KLD i kalon Presidentit çështjen e Majlinda Andreas

356
Këshilli i Lartë i Drejtësisë diskutoi kërkesën e kryetarit të Gjykatës së Lartë për fillimin e procedurave për deklarimin e përfundimit të mandatit të gjyqtares së Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea. Në përfundim të diskutimeve, anëtarët e Këshillit vendosën t’ia kalojnë për shqyrtim këtë çështje, Presidentit të Republikës. Gjyqtarja e Gjykatës së Lartë u dënua me 4 vite burg për korrupsion, por dënimi u konvertua në në 3 vjet shërbim prove. Majlinda Andreas ndërkaq, me vendim të Gjykatës së Lartë, i është hequr edhe e drejta e ushtrimit të detyrës për 5 vite.

Në vijim Këshilli, mbështetur në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, lidhur me mbarimin e statusit të magjistratit për shkak të mbushjes së moshës të pensionit, nuk miratoi kërkesën për deklarimin e mbarimit të statusit për shkak të mbushjes së pensionit për disa gjyqtarë. Bazuar në përcaktimet e rendit të ditës, Këshilli vijoi me shqyrtimin e kërkesës dhe miratimin e komandimit të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë, Durim Kadiu pranë Gjykatës së Lartë. Këshilli shqyrtoi edhe kërkesën e kryetares së Gjykatës së Lushnjes, Esmeralda Çeka, lidhur me nevojën e komandimit të një kryetari pranë kësaj gjykate, për shkak të përfitimit nga ana e saj të lejes së barrëlindjes, në muajin korrik 2017. Në përfundim të shqyrtimit, Këshilli vendosi emërimin e përkohshëm të gjyqtares Saemira Hila për të ushtruar detyrën e kryegjyqtares në Lushnje, deri në përfundimin e lejes së barrëlindjes së kryetares aktuale.

Më tej mbledhja vijoi me miratimin e kërkesës së pesë anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë me objekt “Futja në rend të ditës të shqyrtimit të çështjes në lidhje me dhënien e lejeve të papaguar sipas nenit 24 të ligjit nr.96/2016”, kërkesë e cila u miratua nga Këshilli. Si pikë të fundit të rendit të ditës, Këshilli vendosi delegimin e disa gjyqtarëve në shqyrtimin e çështjeve të caktuara gjyqësore, në gjykata të tjera nga ku ata janë emëruar për të ushtruar funksionin e gjyqtarit.
Sigal