‘Kllounët e bashkisë te teatri’/ Kryemadhi: Shqipëria ka humbur 60 mijë vende pune, ndërtimi i teatrit me para borxh, provokim i turpshëm

447
Sigal

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi e ka cilësuar si një veprim të turpshëm nga ana e Veliaj provokimin e sotëm me Teatrin, ndërkohë që po kaq të turpshëm ka cilësuar marrjen e parave borxh për një teatër të ri, në një kohë kur Shqipëria ka humbur 60 mijë vende pune si pasojë e keqmenaxhimit të pandemisë nga qeveria Rama.

Deklarata e Kryemadhit

Xhaxhiu: Në qëndrimet tuaja të fundit, a ka një lloj nervozizmi politik, një shqetësim tuajin, diçka që prisni dhe që kërkoni t’i dilni para sepse ju kam parë të heshtur gjatë pandemisë dhe befas ju dilni në një front nga të gjitha anët?

Kryemadhi: Absolutisht, nuk ka asnjë nervozizëm politik, përkundrazi, ka një qetësi të ftohtë politike sepse situata në të cilën ne ndodhemi sot është tmerrësisht e zezë. Vetëm një qetësi e ftohtë mund të neutralizojë këtë zjarr kriminal që ka instaluar qeveria. Unë nuk dua të merrem thjesht me këtë, por përfitoj nga rasti sepse menjëherë pas të madhit Edmond Budina më bie rasti mua për të komentuar.

Nuk mjafton varfëria, nuk mjafton situata e tmerrshme ekonomike në të cilën ka pllakosur Shqipërinë gjatë këtyre dy muajve të pandemisë, pra bllokimi dhe izolimi i shqiptarëve pa asnjë strategji. Masat e tmerrshme dhe pa kritere kanë sjelle shkurtimet e mbi 60 mijë vendeve të punës, kanë sjellë me mijëra biznesë të cilat kanë falimentuar, pra janë mijëra familje të cilat kanë mbetur pa bukë. Ndërkohë është një dëm në ekonominë shqiptare, mbi 2 miliardë dollarë dhe sot shikojmë kllounët e Bashkisë së Tiranës që shkojnë drejt godinës së Teatrit Kombëtar, e cila është kthyer në një qëndresë të rezistencës qytetare për të vetmen arsye sepse bëhet ose këta janë super të çmendur dhe super perversë në ligësinë dhe hajdutërinë e tyre, ose këta janë shumë shumë budallenj.

E them këtë sepse sot Xhaxhi që të shkosh te Teatri Kombëtar dhe të thuash që unë do të ndërtoj Teatrin e Ri Kombëtar me para borxh kur ndërkohë që ekonomia shqiptare, vetëm BERZH të ka nxjerrë se ka 9% rënie të ekonomisë. Mirë që nuk ke rritje nga 2019 sepse edhe në 2019 kishe një rritje 2%, pra do të thotë se as rrogat dhe pensionet nuk i rriti dot as me 20 lekë, por ka një rënie. Sot shkon me paturpsinë më të madhe për të provokuar. Provokojnë njerëzit, jo vetëm artistët por provokojnë njerëzit në atë lloj mënyre sa që nuk do të ketë më ndalje sepse nuk është më çështje politike.