Kim Mehmeti: Gjykatësja, që duhet ta mbrojë Kushtetutën, shkon dhe bën betim në kafene

711
Sigal

Beteja mes kriminelëve që kontrollojnë politikën dhe politikanëve që kontrollojnë krimin

Nëse e shikoni Shqipërinë nga jashtë ajo ngjan si dy shtete në një. Si një shtet brenda shtetit që e drejton nëntoka politike dhe një shtet tjetër ku jetojnë shqiptarët e rëndomtë. Kjo Shqipëria e nëntokës politike është parajsë, sepse u ofron atyre komoditet, para, pasuri. Ndaj lufta është kaq mizore dhe nuk dorëzohen, nuk ka zgjedhje të parakohshme. Dhe ato të ‘kohshmet’ nuk bëhen si duhet, sepse kjo luftë është shumë e ashpër, ai që është në krye kontrollon të dy Shqipëritë. Shqipëria do ta ketë shumë të vështirë të dalë nga kjo krizë. Partitë politike janë shndërruar në gropa septike. Tani fillon beteja mes kriminelëve që kontrollojnë politikën dhe politikanëve që kontrollojnë krimin. Ka ardhur koha që të dyja palët ndihen të forta dhe nuk duan më ta ndajnë Shqipërinë me askënd, as këta të krimit nuk duan ta ndajnë me politikanët, as këta politikanët nuk duan ta ndajnë me krimin. Kjo më së miri shihet, se si funksionon Rilindja. Asnjëherë nuk do të dëgjoni nga Kryeministri, se si është Shqipëria për shqiptarët. Por ne jemi në një vijë me ndërkombëtarët, ne na përkrahin diplomatët. Ata e kuptuan që të mbeten të fortë, që të mund t’i mbajnë në dorë të dy këto Shqipëritë nuk është me rëndësi se çfarë mendon populli, por ndërkombëtarët. Si mund të kërkoni të ketë ndjeshmëri më të madhe në lexim, në një shtet ku gjithçka është konceptuar në politikë, në politikë bërje, se politika të pasuron, se edhe kur nuk ke lexuar asnjë roman në vit, të bën drejtor biblioteke, të bën të bëhesh ministër pa lexuar asnjë ditë. Ne jetojmë në vende ku nuk çmohet lexueshmëria. Libreza e partisë të bën më të lexuarin, madje edhe drejtor biblioteke. Në Shqipëri askush nuk është angazhuar që të bëjë shtet, por vetëm që të mbajë pushtet. Këta politikanët, pushtetarët e Shqipërisë të gjithë e dinë se si mbrohet pushteti, i dinë të gjitha intrigat, por asesi nuk e kuptuan edhe të shkojnë një hap tutje që të ndërtojnë edhe shtet. Ky konflikti i fundit për Gjykatën Kushtetuese, unë nuk jam gjykatës apo ndonjë njohës i mirë, por ka diçka që shihet edhe pa syzet e ekspertit, kur gjykatësja që duhet ta mbrojë Kushtetutën shkon dhe bën betimin në kafene, kjo tregon çdo gjë. Kjo tregon që ajo do bëhet gjykatëse e Gjykatës Kushtetuese në një vend ku kryeministri sillet sikur është drejtuesi i shtëpisë publike dhe jo i një shteti. Kur je kryeministër, ti je kryeministër edhe i kadrinjve, edhe i avdallenjve, edhe i gjenive, nuk je vetëm i të mençurve. Të pretendosh që të gjithë duhet të jenë të mençur sa ti, atëherë ti je më injoranti, sepse ti nuk e kupton vendin ku je ulur. Ajo është injoranca më e madhe.