Kirurgu urolog Artan Koni: PPP nuk kanë përmirësuar shërbimin shëndetësor, por kanë gllabëruar qindra milionë euro

870
Sigal

Me paratë që shteti i paguan koncesionarit  të sterilizimit  çdo vit, mund të kishim modernizuar të gjitha këto pajisje kirurgjikale dhe t’i mbanim në gjëndje pune për më shumë se 10 vjet.

Jakup B. GJOÇA

Odela Ramo

 Artan Koni, kirurg urolog është shprehur për gazetën “Telegraf”se ka depozituar të SPAK një kërkesë për nisje hetimi në lidhje me koncesionin e sterilizimit, kundrejt të cilit ka shumë pika të cilat lindin dyshime për një koncesion abuziv. Kirurgu Artan Koni gjithashtu shprehet se koncesioni ishte i padobishëm  për vetë faktin se vetë shërbimi publik shëndësor mund të arrinte të bënte procesin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale. Kirurgu Artan Koni thotë se qeveria nuk ka fituar asnjë investim nga ky koncesion sepse në momentin që të mbarojë afati, instrumentat kirurgjikale nuk do të jenë më të reja dhe kompania private nuk mban asnjë përgjegjësi për këtë. Gjithashtu ai shprehet se ky koncesion nuk ka hapur vende të reja pune, por përkundrazi i ka zvogëluar ato, duke hequr nga puna personelin. Sipas tij, mjekët nuk kanë asnjë lloj motiv për të punuar më në Shqipëri, sidomos pas koncesioneve që jepen në shërbimin shëndetësor publik.

-Zoti Koni, ju si mjek, a mund të na pohoni se koncensionet e shërbimeve të shëndetit publik kanë përmirësuar shërbimin shëndetësor në spitalet tona publike?

– Nëse do flasim për një matje objektive të përmirësimit ose jo të shërbimit shëndetësor në saj të koncesioneve, këtë gjë nuk mund ta themi sepse ministria nuk ka bërë publike ndonje raport serioz se në ç’masë është përmiresuar një shërbim i caktuar. Gjithsesi, problem kryesor që kanë koncesionet në shëndetësi, janë kostot e fryra financiare. Mund të pohoj që nuk kemi një përmirësim në atë nivel sa trumpetohet, pa dashur t’i hedh poshtë meritat për ato pak gjëra që mund të jenë përmirësuar.

– Ju jeni i pari mjek, që publikisht denoncuat tarifat shumë të shtrenjta që qeveria i dha koncensionarit për sterilizimin e pajisjeve të kirurgjisë. Së pari, a nuk mundej dot shërbimi publik shëndetësor të kryente sterilizimin e pajisjeve kurirgjikale?

– Nuk besoj se ka njeri të thotë që në një periudhë të caktuar, operacionet ndaluan ne rang kombëtar sepse shteti nuk kryente dot sterilizimin. Patjetër që shteti mund ta kryente vetë sterilizimin, ashtu siç edhe e ka kryer gjatë gjithë kësaj kohe. Aparaturat mjekësore pa dyshim që herë pas here kanë nevojë të rinovohen dhe ato të amortizuara, të zëvëndësohen…ashtu siç shteti ka bërë përherë me tendera të thjeshtë, gjatë gjithë kësaj kohe. Sterilizimi është një proces i thjeshtë, i cili mund të kryhet nga çdo personel i një salle operacioni, por edhe shumë i lirë. Një shërbim i cili mund të përmirësohet me një kosto të vogël, nuk është e llogjikshme të jepet me koncesion me një kosto të madhe.

– Së dyti, sa janë çmimet reference në vendet e tjera, dhe sa janë çmimet që qeveria i dha koncensionarit?

– Çmimet referencë variojnë nga vendi në vend dhe është e vështirë të gjendet një regjistër global (për procedurën e sterilizimit) pasi është një procedurë aq e lirë, saqë shumica e vendeve as nuk i hyjnë fare llogarive. Megjithatë, mund të them se sterilzimi i një seti kushton mesatarisht 0,8 euro në Gjermani, 1 euro në Turqi dhe me llogarinë tonë, 2,4 euro në Shqiperi. Ndërkohë, çmimi që shteti i paguan koncesionarit është mesatarisht 190 euro për 1 set kirurgjikal. Në fakt, ky çmim shkon edhe për përmirësimin e veglave kirurgjikale që privati ka bërë, një përmirësim të cilin mund ta bënte fare mirë vetë shteti. Me paratë qe shteti shqiptar i paguan koncesionarit çdo vit, mund të kishim modernizuar të gjitha këto pajisje kirurgjikale dhe t’i mbanim në gjëndje pune për më shumë se 10 vjet.

Megjithatë, mund të them se sterilzimi i një seti kushton mesatarisht 0,8 euro në Gjermani, 1 euro në Turqi dhe me llogarinë tonë, 2,4 euro në Shqiperi. Ndërkohë, çmimi që shteti i paguan koncesionarit është mesatarisht 190 euro për 1 set kirurgjikal.

