Këshilli i Mandateve rrëzon kërkesën e PD për heqjen e mandatit të Leskaj-t

543
TIRANE – Mazhoranca në Këshillin e Mandateve vendosi të rrëzojë kërkesën e Partisë Demokratike për t’i hequr mandatin e deputetes socialistes Valentina Leskaj, me argumentin se ka konflikt interesi. Demokratët kanë denoncuar dy tendera që i janë dhënë dy djemve të deputetes Leskaj me vlerë në miliona euro. Kjo sipas sekretarit ë Përgjithshëm të Partisë Demokratike Arben Ristani është një taktikë që edhe ministra e deputetë të tjerë të mazhorancës kanë ndjekur duke hequr dorë nga kompani të mëdha e duka ja kaluar ato fëmijëve e prindërve të tyre.
Edhe pse të bindur se kërkesa e tyre do të rrëzohet edhe kur të kalojë për votim të enjten në Kuvend, demokratët lënë të nënkuptuar se nuk do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese siç ka ndodhur në raste të tjera. Arben Ristani tha në një prononcim për gazetarët pas mbledhjes, se qëllimi i opozitës ishte që qytetarët të shihnin atë që ai e quan “babëzi” për të fituar nga pasuria publike dhe t’i bashkohen kështu aksionit opozitar, protesta të cilat ende nuk kanë një datë të përcaktuar se kur do të mbahen nga PD-ja.
“Vazhdojnë të zhvasin pasuri publike, si në rastin e Beqajt, Kokëdhimës, ndërkohë kanë dalë në skenë dhe djemtë apo prindërit e deputetëve që marrin tendera qindra miliona euroshe nga pasuria publike. Të dy djemtë e Valentina Leskajt kanë përfituar tendera. Për ne është konflikt i hapur interesi, është ndalesë ligjore. As nuk prisnim që të pranohej kërkesa e PD, por të jetë e qartë për publikun që këta duan të përfitojnë miliona euro nga pasuria publike duke ja kaluar fëmijëve të tyre, prindërve e të afërmve. Edhe parlamenti me baëzi do ta rrëzojë kërkesën tonë. Zgjidhja do të jetë që populli të kuptojë se si është gjendja dhe të bashkohet me aksionin e opozitës për të përmbysur qeverinë, – u shpreh Ristani. 
Ndërkohë deputeti i Partisë Socialist Ulsi Manja tha se mazhoranca në këtë këshill argumentoi kërkesën e opozitës duke u bazuar në kushtet e kërkuara nga Kushtetuta, të cilat nuk shkelën në asnjë pikë. Megjithatë Manja tha se lind nevoja ër rishikimin e ligjit për konfliktin e interesit.
“Pati dy qëndrime, një që donte kryqëzimin politik të Leskajt dhe një kushtetues, sipas të cilit rasti në fjalë nuk përbën konflikt interesi dhe nuk jemi në kushtet e kërkuara nga kushtetua për ndërprerjen e mandatit. Pati mendime se ligji për konfliktin e interesit ka nevojë të sqarohet më tej për tu përputhur me kushtetutën. Për sa kohë kemi këtë kuadër ligjor jemi të detyruar ta respektojmë dhe të japim gjykimin tonë mbi Kushtetutën. Ne nuk ishim as për të mbrojtur zonjën Leskajn as për ta ndëshkuar atë. Ne si mazhorancën nuk mund të deformojmë qëndrimet tona kushtetuese për interesat politike të ditës”, u shpreh deputeti i Partisë Socialiste Ulsi Manja.
Sigal