KiE: Reforma dhe zgjedhjet, çelsi për daljen nga kriza

428
Sigal

Dy bashkëraportuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Andrej Hunko dhe Joseph O’Reilly, apel pozitës dhe opozitës që të nisin dialogun përReformën Zgjedhore dhe zgjedhjet e parakohshme si ccelsi për daljen nga kriza. Draftet e PS-PD dhe reagimi i Luan Ramës: Reformë Zgjedhore duke përfshirë 9 kushtet e Gjermanisë

Apeli i bashkëraportuesve të Asamblesë Parlamentare të KiE për Shqipërinë, Andrej Hunko dhe Joseph O’Reilly

Reforma zgjedhore, e shoqëruar më pas me zgjedhje, çelësi për zgjidhjen e krizës

Pas një vizite në Tiranë, bashkëraportuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) për Shqipërinë, Andrej Hunko dhe Joseph O’Reilly i kanë bërë apel të gjitha forcave politike të tregojnë vullnet për zgjidhjen e krizës politike që ka kapluar vendin.

“Ne ritheksojmë qëndrimin tonë se parlamenti është forumi për dialog dhe diskutim politik, dhe për këtë arsye bojkotimet dhe djegia e mandateve nuk duhet të kenë vend në një shoqëri demokratike. Në të njëjtën kohë, mazhoranca duhet të angazhohet në dialog të mirëfilltë me opozitën për reformat e rëndësishme dhe sfidat politike me të cilat po përballet vendi”, janë shprehur dy bashkë-raportuesit për Shqipërinë. Për më tepër, ata nxisin të gjitha forcat politike që të përmbahen nga çdo veprim që mund të rrisë tensionin dhe të minojë më tej pluralizmin politik në vend. Bashkë-raportuesit mirëpritën mendimin e fundit të Komisionit të Venecias për ‘fuqinë’ e Presidentit për të caktuar datën e zgjedhjeve. Ata shprehen gjithashtu shpresëplotë, se të gjitha forcat politike do të marrin në konsideratë përfundimet e tyre. Sipas tyre, reforma zgjedhore e ndjekur nga zgjedhjet e parakohshme, mund të jetë thelbësore për tejkalimin e krizës politike. Të gjitha forcat politike, përfshirë opozitën parlamentare dhe jashtëparlamentare, duhet të përfshihen plotësisht në procesin e reformës zgjedhore në mënyrë që të adresojnë mangësitë e shënuara gjatë zgjedhjeve të kaluara, dhe të vendosin një herë e përgjithmonë një kornizë për zgjedhje demokratike. Bashkë-raportuesit përshëndetën angazhimin e shprehur në mënyrë të përsëritur të autoriteteve për të reformuar gjyqësorin dhe sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Në lidhje me verifikimin e vazhdueshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve, bashkë-raportuesit vunë në dukje numrin e lartë të shkarkimeve dhe dorëheqjeve si rezultat i këtij procesi. Ndërsa, ata shprehnin shqetësimin se, më shumë se një vit pas fillimit të procesit, institucionet kryesore gjyqësore si Gjykatat e Larta dhe Kushtetuese, si dhe Prokuroria Speciale Kundër Korrupsionit janë ende vakante. Ata presin që në fund të këtij viti ky problem duhet të zgjidhet në fund të këtij viti. “Kjo është veçanërisht e rëndësishme në lidhje me krijimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila mund të luajë një rol të rëndësishëm në zbutjen e tensionit politik, pasi aktualisht nuk ka ndonjë arbitër të pavarur që të vendosë për kushtetutshmërinë e vendimeve dhe rezultatin e tyre nga autoritetet e ndryshme,” nënvizojnë bashkë-raportuesit. Bashkë-raportuesit shprehen të shqetësuar edhe për mediat në vend, situata me të cilat nuk shfaqet e mirë. Ata u bënë thirrje autoriteteve që të marrin parasysh të gjitha rekomandimet e bëra nga Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias në lidhje me projektligjin për media dhe shërbime, dhe të publikojnë këtë projektligj sa më shpejt.

