Klajda Gjosha: Samiti i Berlinit: Shqipëria pengesë edhe për çeljen e negociatave të Maqedonisë së Veriut, shkak mospërmbushja e kushteve

547
Sigal

Intervista e ish deputetes së LSI-së, Klajda Gjosha

Si e shikoni ecurinë e Shqipërisë në lidhje me integrimin europian?

Shqipërisë nuk iu dha shansi për statusin kandidat dhe iu kërkua dhe një 6-mujorësh tjetër në mënyrë që ata të bindeshin se qeveria e re e asaj kohe ishte serioze dhe e përgjegjshme kundrejt kushteve të cilat kishte mbi tryezë dhe u arrit të merrej statusi vetëm në qershor të 2014. Notat e skepticizmit kanë qenë gjithmonë dhe kanë filluar në momentin kur Europa u ndesh me një krizë ekonomike shumë të thellë që daton disa vite më parë sesa këto momente në të cila ne diskutojmë tani ku në fakt ekonomia evropiane ka filluar të rritet dhe të jetë shumë herë në nivele më të larta sesa ajo e viteve të shkuara. Patjetër që pjesa e azilkërkuesve, emigracioni, pjesa e terrorizmit, gjithçka ka ndikuar edhe në perceptimin tashmë sesi vendet anëtare e konceptojnë pjesën e zgjerimit, apo dhe problemet tona të brendshme, apo bilaterale mes rajonit. Sepse ata nuk duan të bartin me vete, në momentin që këto vende do të anëtarësohen, nuk duhet që këto problematika bilaterale mes vendeve të rajonit apo dhe problemet e brendshme ti mbartin dhe ti bëjnë pjesë të vendeve anëtare të BE. Sepse mjaftueshëm probleme ka.
Por në momentin që u mblodh Parlamenti Holandez pati një qasje nga qeveria shqiptarë që menjëherë u hodh për ta quajtur raciste diskutimin që ndodhi në Parlament. Në të njëjtën ditë Parlamenti Hollandez vendosi që do ti çelë dritën jeshile Kosovës për liberalizmin e vizave. Mund të më thoni është skeptik Parlamenti Holandez apo jo. Se nëse do të kishim të bënim me një skepticizëm të thellë të çështjes së lëvizjes së lirë, të qytetarëve të rajonit tonë atëherë gjëja e parë që do të ndodhte, ishte që do të thuhej për Kosovën që ne nuk i japim mundësinë e liberalizimit të vizave për arsye se ne nuk tolerojmë më njerëz të cilët lëvizin n ë mënyrë të paligjshme le të themi apo do të shkelin rregullat e Shengenit apo të gjithë problemet që mund të sjellë vetë liberalizmi i vizave. Ndaj dhe unë nuk e mendoj që kishim të bënim me racizëm.

Tjetër moment interesant ishte se burimi i skepticizimit nuk është nga ato partitë në Parlamentin Holandez të cilat tradicionalisht kanë qenë skeptike ndaj BE..

Nuk janë partitë ekstreme, janë të qendrës, partitë që drejtojnë edhe qeverisjen. Dhje mos harroni që kërkesa për heqjen e lëvizjes së lirë të shqiptarëve ka ardhur nga policia holandeze dhe prokuroria pra dy institucione serioze. Kjo do të thotë që ka pasur një mungesë bashkëpunimi të institucioneve tona përkatëse pra policia e shtetit, Ministria e Brendshme, Prokuroria shqiptare me institucionet Holandeze, këtu ka një gafë, ka një hapësire e cila ka mbetur bosh, për të mos vazhduar më tej pastaj që diplomacia kuptohet që ka dështuar dhe nuk ka funksionuar në asnjë moment në komunikimin që ne duhet të kishim me palën Holandeze.

Cilat janë armët e forta me të cilat delegacioni shqiptar shkoi në Samitin dje, sa i përket zhvillimit të politikave në vend?
Unë besoj që dje nuk ka patur armë të forta, përkundrazi delegacioni shqiptar e ka ditur mirë se çfarë debati do të kryejë atje, ku qëndronte problematika e mbledhjes së atij samiti dhe nuk mendoj se do ketë patur ndonjë lloj krenarie.

Reforma në Drejtësi, kali i betejës i pozitës përgjatë viteve të fundit?

