Kërpaçi me LRI-në e Korçës: Të protestojmë nesër për të ardhmen tonë, për të ardhmen e rinisë së vendit

496
Sigal

Fjala e Kryetares së LRI-së, Floida Kërpaçi në takimin me strukturat e LRI-së në Korçë

Përshëndetje gjimnazistë, studentë, ekipit të të rinjve të Korçës. Në fakt nga protesta e studentëve kemi marrë një mesazh të gjithë. Kemi marrë mesazhin se studentët e bashkuar, të rinjtë e bashkuar nuk kanë frikë nga qeveria, por qeveria ka frikë nga studentët e bashkuar. Në 2013 kryeministri premtoi 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për arsimin. Çfarë bëri? Mashtroi. Premtoi 300 mijë vende të reja pune. Çfarë bëri? Mashtroi. Sot thirrja për dialog që shkon për studentët është një mashtrim, prandaj dhe studentët e bashkuar janë të vendosur për 8 kërkesat e tyre, të cilat janë kërkesa minimale dhe është detyrim i shtetit për t’i zbatuar ato.

Nesër është dita e të rinjve. Unë si e re bashkë me ju të gjithë studentë, gjimnazistë e të rinj që jemi këtu, kemi një detyrë shumë të madhe për të shkuar tek prindërit tanë, për të shkuar tek çdo komshi, për të shkuar tek çdo njeri i cili sot nuk ka mirëqenie në familjen e tij. I cili sot nuk ka mundësi të paguajë tarifën e lartë të shkollës, që nuk ka mundësi të jetojë në kushte të barabarta, apo në ato kushtet skandaloze ku 500 veta do duhet që të ndajnë 4 tualete. Për këtë realitet që jetojmë ne si të rinj sot, duhet t’i themi stop dhe nesër të bashkohemi çdo qytetar anë e mbanë vendit për studentët me studentët, me të ardhmen e vendit. Me shpresën e vendit për t’i dhënë fund sistemit të antivlerave dhe për të hapur një kapitull të ri. Kapitullin e sistemit të vlerave, ku ju si të rinj me potencial, me energji, të rinj që doni të jepni për vendin tuaj të vlerësoheni. Dhe jo të vlerësohen të rinj të cilët kanë marrë modelin e të qenit trafikant dhe modelin e të qenit i korruptuar. Pse? Sepse këtë model ka ofruar ky kryeministër, ku mjafton ta klikoni dhe ta kërkoni.

46% e buxhetit shkon për ata 5 oligarkë që e keni dëgjuar të thuhen nëpër televizore. Po po, 46% shkon për ata dhe 1% që kërkojnë studentët, çfarë bëhet nuk jepet. Por 2 amendamentet e LSI-së votohen kundër me krenarinë më të madhe. U votua kundër 140 mijë studentëve. U votua kundër dyfishimit të buxhetit. U votua kundër përmirësimit të kushteve në konvikte dhe uljes së tarifave. Prandaj dhe nesër të jemi bashkë më të fortë se kurrë më studentët, për studentët, me prindërit tanë, me çdo qytetar të Korçës të vijnë dhe të bashkohemi në Tiranë. Të protestojmë kundër kësaj qeverie, për të ardhmen tonë, për të ardhmen e rinisë së vendit. Faleminderit.