Opozita: Administrata publike me nëpunës shteti është e pabesueshme për të administruar zgjedhjet

PS-ja në draftin e saj për Reformën e re Zgjedhore ka propozuar që administrata zgjedhore të mbushet me nëpunësit e shtetit, domethënë, të emëruarit e qeverisë të jenë ata që do mbikëqyrin procesin zgjedhor, do drejtojnë komisionet zgjedhore, do numërojnë votat, do raportojnë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Kjo do të thotë, që administrata zgjedhore nuk do të ketë në anëtarë partiakë, sipas raportit të forcave politike, por do të jetë tërësisht të emëruarit e qeverisë në administratën publike. Pra, qeveria do të ketë në dorë gjithë administratën zgjedhore. Ndërkohë, në shtetet e tjera, drejtuesit e komisioneve zgjedhore, numëruesit e votave janë gjyqtarë profesionistë, të paparti, por të përgjegjshëm për ligjin. PD-ja ka reaguar në lidhje me propozimin e PS që administrimin e zgjedhjeve ta bëjnë punonjësit e administratës publike. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, që drejton Grupin e Punës së Opozitës së Bashkuar për Reformën Zgjedhore është shprehur se Rama kërkon vetëm të tallet, e nuk ka ndërmend të bëjë reformë. ‘Edi Rama nuk ka ndërmend të bëjë një reformë zgjedhore që garanton lirinë e votës, por vetëm të tallet me OSBE/ODIHR, me Bundestagun, me shqiptarët. Ai synon të sanksionojë me ligj standardin e 30 Qershorit, ku administroi i vetëm procesin. Këtë qëllim ka edhe propozimi i PS që administrimin e zgjedhjeve ta bëjnë punonjësit nën varësinë e Edi Ramës. Administrata publike është e pabesueshme për të administruar një proces zgjedhor me standarde evropiane. Raporti i ODIHR-it ka provuar se punonjësit e administratës janë nën presion politik, si dhe është bërë e qartë se ajo është e mbushur me militantë të Partisë Socialiste. Përgjimet e dosjes 339 në Durrës dhe 184 në Dibër kanë sjellë fakte të pamohueshme se administrata, në kundërshtim me ligjin, është në shërbim të Edi Ramës, në përmbushje të objektivit për të vjedhur zgjedhjet. Propozimi i Edi Ramës që zgjedhjet t’i administrojnë vartësit e Edi Ramës në shërbimin publik, do të thotë që zgjedhjet të lihen në dorë të Arben Keshit, i cili u përfshi në masakrën elektorale në Dibër, ndërsa ishte Drejtor në Ministrinë e Brendshme; në dorën e Ivo Doçit, përgjegjësit të Ujësjellësit, i cili urdhërohej nga Avdylajt për të identifikuar punonjësit që votonin për PD dhe t’i kërcënonte ata me largim nga puna.

 

Luan Rama: Nuk mund të ketë Reformë Zgjedhore, duke iu kundërvënë kushteve të Gjermanisë

Vendimi i Këshillit Evropian që nuk miratoi çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE-në dhe kushtet e vëna nga Gjermania, imponojnë për qeverinë në radhë të parë e mandej edhe për gjithë klasën politike në vend, reflektim të menjëhershëm dhe përgjegjshmëri maksimale, për të bërë të mundur një reformë zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe që të garantojë të drejtën, që edhe qytetarët shqiptarë, si ata në të gjitha vendet demokratike, më në fund të mund të zgjedhin të lirë dhe me vullnetin e tyre sovran, për t’i rikthyer vendit parlamentin pluralist dhe legjitimitetin e institucioneve që burojnë prej tij. Mirëpo, kasta kriminale e pushtetit që është produkt i zgjedhjeve të kriminalizuara e të vjedhura nga bandat e krimit, në kundërvënie të plotë me rekomandimet e Bundestagut gjerman, po përpiqet përmes makinacionesh të shumtë (një prej të cilëve është edhe projekti më i fundit i Edi Ramës për të zëvendësuar komisionerët partiakë me partiakët e administratës publike), që të konvertojë bandat e vjedhësve të votave siç është dokumentuar me dosjet 339 në Durrës dhe 184 në Dibër, duke i emëruar ata komisionerë të zgjedhjeve. Banditët e zgjedhjeve e vëllezërit e tyre drejtorë në administratën publike, kriminelët e drogës dhe kushërinjtë e tyre deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetarët e bashkive të votimeve të paligjshme të 30 qershorit që po ikin njëri pas tjetrit, pasi kane plotësuar të vetmin kusht që iu është kërkuar nga klani politik që i kandidoi; ai i prejardhjes nga bota e krimit dhe mentorët e tyre politikë, nuk mund të jenë partnerë për te përmbushur kushtet e vëna nga Gjermania dhe për të plotësuar rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Reforma zgjedhore duhet të nisë me dënimin e tyre. Në të kundërt, nuk mund të ketë reformë zgjedhore, duke iu kundërvënë kushteve të vëna nga Gjermania.