Kleçkat e koncesionit për ndërtimin e teatrit të ri

725
Teatri i ri, privatët fitojnë 4500 metër katrorë tokë për 4 kulla
Zbulohen të tjera detaje të koncesionit për ndërtimin në qendër të Tiranës. Si do të “mbulohet” kalimi i sipërfaqeve për ambiente tregtare
Projekti i qeverisë për të dhënë me koncesion ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar përmban shumë të panjohura. Ndonëse kryeministri Edi Rama prezantoi publikisht projektin arkitekturor se si do të jetë teatri i ri, detajet më të rëndësishme të koncesionit nuk janë publike. Sipas qeverisë, teatri i ri do të ndërtohet përmes një Partneriteti Publik-Privat, i cili ka lindur nga një propozim i pa kërkuar. Pra ndërtimi i teatrit të ri nuk ka ardhur si kërkesë e qeverisë, por është propozuar nga kompania private. Çka tregon se nuk është interesi publik qëllimi kryesor. Skema parashikon që privati ta ndërtojë teatrin me paratë e veta, por në këmbim ai do të të përfitojë falas tokë publike mbi të cilën do të ngrihen katër kulla për ambiente tregtare dhe qëllime banimi. Projekti parashikon që privati të marrë të gjitha zonën përreth Teatrit Kombëtar, një sipërfaqe toke, e cila është 7 mijë e 500 metër katrorë duke përfshirë dhe parkingun e bashkisë. Kompania do të ndërtojë teatrin e ri në një sipërfaqe prej 3 mijë metrash katrorë dhe do të përfitojë falas gjithë pjesën tjetër prej 4 mijë e 500 metra të tokës publike në zonën më të kërkuar të Tiranës, mbi të cilën do të ndërtojë katër kullat, që do të thotë se sipërfaqja e sotme e teatrit do të zvogëlohet. Kjo është një skemë e ngjashme më atë që qeveria përdori për ndërtimin e stadiumit “Qemal Stafa, ku privatët bëjnë propozime për të ndërtuar vepra shtetërore me paratë e tyre dhe në këmbim marrin falas tokë publike në zonat me të shtrenjta të Tiranës. Por ndryshe nga koncesioni i stadiumit, në rastin e teatrit emri i kompanisë private që qëndron pas koncesionit nuk është bërë i ditur. Jo zyrtarisht përflitet, se pas projektit janë disa nga ndërtuesit më të mëdhenj të kullave në kryeqytet, të cilët përmes këtij operacioni të pranuar nga qeveria shtien në dorë tokën publike në zonën më të shtrenjtë të Tiranës. 

Artistët: Abuzim i pastër me pushtetin
Në kulmin e debateve për shembjen e Teatrit Kombëtar, ku tashmë kryeministri Edi Rama prezantoi edhe projektin e godinës së re, vjen reagimi i regjisorit Kastriot Çipi. I ftuar në rubrikën “Opinion”, Çipi pohoi se godina e Teatrit nuk duhet të shembet, pasi është monument i gjallë i historisë së Tiranës. Mes të tjerash ai akuzoi qeverinë se projekti në fjalë është abuzim i pastër me pushtetin. Çipi tha se pamjet që u shfaqën në projekt nuk do të jenë të teatrit të ri. “Teatri Kombëtar dhe ajo ndërtesë janë një monument i gjallë i historisë së Tiranës. Dhe ky është augmenti kryesor që nuk duhet të shembet. Teatri Kombëtar ka pasur edhe një kat të tretë në lozha, që është përdorur për magazinimin e kostumeve. Kjo që shihni ju është mbyllja e lozhave. Kjo është suva me kallame (tregon disa foto nga kati i tretë i teatrit). Ndërtesat nuk shemben, sepse nuk më pëlqejnë mua, apo ty, apo kryeministrit. Këtu bëhet fjalë për para publike. Ndoshta dikush mund ta shembë shtëpinë e vet. Por jo ato godina me para publike”, tha regjisori. Sipas tij, nuk ka pasur ekspertizë dhe as vlerësim të gjendjes. “Jemi në kushte të abuzimit të pastër me pushtetin. Pushtetari thotë se ‘kjo ndërtesë nuk do të rrijë më, sepse nuk dua unë që të rrijë’. Nëse arrihet në konkluzionin që kjo godinë duhet shembur, pse të mos diskutojmë se si do të bëhet. Edhe nëse ka një përfundim të specialistësh inxhinierësh se kjo godinë nuk bën më, jemi për të njëjtën fasadë. Nuk jam në mendjet e shqiptarëve. Fasada është identiteti i asaj ndërtese. Në takim me kryeministrin nuk isha i ftuar, por edhe nëse do ta bënin, unë s’do shkoja. Mashtrimi i qeverisë vazhdon kur flasin për një sipërfaqe nga 3 mijë, që do të shkojë në 9 mijë. Arkitekti tha që do të ketë dy salla black box transparente. Po të tallesh me inteligjencën është skandaloze. Black Box është pjesa që krijon errësirën që është e domosdoshme në teatër për të vendosur dritat ti atje ku do. Tani ne do të jemi si në “big brother”, ne do bëjmë prova njerëzit do na shohin”, tha regjisori.
Kleçkat e projektit
Regjisori Kastriot Çipi ka zbuluar edhe disa kleçka të projektit të ri të prezantuar në kryeministri. Ai shtoi se projekti me sa duket është një punë studenti. “Ky projekti jonë me sa duket është një punë studenti. Pra janë marrë pjesët e këtij projekti dhe janë përshkallëzuar. Është punuar me shkallë, është zvogëluar me 7. Por kur e zvogëlon me 7 nuk të del llogaria pastaj që të bësh 3 salla. Teatri prodhues ka nevojë për atelie dekoresh, për rrobaqepësinë, për gardërobë. Atë volum që ne shohim është e pamundur që të kesh edhe 3 salla, edhe hapësirat ndihmëse. Unë kam përshtypjen që është një mashtrim. Janë marrë ato imazhe, janë ndryshuar për të justifikuar shembjen”, pohoi Çipi.
Sigal