Klajda Gjosha: Ngërçi politik tremujor i pamerituar, LSI forca që këmbënguli për zgjidhje

572
Alma Çuka
Situata e krijuar prej 18 shkurtit në politikë, përpjekjet e vazhdueshme të LSI-së për të gjetur mundësinë e zgjidhjes së ngërçit dhe fushata për zgjedhjet e 25 qershorit, argumentohen nga ministrja e Integrimit 
Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha në një intervistë për gazetën “Telegraf” flet për situatën aktuale, atë të krijuar që prej 18 shkurtit, përpjekjet e LSI të cilat sipas saj kanë qenë në të njëjtën linjë gjatë gjithë kohës dhe zgjedhjet e 25 qershorit. Është e bindur se kriza e krijuar ishte e pamerituar. Po kështu argumenton se që në krye të herës forca që ajo përfaqëson, kryesuar nga ish-kryetari Ilir Meta, i zgjedhur tashmë në krye të shtetit, ka qenë për zgjidhjen e krizës dhe për mos zhvillimin e zgjedhjeve pa pjesëmarrjen e opozitës. Si ministre e Integrimit, thotë se situata e krijuar nuk ishte aspak pozitive për Shqipërinë, e cila aderon për tu bërë pjesë e familjes evropiane. Gjosha, e para në listën e kandidatëve për Tiranën, flet me shumë entuziazëm për forcën që përfaqëson. Në të njëjtën mënyrë flet edhe për pjesëmarrjen e grave në listat për deputet që do të zgjidhen në 25 qershor. Sipas Gjoshës, LSI ka ditur gjithmonë të mbrojë vlerat e gruas. Ajo shprehet se një fakt i tillë vihet re shumë thjeshtë, nëse shohim listat aktuale ku pjesa më e madhe janë gra dhe vajza. Gjosha tregon se LSI është gjobitur nga KQZ vetëm për faktin që në listat për deputet ka ruajtur balancën 50 % me 50%. Por gjithsesi kjo forcë, sipas Gjoshës do të jetë e para në këto zgjedhje. 
Çdo të thotë për një vend si Shqipëria që synon të bëhet pjesë e familjes Evropiane, të ndodhet në këto situata politike që kemi parë muajt e fundit?
Personalisht mendoj se ngërçi politik që qytetarët shqiptarë përjetuan për 3 muaj me radhë ishte një ngërç jo vetëm i pamerituar , por një ngërç i cili krijoi një situatë tejet paradoksale në Shqipëri, ku pas dy dekadash pluralizëm u arrit të viheshin në diskutim standardet zgjedhore, madje dhe zgjedhjet e njëanshme pa praninë e opozitës. Kjo do të thoshte një kthim prapa për Shqipërinë, ndaj edhe LSI ka insistuar që këtij ngërçi t’i jepej fund sa më shpejt, palët të gjenin një zgjidhje. Siç e pamë të gjithë zgjidhja që u gjet brenda 3 orëve, u desh 3 muaj të vinte dhe kjo me kosto jo vetëm në procesin e integrimit, por edhe tek çdo familje shqiptare dhe kjo falë insistimit të LSI dhe ndërkombëtarëve. Megjithatë besoj se jemi të gjithë më të qetë tani që marrëveshja u arrit. Kemi një qeveri besimi që ka 6 ministra të partisë demokratike dhe më në fund qytetarët shqiptarë të majtë ose të djathtë do të votojnë në 25 qershor. 
Sa e interesuar është BE për gjithçka që ndodh në vendin tonë?
Bashkimi Evropian, ka qenë shumë i interesuar për situatën politike në Shqipëri. Kjo pasi zgjedhjet janë kriter kyç për vazhdimësinë e procesit të integrimit. Natyrisht këto zgjedhje janë një test edhe për konsolidimin e demokracisë në vendin tonë pa të cilën nuk mund të përparojmë drejt familjes evropiane. Ka pasur jo vetëm interes, por edhe ndërmjetësim e përfaqësuesve si McAllister dhe Fleckestein, dhe përpjekje të vazhdueshme nga partnerët tanë për t’i dhënë zgjidhje situatës që u krijua. 
