Kisha e Shën Thanasit në Dhërmi, reagon MPJ

509
Ministria e Jashtme reagoi sot pas deklaratës së zëdhënësit të MPJ greke mbi të ashtuquajturin incident të ndodhur në terrenin e kishës së Shën Thanasit në Dhërmi.Në një prononcim për mediat, zëdhënësi i MPJ-së Glevin Dervishi, duke shprehur habinë dhe shqetësimin ndaj këtij reagimi të nxituar, tha se “Shqipëria përkujdeset të sigurojë zbatimin e ligjit në tërësinë dhe pacenueshmërinë e tij. Në raport me bashkësitë fetare, po ashtu edhe në raport me parandalimin e çfarëdolloj informaliteti dhe dallimin e tij nga shfrytëzimi korrekt i pronës private , në përputhje me të drejtat dhe detyrimet që burojnë nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut dhe aktet e tjera ndërkombëtare në të cilët Shqipëria aderon”.

Ai nënvizon se “në Republikën e Shqipërisë, marrëdhënia midis institucioneve të shtetit shqiptar dhe institucioneve fetare janë tepër të shëndosha dhe mishërojnë frymën e bashkëjetesës unikale mes besimeve të këtij vendi. Komiteti Shtetëror i Kulteve siguron në këtë kuadër dialogun e privilegjuar që, si çdo bashkësi tjetër, edhe Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, e cila ka përfaqësuesit dhe zëdhënësit e saj përkatës në territorin shqiptar, gëzon me pushtetet publike. Shqipëria është e gatshme të ndajë eksperiencën e saj të vyer me Greqinë në ketë drejtim.
Konstatojmë se qëndrimi i djeshëm i zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme greke, përbën, në këtë kontekst, një ndërhyrje në mbarëvajtjen e rendit të brendshëm civil, administrativ dhe gjyqësor të Republikës së Shqipërisë. Po ashtu, ai paragjykon në mënyrë të njëanshme dhe eksesive angazhimin e kahershëm të Greqisë për të shoqëruar integrimin evropian të Shqipërisë, të mbështetur nga partnerët e tjerë evropianë, gjë e cila bie ndesh edhe me praktikën e konsultimit dhe qasjes së përbashkët të problemeve mes vendeve qe ndajnë të njëjtën aspiratë evropiane”.
Sigal