Kemi pritmërinë që në 6 muajt e ardhshëm të çelim negociatat e anëtarësimit me BE

699
Presidenti Ilir Meta organizon në afreskun e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu pritjen tradicionale për Trupin Diplomatik
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta mikpriti sonte në pritjen tradicionale të Vitit të Ri për Trupin Diplomatik: Ambasadorë, diplomatë, Konsujt Nderi dhe përfaqësues të vendeve dhe organizatave ndërkombëtare të akredituara në Shqipëri, Ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati, deputetë të Kuvendit, ish-Ambasadorë shqiptarë ndër vite, drejtues institucionesh dhe ekspertë ndërkombëtarë, etj. Kjo pritje e dhënë nga Presidenti i Republikës u mbajt në Pavijonin e Mesjetës të Muzeut Historik Kombëtar, në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut. z.Ilir Meta duke falënderuar Ambasadorin Zariç për urimet që përcolli për Shqipërinë dhe për të si President, në emër të Trupit Diplomatik, ai vlerësoj njëkohësisht kontributin e secilit prej ambasadorëve, Konsujve të Nderit,deputetëve dhe të pranishmëve në këtë takim. Më tej Presidenti Meta iu drejtua përfaqësuesve të trupit diplomatik dhe të ftuarve të nderit theksojë se: Duke besuar në përfaqësimin e përgjegjshëm e dinjitoz dhe në lartësinë që meriton vendi apo organizata juaj, dua të shpreh optimizmin se falë edhe bashkëpunimit tuaj, 2018 do të mund të shënojë suksese të rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ndodhen ata. Shqipëria ka hyrë në vitin Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut, i cili ka një peshë dhe rëndësi madhore në historinë dhe identitetin tonë kombëtar. Siç do të pohonte Fan Noli dikur, “Nuk e di, nëse ka ndonjë njeri po aq të gjallë sot sa Skënderbeu”, unë do të shtoja se nuk e di të ketë ndonjë personalitet kaq përbashkues e frymëzues për të gjithë bashkëkombësit e mi sa heroi ynë kombëtar. 

Shqipëria ndodhet në një moment kyç të rrugëtimit të saj evropian. 
Ne kemi pritmërinë legjitime që në 6-muajt e ardhshëm të çelim negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian. Është me rëndësi jetike për Shqipërinë dhe rajonin tonë të ndërtohet një agjendë gjithëpërfshirëse dhe me afate inkurajuese anëtarësimi në BE. Ndaj, në vigjilje të shpalljes së strategjisë së re të zgjerimit, kërkojmë ndaj partnerëve tanë evropianë: Komisionit, vendeve anëtare, Parlamentit, për ta konsideruar me peshën e merituar politiko-strategjike vendimin për kalendarin e ri të zgjerimit të BE-së drejt rajonit tonë. Qytetarët tanë së pari por edhe gjithë partnerët presin ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë në respekt të ndryshimeve kushtetuese të realizuara me konsensus. Niveli i pavarësisë së institucioneve mbetet barometri më i saktë i standardit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Viti 2018 shënon 100-vjetorin e përfundimit të Luftës së Parë botërore, dhe në mbarë botën do të flitet për mësimet që na jep historia. Për shqiptarët, ky përvjetor rifreskon rolin vendimtar të Presidentit amerikan Uillson për mbijetesën e shtetit shqiptar. Me këtë rast dua të rikonfirmoj mirënjohjen e thellë për miqësinë e fortë që SHBA i kanë ofruar Shqipërisë dhe shqiptarëve për më shumë se një shekull. 
Viti 2018 shënon edhe 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. 
Qytetarët e saj meritojnë, ashtu si të gjithë qytetarët e rajonit të gëzojnë lëvizjen e tyre të lirë dhe unë besoj se autoritetet e Kosovës do të tregojnë përgjegjshmëri për të ndërmarrë hapat e duhura që kjo çështje të zgjidhet duke përmbyllur marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi sa më parë. Vrasja barbare dy ditë më parë e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviç, është një atentat ndaj paqes, stabilitetit dhe bashkëjetesës në Kosovë. Zbardhja e menjëhershme e këtij krimi është e domosdoshme dhe urgjente, jo vetëm për ndëshkimin e autorëve, por edhe për të paralizuar çdo skenar destabilizues. Dialogu Prishtinë-Beograd është jetik, jo vetëm për të dy vendet, por për qëndrueshmërinë dhe të ardhmen evropiane të rajonit. 
Zhvillimet pozitive në Maqedoni janë inkurajuese.
Miratimi i ligjit për përdorimin e gjuhëve tregoi vullnetin e qeverisë maqedonase për të përmbushur një nga angazhimet kyçe të Marrëveshjes së Ohrit. Këtë vit do të festojmë edhe 110-vjetorin e mbajtjes së Kongresit të Manastirit, si një akt i rëndësishëm, jo vetëm për shqiptarët, por dhe për të ardhmen evropiane të Maqedonisë, si një kontribut për bashkëjetesën ndëretnike dhe forcimin e një shoqërie demokratike. Pas anëtarësimit të Malit të Zi, anëtarësimi i Maqedonisë në NATO do të ishte një ngjarje historike për të gjithë rajonin dhe një gur themeli për sigurinë dhe të ardhmen evropiane të tij. 
Bashkimi bën Fuqinë
Jemi mbledhur këtu në këtë sallë domethënëse e pranë këtij afresku të mrekullueshëm, jo vetëm për të kujtuar madhështinë e veprës së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut, por edhe për të kujtuar mësimin më të madh që ai na ka lënë se “Bashkimi bën Fuqinë”.
Sigal