Këshilli i Europës: Opozita nuk duhet të braktisë Parlamentin

Vendimi i deputetëve të opozitës për të hequr dorë nga mandati në Parlament është komentuar edhe nga sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, Thorbjorn Jagland.

Vendimi i partive të opozitës në Shqipëri për të hequr dorë nga mandatet parlamentare ka sjellë edhe reagimin e Këshillit të Europës.  Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, Thorbjørn Jagland deklaroi të enjten se opozita nuk duhet të braktisë Parlamentin.

“Në një demokraci legjislatori është shkalla e parë ku çështjet politike që prekin të gjithë vendin duhet të debatohen dhe ku duhet të kërkohen zgjidhjet. Opozita shqiptare nuk duhet të braktisë parlamentin,” deklaroi Jagland.

Sigal

Njësoj si përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare, edhe Këshilli i Europës bëri thirrje për përmbajtje nga retorika e dhunshme dhe dhuna në rrugë. “E drejta e tubimit dhe e demonstrimit duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore,” deklaroi Jagland.

Deputetët e Partisë Demokratike dhe ata të Lëvizjes Socialiste për Integrim vendosën të heqin dorë nga mandatet e tyre parlamentare, duke e akuzuar qeverinë e drejtuar nga Edi Rama për keqqeverisje dhe manipulim të votave. Kërkesa kryesore e tyre është largimi i Ramës, si dhe krijimi i një qeverie tranzitore për zgjedhje të lira. Vendimi për djegien e mandateve vjen 4 muaj para zgjedhjeve vendore dhe përbën një precedent të pandodhur më parë në Shqipërinë e tranzicionit. Partitë politike në opozitë u kritikuan të enjten edhe nga zyrtarët e lartë të Brukselit, të cilët thanë se vendime të tilla janë kundërproduktive dhe minojnë progresin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian.

Përmes një deklarate të përbashkët, Përfaqësuesja e Lartë Federica Mogherini dhe komisioneri Johannes Hahn kërkuan dialog konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës për kapërcimin e situatës aktuale politike.