Sipas Ministres së Integrimit, kauzat e PD në këtë sjelle politike , a janë realiste dhe ishin ato që detyruan kryeministrin të hiqte dorë nga qëndrimi i palëkundur për zgjedhje në 18 qershor?
Qëndrimi i LSI për disa nga kauzat e opozitës ka qenë i qartë. Çështja e kanabisit,zgjedhjet e lira ishin një shqetësim me të cilin gjithë qytetarët shqiptarë u bashkuan, po ashtu edhe disa problematika të tjera. Megjithatë, mendoj se dialogu do të kishte qenë një zgjidhje shumë herë më e mirë që përpara disa muajsh. E kam bindje se politika shqiptare duhet të heqë dorë nga ultimatumet, lojërat e vogla duke vënë interesin e shqiptarëve mbi interesin partiak dhe aq më pak personale. Nuk me takon të gjykoj cila ishte arsyeja që detyroi Kryeministrin të arrinte në një marrëveshje për të shtyrë me 1 javë datën e zgjedhjeve, por vazhdoj të ritheksoj se sot jemi të gjithë më të qetë dhe në një garë ku të gjithë aktorët janë të barabartë dhe qytetarët në 25 qershor do të tregojnë me votë kush kishte të drejtë. 
LSi ishte forca e parë që deklaroi se pa opozitën nuk do të kishte zgjedhje në 18 qershor. Si vjen sot kjo deklaratë?
Kjo deklaratë i jep të drejtë LSI-së dhe tregon se zgjidhjet kur ka vullnet arrihen fare thjesht. Ne nuk i heqim asnjë presje qëndrimit tonë se Shqipëria nuk mund të kthehet pas duke bërë zgjedhje pa opozitën pas vitesh të tëra pluralizëm dhe teksa aspiron të çelë negociatat me Bashkimin Evropian,. 
Gruaja forcë e madhe. Cili është raporti i kësaj force me LSI.
LSI është e vetmja parti politike e cila vlerëson vërtet rolin e gruas në vendimmarrje dhe politikë, por mbi të gjitha vlerëson rolin e saj në familje si shtylla më e fortë e saj dhe e gjithë shoqërisë. Gruaja në LSI shihet si një figurë e rëndësishme dhe LSI e ka qenë promotore e forcimit të rolit të saj. Ne prej vitesh përfaqësimin e grave e kemi në masën 50% me 50% të sanksionuar edhe në statut. Tregues i qartë se sa LSI e vlerëson gruan janë gjithashtu listat e kandidatëve për deputete, ku vetëm në Tiranë 3 kandidatet e para janë vajza e gra. Ne morëm edhe një gjobë nga KQZ për këtë, por kjo e bën LSI edhe më të vendosur që të mbështesë gratë, pasi ato janë vërtet potencial i jashtëzakonshëm që i qëndron larg konflikteve 
Pasi keni prekur postin e ministres se integrimit, ka Klajda Gjosha të njëjtën pritshmëri edhe pas krijimit te qeverise se ardhshme?
Pritshmëritë e mija janë të fokusuara tek qytetarët që takoj çdo ditë, që i afrohen LSI dhe e bëjnë atë të rritet si asnjëherë më parë. Nuk kam pasur kohë ta mendoj dhe të them të drejtën ka fare pak rëndësi për mua jam apo nuk jam Ministre. Jam e lumtur që në këto katër vjet i kam shërbyer qytetarëve shqiptarë, kam dhënë kontributin tim për procesin më madhor të vendit që është procesi i integrimit. Jam gjithashtu mirënjohëse që mu dha kjo mundësi. 
Ju kryesoni listën e Tiranës në këto zgjedhje, çfarë do të thotë për ju ky angazhim??
Është një përgjegjësi shumë e madhe që mua së bashku me të gjithë kandidatët e tjerë, na është dhënë për tu bërë pjesë e garës në Tiranë. Ndjehem shumë mirë sepse lista e Tiranës, është një listë e mbushur plot me të rinj të shkëlqyer të Lëvizjes Rinore për Integrim, të cilët do të bëjnë ndryshimin në politikë. 
Sigal