Klajda Gjosha, ish ministre e Integrimit/ Kryeministri do të prishë marrëveshjen zgjedhore, prandaj provokon kriza politike

520
Sigal

Njeriu i vetëm që do kishte interes të ndalte koalicionet parazgjedhore është Kryeministri i vendit, pasi ai e di fare mirë se koalicioni opozitar do të ishte automatikisht fitues në zgjedhjet e ardhshme

Jakup B. GJOÇA

Klajda Gjosha, ish ministre e Integrimit në intervistën për gazetën “Telegraf” thotë se shtimi i kushteve të BE-së për hapjen e negociatave ndaj Shqipërisë, nga 4 në 15, ndodh për shkak të përkeqësimit të situatës politike në Shqipëri. Zonja Gjosha shprehet se kryeministri Rama kërkon të prishë marrëveshjen zgjedhore dhe të provokojë kriza politike, për interesat e veta personale dhe ambiciet për pushtet të pakufizuar. Gjithashtu, ish ministrja e Integrimit, zonja Gjosha është kundër rezidencave të ambasadave të huaja, të jenë “strehë” e bisedimeve ndërpartiake.

 -Zonja Gjosha, si e shpjegoni ju, që kësaj here BE-ja, i ka vënë Shqipërisë 15 kushte, nga 4 kushte para dy vitesh, ndërkohë që ambasadori i BE-së në Tiranë dhe disa eurodeputetë, deklarojnë se Shqipëria i ka kushtet për hapjen e negociatave? 

– Mendoj se situata në Shqipëri gjatë viteve të fundit është përkeqësuar shumë, si politikisht, ashtu edhe me ecurinë e reformave, thellimin e pandëshkueshmërisë, cënimin e fjalës së lirë dhe të pronës private si dhe në shumë aspekte të tjera. Kjo po detyron vendet anëtare të jenë shumë të rrepta dhe kërkuese me kushte të detajuara për çeljen e negociatave. Nuk kam qenë asnjëherë partizane e negociatave të zhvilluara në rezidencat e ambasadorëve. Nuk është serioze për një vend që kërkon të negociojë me BE-në dhe që duhet të ketë lidership sidomos për prioritetet kombëtare

– Çfarë është kërkesa e disa deputetëve të opozitës parlamentare dhe të PS-së, që kërkojnë ndryshime kushtetuese që të ndërhyjnë në Kodin Zgjedhor, kur ndërkohë të gjitha palët politike arritën marrëveshjen për Reformën Zgjedhore?

– Është e dukshme që kërkesat e ardhura nga opozita Parlamentare janë të bazuara në interesa personale të ndërthurura me lojërat e Kryeministrit për të prishur marrëveshjen e arritur mes palëve. Shumë prej kërkesave dalin përtej rekomandimeve të OSBE-ODHIR-it dhe kërkojnë një debat të hapur publik, nuk mund të miratohen thjesht me propozimin e disa individëve, që nuk përfaqësojnë askënd!

– Përse duhen ndaluar në Kod Zgjedhor koalicionet parazgjedhore? 

– Njeriu i vetëm që do kishte interes të ndalte koalicionet parazgjedhore, është Kryeministri i vendit, pasi ai e di fare mirë se koalicioni opozitar, do të ishte automatikisht fitues në zgjedhjet e ardhshme. Frika nga humbja sjell edhe kërkesa që bien ndesh me të drejtat e formacioneve politike për të krijuar ose jo koalicione parazgjedhore.

– Zonja Gjosha, sipas Jush, përse mazhoranca dhe Parlamenti ende nuk janë shprehur për opinionet e Komisionit të Venecias për “Ligjin e Antishpifjes” dhe “Për Gjykatën Kushtetuese”. 

– Mendoj që Komisioni i Vencias ka qenë shumë i qartë për opinionin publik, por edhe për institucionet e interesuara. Të dyja çështjet kanë shkelje flagrante të Kushtetutës dhe mazhorancës nuk i intereson në këto momente të hapë një debat që e ka humbur ligjërisht. Por sado të mundohet të shmangë të vërtetat, këto janë kushte të panegociueshme nga Bashkimi Europian dhe herët a vonë, mazhoranca është e detyruar t’u përgjigjet kushteve me ndryshimet e duhura ligjore pa cënuar Kushtetutën dhe të Drejtat Themelore të Njeriut.

– A është detyrim ligjor dhe kushtetues që tashmë institucionet kushtetuese në Shqipëri të respektojnë opinionet e Komisionit të Venecias, derisa i kërkuan?

– Përsa kohë kërkohet opinioni i Komisionit të Venecias, ai patjetër duhet respektuar! Në të kundërt, kjo do të ishte një tallje me një nga institucionet më serioze dhe të respektuar në fushën e së drejtës. Mendoj që Komisioni i Venecias ka qenë shumë i qartë për opinionin publik, por edhe për institucionet e interesuara. Të dyja çështjet kanë shkelje flagrante të Kushtetutës dhe mazhorancës nuk i intereson në këto momente të hapë një debat që e ka humbur ligjërisht

– Zonja Gjosha, cili është mesazhi që u dha, kur negociatat për Reformën Zgjedhore u zhvilluan në rezidencën e ambasadores dhe jo në institucionet e shtetit shqiptar? A duhet që roli i ambasadorëve në Tiranë të jetë kaq hapur imponues, (deri në shantazhe politike) ndaj palëve politike?

– Nuk kam qenë asnjëherë partizane e negociatave të zhvilluara në rezidencat e ambasadorëve. Nuk është serioze për një vend që kërkon të negociojë me BE-në dhe që duhet të ketë lidership sidomos për prioritetet kombëtare. Nga ana tjetër, i mirëkuptoj ambasadorët, që kërkojnë të ndihmojnë në negociata palën shqiptare, pasi ne kemi një kulturë të munguar të dialogut politik!

– Për cilat merita politike të partisë në pushtet foli në deklaratën publike Ambasadorja Yuri Kim kur tha: “Merita kryesore e dakordësisë për Reformën Zgjedhore i takon partisë në pushtet”?

– Partia, që është në pushtet, ka gjithmonë më shumë për të lëshuar për shkak të pushtetit dhe kjo është përgjegjësi e tyre. Opozita ka në dorë të paraqesë kërkesa që do t’i interesonin qytetarëve shqiptarë dhe do të siguroni votën e tyre të lirë. Nga ky pozicion, besoj që ne e kemi kryer këtë detyrë me sukses.

– Si e kuptoni ju, deklaratën e Kryeministrit Rama, që tha se “tani e tutje nuk do të pranojë që ambasadorët të jenë negociatorë në marrëveshjet e krizave politike, por do të pranojë takime të drejtpërdrejta me opozitën?” 

– Në mënyrë që të ndodhë kjo, Kryeministri duhet të ndalë së prodhuari kriza, duhet të ndalë shpërfilljen e opozitës dhe duhet të kuptojë që dialogu me opozitën nuk mund të jetë pazar në kurriz të qytetarëve! Kryeministri duhet të ndalë së prodhuari kriza, duhet të ndalë shpërfilljen e opozitës dhe duhet të kuptojë që dialogu me opozitën nuk mund të jetë pazar në kurriz të qytetarëve

– Faleminderit!