– Cili është koncepti i cilësisë, me të cilin qeveria u justifikua në dhënien e koncensionit të sterilizimit të pajisjeve kurirgjikale?

– Koncepti i dhënies së koncesionit qëndron në konstatimet (pa një procesverbal të mirëfilltë) se aparaturat mjekesore janë degraduar nga ndryshku dhe duhen zëvëndësuar me të rejat, të paktën kështu thotë gojarisht ministria e Shëndetësisë. As nuk e vë në dyshim që ka pasur instrumenta kirurgjikale të dalë jashtë funksioni, por ato do kenë qënë në një numër jo të rëndësishëm, përndyshe do dëgjonim që kirurgjitë kanë ndaluar sepse nuk ka mjete. Edhe nëse i marrim të mireqena konstatimet e ministres, ato mund të justifikonin një tender të thjeshtë, por jo një PPP që kushton mbi 100 milionë euro.

– A ka bërë koncensionari të tilla investime që të justifikojë tarifën e 10 milionë euro në vit?

– Nuk e di sa mund të ketë investuar koncesionari, i mbetet SPAK-ut ta gjykojë këtë çështje, por une di të them se pagesa që ne i japim koncesionarit në 1 vit, është më se e mjaftueshme që të përballonim nevojat për instrumenta kirurgjikalë për një periudhë 10 vjeçare, në rang kombëtar. Nëse shohim çmimet e referencës në vendet e tjera, mund të them se nuk kemi të bëjmë me një investim që e justifikon këtë tarifë. Gjithsesi. i mbetet prokurorisë ta faktojë këtë observim.

A ka hapur vende të reja pune koncensionari për sterilizimin e pajisjeve të kirurgjisë dhe çfarë investimi do të përfitojë shteti pasi të mbarojë afati kohor i koncensionit?

Para kësaj PPP-je, procesi i sterilizimit kryhej nga personeli i çdo salle kirurgjie, në rang kombëtar. Pas dhënies së koncesionit, shumë nga ky personel i sallave operatore u hoq nga puna, me arsyetimin se tanimë sterilizimi kryhej nga privati dhe nuk kishte nevojë për aq shumë personel. Pra, mund të themi se dhënia me PPP nuk ka hapur vende të reja pune në mjekësi, përkundrazi, i ka zvogëluar ato. Nuk është e qartë se çfarë investimi do përfitojë shteti pasi të mbarojë ky koncesion, sepse deri atëhere, këto vegla kirurgjikale që ka investuar privati, mund të jenë amortizuar dhe të ketë nevojë për rinovim nga shteti. Instrumentat kirurgjikalë përdoren mesatarisht 10 vjet, rrjedhimisht, në përfundim të koncesionit instrumentat nuk do jenë njësoj si ditën e parë kur u blenë…dhe në kontratë nuk specifikohet që privati është i detyruar të lerë në përfundim të koncesionit, instrumenta kirurgjikalë të reja fringo.

Mungesa e meritokracisë ështeë katalizatori më i madh i këtij eksodi, i cili në vitet e fundit po rritet në nivele të frikshme…jo vetëm i mjekëve në fakt, por i të gjithë stafit mjekësor në përgjithësi

– Zoti Koni, a ju ka paditur ndonjë zyrtar për shpifje, meqë ju keni denoncuar koncensionin e sterilizimit  të pajisjeve kirurgjikale si korrupsion? 

– Në fakt nuk jam vetëm unë, jemi një grup qytetarësh që në emër të Nisma Thurje, kemi depozituar të SPAK një kërkesë për nisje hetimi në lidhje me këtë koncesion, kundrejt të cilit ka shumë pika të cilat lindin dyshime për një koncesion abuziv. Nuk kam pasur deri tani padi për shpifje nga ndonjë zyrtar specifik, jo për gjë por nuk kemi akuzuar specifikisht asnjë zyrtar. Se kush janë specifikisht zyrtarët e implikuar në këtë koncesion, i mbetet SPAK-ut ta hetojë dhe t’i thotë opinionit publik se kush janë zyrtarët e korruptuar.

– A ka motiv të punojë sot në shërbimin shëndetësor publik  një mjek, kur kërkesat e ofertës për punë në vendet e Bashkimit Europian e ftojnë të punojë andej?

– Motivet për të punuar në spitalet shtetërore janë zvogëluar me kalimin e kohës, dhe po zvogëlohen akoma më shumë pas këtyre koncesioneve. Patjetër që mjekët e kanë më të lehtë të ikin dhe të punojnë me nder në vendet e BE-së, sesa të përballen me një frymë të përgjithshme arrogance në përditshmërinë e tyre nëpër spitalet shtetërore. Profesioni i mjekut është i kërkuar në shumë vende të botës, kështu që një vend pune mjekët do e gjejnë kudo, por qëllimi është që ata të kontribuojneë në vendin e tyre e të mos marrin rrugeët e botës. Mungesa e meritokracisë është katalizatori më i madh i këtij eksodi, i cili në vitet e fundit po rritet në nivele të frikshme…jo vetëm i mjekëve në fakt, por i të gjithë stafit mjekësor në përgjithësi.

 -Faleminderit!