komunës/bashkisë për të bërë saktësimin e
planvendosjes sipas sipërfaqes së çdo pasurie të dhënë në AMTP, në
papajtueshmëri me Ligjin nr. 33, datë 21.03.2012 “Për regjistrimin e pasurive
të paluajtshme” dhe UKM nr. 2, datë 13.06.2013 “Për mënyrën e procedimit të
organeve të administratës publike, për pasuritë e paluajtshme, të fituara me
Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP)”.

 

5. Në tre raste të regjistrimit
të pasurive me sipërfaqe totale 74214 m2 “arë”, rezultoi që mungojnë
AMTP-të, duke ligjëruar në këtë mënyrë kryerjen e veprimeve absolutisht të pavlefshme. Gjithashtu
ZVRPP-ja, nuk i është drejtuar mbajtësit të parë të titullit të pronësisë,
bashkisë dhe DAMT-it, pranë këshillit të qarkut, me kërkesën që, nëse
disponojnë kopjen origjinale të AMTP-së, ta paraqesin në ZVRPP, veprim në papajtueshmëri me Ligjin nr. 33, datë
21.03.2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”.

 

6. Nga auditimi
rezultoi se në katër raste janë regjistruar pasuri në zbatim të Ligjit “Për
Urbanistikën”, në mungesë dhe pasaktësi të dokumentacionit tekniko ligjor, si: mungesa
e studimit urbanistik pjesor i miratuar dhe akti i kolaudimit të ndërtesave,
vlera preventive e objektit e ndryshme nga vlera e situacionuar, nuk ka
përputhje të sipërfaqes së sheshit të ndërtimit me sipërfaqen në pronësi, veprime
në papajtueshmëri me Ligjin nr. 33, datë 21.03.2012 “Për regjistrimin e
pasurive të paluajtshme”, me Ligjin nr 8402, datë 10.09.1998 “Për kontrollin
dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar, me Ligjin nr. 8405, datë 17.9.1998 “Për Urbanistikën”, i ndryshuar dhe me Ligjin
nr. 10 119, datë 23.4.2009 “Për planifikimin e territorit”, i
ndryshuar.

 

7.5 raste,
janë kryer pranime të dokumentacionit dhe
regjistrime të pasurive të paluajtshme me të meta dhe mangësi, si: kërkesat
e personave të interesuar nuk janë të regjistruar në protokollin e ZVRPP
Lushnje; mungojnë relacionet për verifikimin në vend të kërkesave qytetare, të
cilat duhej të dokumentoheshin me pagesën për këtë qëllim;  nuk janë verifikuar elementët e formës dhe të
përmbajtjes së aktit administrativ.

 

 

Për
shkeljet e konstatuara, KLSH ka kryer
kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lushnjë për katër ish- Regjistruesit
e ZVRPP-së Lushnjë E.B., B.K., S.K. e A.H., për 3 ish-specialistët D.L.
ish-përgjegjës i sektorit të regjistrimit, G.D. ish jurist dhe S.K. ish jurist,
si dhe për 2 specialistët, E.R. hartograf dhe A.Ll. hartograf, për konsumimin e
figurës së veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248
i Kodit Penal
.

 

           

 

 

Sigal