Klientët e qeverisë gllabërojnë edhe tenderin për vilat qeveritare

219
Sigal

Firma “Atelier 4”, me pronar Olsi dhe Alban Efthimi, është denoncuar në vijimësi nga opozita, por edhe nga mediat, si “klientët e qeverisë”. Madje, “klientët” e vetë kryeministrit Edi Rama, i cili njihet për miqësinë me vëllezërit, të cilat kanë “lulëzuar” gjatë 9 viteve të fundit, duke fituar dhjetëra miliona euro para publike për projekte të ndryshme. Me apo pa garë, kjo firmë është shpërblyer në vazhdimësi, ndërkohë që kryeministri i ka besuar projekte të reja apo edhe rivitalizimet. Sipas dokumenteve, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, e cila njihet se bën tendera luksi për rezidencat qeveritare, ka hapur disa tendera për restaurimin e disa vilave, ku qëndron apo pret “mysafirë” kryeministri Rama. Kjo drejtori, e drejtuar nga Dhurata Frashëri, nën petkun e “sigurisë kombëtare” ka bërë procedura me negocim me këtë firmë. Në dokumente thuhet se procedura e parë është “me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”. Ndërkohë që është me objekt “projekt rivitalizimi i Rezidencës Qeveritare Vila Dajt”, me fond limit 3.880.000. Por, nisur edhe nga koha prej 45 ditësh, duket se kjo firmë duhet ta ketë gati edhe projektin. “Njoftojmë se, kanë qenë pjesëmarrës në procedurë operatori ekonomik ‘ATELIER 4’ me vlerë 3.800.000 lekë pa TVSH. Pra, rreth 99 % e fondit limit. Aq më tepër, e “kamufluar” si shërbime në fushën e sigurisë, duke ia lejuar Dhuratës që të negociojë me këtë firmë dhe mos t’i hyjë “gjembi në këmbë”. Në të njëjtën kohë, Dhurata po i bën një “dhuratë” Edi Ramës edhe për rivitalizimin e Vilës Nr.5 në ish-bllok, vilë e cila njihet si vend qëndrimi i Enver Hoxhës. Në dokumente thuhet se edhe në këtë rast është procedurë me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës. Objekti është “projekt rivitalizimi i Rezidencës Qeveritare Vila Nr. 5”, me fond limit 3.952.500 pa TVSH shkruan Boldneës.al. Edhe në këtë rast, kohëzgjatja e kontratës është 45 ditë kalendarike nga momenti i nënshkrimit të saj, ndërsa në “garë” ka qenë vetëm “ATELIER 4” me vlerë 3.900.000 lekë pa TVSH, ose sërish sa 99 % e fondit limit. Dy procedura, të njëjta për nga hartimi, të cilat iu dhanë “klientëve të qeverisë”.