KLGJ i propozon Presidentit Meta 4 emra gjyqtarësh për në Gjykatën e Lartë

299
Sigal

KLGJ i propozon 4 emra Presidentit Meta për në Gjykatën e Lartë. Sokol Binaj, Albana Boksi, Sandër Simoni dhe Klodian Kurushi janë emrat e propozuar.

Gjykata e Lartë pritet të plotësohet, dhe sot KLGJ ka propozuar emrat e kandidatëve të cilët e kanë kaluar Vettingun.

Ky institucion i ka aktualisht 3 gjyqtarë të emëruar në mars të vitit 2020 nga radhët e juristëve, kurse emrat e propozuar sot janë nga radhët e gjyqtarëve.

NJOFTIMI NGA KLGJ

Sot, në datën 12.03.2021, Këshilli i Lartë Gjyqësor, i propozon Presidentit të Republikës katër gjyqtarët e parë nga radhët e sistemit gjyqësor për t’u emëruar në Gjykatën e Lartë, krahas tre gjyqtarëve të emëruar në Mars 2020 nga radhët e juristëve të spikatur. Ky propozim çon një hap më përpara përmbushjen e një prioriteti kombëtar dhe të integrimit evropian për funksionalizimin e plotë të kësaj gjykate.

Me miratimin e udhërrëfyesit për efikasitetin e Gjykatës së Lartë, Këshilli ka avancuar me prioritet përpjekjet që Gjykata e Lartë të rifitojë kuorumin e nevojshëm për adresimin e çështjeve të prapambetura si dhe për të çuar më tej objektivat thelbësore të reformës në drejtësi përmes konsolidimit të një gjyqësori plotësisht të pavarur, të paanshëm, të përgjegjshëm, efikas dhe profesional.

Emërimi i këtyre gjyqtarëve të rinj, të cilët e kanë kaluar me sukses procesin e rivlerësimit kalimtar, është një garanci për përmbushjen me përgjegjshmëri dhe profesionalizëm te sfidave të reja dhe, mbi të gjitha, nevojës për të rritur besimin e qytetarëve shqiptarë në sistemin gjyqësor.

Emrat e gjyqtarëve që i propozohen Presidentit të Republikës për emërim në Gjykatën e Lartë janë si më poshtë vijon:

1) Z. Sokol Binaj;

2) Znj. Albana Boksi;

3) Z. Sandër Simoni;

4) Z. Klodian Kurushi;