Kërkesat e Opozitës për reformën e re zgjedhore

465
Sigal

Gjithnjë e më shumë shtohen zërat e deputetëve të Opozitës, që deklarojnë se nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme me kryeministër Ramën, ndërkohë që procesi i reformës së re zgjedhore ka ngrirë, për shkak se opozita nuk merr pjesë më në parlament. Opozita nuk ka deklaruar as bojkot të parlamentit, por ka pranuar se do të marrë pjesë në zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019. Afati i përfundimit të procesit të reformës së re zgjedhore kalendarisht skadon në fundvitin e 2018 dhe kjo e vë opozitën edhe përpara detyrimit që të marrë pjesë, të paktën, në Komisionin Parlamentar të Reformës Zgjedhore. Opozita kërkon që të fillojë edhe vettingu në politikë, për shkatërrimin e lidhjeve të politikës me krimin elektoral, ose të largohet Edi Rama si ideatori dhe organizatori i blerjes së votave dhe angazhimit të klaneve mafioze në zgjedhje për tjetërsimin e rezultatit zgjedhor”. Përndryshe në Shqipëri nuk do të mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme, e për rrjedhojë as stabilitet politik e social. Natyrisht opozita e prirur për të realizuar “rrugën e butë” anti-manipulim të zgjedhjeve, pra që do të garantonte zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme ka insistuar për zhvillimin e një reforme zgjedhore të vërtetë, që do të kalonte, ndër të tjera, edhe përmes kryerjes së ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, gjithëpërfshirëse e konsensuale. Konkretisht disa nga ndryshimet që ka kërkuar opozita janë: ndalimi i blerjes së votave, largimi i individëve me rekorde kriminale (dekriminalizimi), shkatërrimi i kapjes së shtetit nga oligarkia dhe klanet mafioze (vetingu politik); identifikimi biometrik i votuesve, votimi e numërimi elektronik; kontrolli i shpenzimeve financiare gjatë fushatës elektorale; ndalimi i përdorimit të mjeteve administrative gjatë fushatës elektorale, eventualisht ndryshime me konsensusin e të gjithë forcave politike të sistemit zgjedhor, diskutimin gjithëpërfshirës për pjesëmarrjen e emigrantëve në zgjedhje, reflektimin e të gjithë rekomandimeve të OSBE-ODHIR; e tjerë.