Mos mendoni se vendet anëtare nuk dinë edhe proceset teknike që ndodhin në Shqipëri, për proceset që ata kanë investuar duhet ta dini që kanë raporte pa fund, për të analizuar ecurinë e secilës nga reformat, tek ato që kanë paguar taksapaguesit e tyre, pra janë shumë të fokusuar, patjetër që reforma në drejtësi ato do të duhet ta mbrojnë në të gjitha mënyrat sepse është një investim i tyre, por tërheqja e vëmendjes kundrejt standardeve të dyfishta nuk ka munguar në asnjë moment dhe nuk besoj se ka munguar edhe dje, pavarësisht sepse fokusi i debatit nuk ishte Reforma në Drejtësi në Shqipëri, ka qenë pikërisht kjo ngatërresë e madhe e kryer nga tre liderë që fatkeqësisht e shikojnë veten e tyre si liderë botëror ndërmjet çështjeve nacionaliste, ndërkohë që kanë probleme të jashtëzakonshmet vendeve të tyre dhe kanë harruar ti kthejnë sytë nga ekonomitë e vendeve të tyre, nga bashkëpunimi ekonomik që do të duhet ti jepnin një hov edhe një vrull sepse ka sfida shumë të mëdha, tregu europian për secilin nga vendet tona do të duhet që nesër të përballet, ndaj dhe nuk besoj që ka qenë një takim i thjeshtë për ta.

Një takim i cili ishte programuar më parë, ndërkohë që çështja kryesore u bë çështja Kosovës, a ishte kjo një rrugëdalje, për të dalë me një produkt në fund të takimit, ndërkohë që nuk mund të jepej sa i përket aspiratës së këtyre vendeve të Ballkanit perëndimor, ndërkohë që po zhvillohen zgjedhje për Parlamentin Europian, ndërkohë që kemi një Kancelare që është në ikje, si mendoni, si e shihni?

Unë mendoj që ende nuk i është dhënë një zgjidhje, dialogut midis Serbisë dhe Kosovës dhe problemi nuk qëndron tek Kancelarja Merkel, pavarësisht dëshirë së saj që kjo lloj marrëveshje të kryhet në të njëjtin standard siç u krye dhe marrëveshja e Maqedonisë së Veriut me Greqinë, që tashmë është një shembull dhe një model shumë i mirë për t’u marrë nga të gjithë vendet e Rajonit. E them këtë sepse ende sot që flasim nuk ka një axhendë konkrete për mënyrën sesi sot ë vazhdohet dialogu mes këtyre dy vendeve që kanë një problematikë të mbartur shumë të madhe ndërmjet tyre. dhe axhenda konkrete për mua do të duhet të fillonte në shuarjen e atyre çështjeve shpirtërore që kanë qytetarët kosovarë, që nuk e kanë harruar historinë. Do duhej që të riktheheshin eshtrat e njerëzve që kanë vdekur në atë luftë. Pra pa u shuar pjesa historike, ajo pjesa emocionale e gjithë asaj që ka ndodhur nuk mundet që sot askush të thotë që po diskutojmë ne teknikisht a do të munden të hyjnë targat kosovare në Serbi apo anasjelltas, makinat e Serbisë a mund të hyjnë në Kosovë. Pra nuk janë çështje që zgjidhin thelbin, sepse këto janë popuj që ende konsiderohen në një status lufte. Pra do duhej njëherë që të vendosej një traktat paqeje pse jo, mes këtyre vendeve dhe më pas patjetër hajde bëjmë një platformë sesi do të shkojmë drejt njohjes së vendeve. Por do duhet pak paqe, ashtu siç ka ndodhur edhe me vende të tjera, Gjermania me Francën për shembull, apo edhe vende të tjera të Bashkimit Europian të cilat kanë pasur konflikte para viteve ’90 dhe më pas kanë vendosur një lloj bashkëpunimi thelbësor strategjik mes njëri tjetrit, për të shuar gjithçka që ka ndodhur, pra të gjithë plagët e historisë dhe më pas për të vazhduar me çështje konkrete.

Për konflikte shumë të mëdha, a është Bashkimi Europian në këto kushte sot që t’i japë zgjidhje këtyre problematikave kaq të koklavitura duhet thënë?

Patjetër që po. Sepse Bashkimi Europian është një super fuqi. Bashkimi Europian është perspektiva jonë e vetme.

Për shqiptarët pa diskutim…

Mund të ketë një pikëpyetje tek Serbia, për arsye të bashkëpunimit shuam të ngushtë që ata kanë me Rusinë. Megjithatë edhe për vetë popullin serb perspektiva evropiane është e pa diskutueshme. Sepse nuk mund të ndahet. Pra nëse do të mbetet e vetme kuptohet që krijon një vorbull tjetër më pas në Rajon, por edhe për vetë Bashkimin Europian. Ndaj dhe besoj fort që po, Bashkimi Europian mund të luajë një rol kyç në këtë marrëveshje, ashtu siç luajti edhe vetë komisioneri Hahn në Maqedoninë e Veriut me Greqinë. Por do duhet të jetë personi i duhur.

Mogherini në këtë rast?

Personi i duhur që e njeh historinë, që njeh kulturën e këtyre vendeve, që njeh thelbin e problemit tek këto vende dhe mentalitetin të mos harrojmë. Sepse do duhet të njohësh mentalitetin njëherë dhe më pas për të ardhur dhe për t’iu qasur mënyrës sesi do dialogësh me ta në tryezë. Kështu që unë mendoj se do të duhen njerëzit e duhur për ta çuar përpara këtë platformë dialogu.