Kejdi Mehmetaj: Qytetarët, udhëheqësit e protestës deri në rrëzimin përfundimtar të Ramës

532
Sigal

Intervista/ Flet deputetja e Lëvizjes Socialiste për
Integrim

Pas aktit të parë të mosbindjes civile do ta vazhdoni këtë
rrugë të ‘kryengritjes’ qytetare?

Sigurisht, që po. Qytetarët duhet të gjejnë forcë dhe guxim
brenda vetes dhe të jemi shpresëplotë se rrëzimi i një qeverie që po i bën
shumë keq shqiptarëve do të jetë një luftë që do ta fitojmë. Shoqëria civile
është duke organizuar marshime dhe protesta.

Çfarë do të bëhet me banorët?

Qëndrimet tona lidhur me të gjithë situatën që u krijua në
Kukës janë shumë të qarta. Edhe në Kuvend në seancën e para 10 ditësh kanë qenë
14 deputetë të Lëvizjes Socialiste për Integrim që kanë folur dhe kanë dhënë
mbështetjen e tyre. Ne kemi disa pika të panegociueshme në mbështetje të
banorëve atje. E para është lirimi i menjëhershëm i 11 të burgosurve. E dyta
është heqja e taksës së Rrugës së Kombit.
Për banorët e
Kukësit kjo duhet të jetë e pa mendueshme. Aty ka vetëm një tra dhe aty nuk
duan t’ia dinë nëse banori ka bërë 0.5 kilometra apo ka përshkuar të gjithë
rrugën. Ne i kemi dëgjuar të gjitha shqetësimet dhe faktet e pakundërshtueshme
që banorët kanë dhënë mbi pamundësinë e tyre për ta bërë këtë pagesë. Për ta
edhe 50 lekë të vjetra janë tepër. Ajo është rruga e tyre dhe nuk kanë një
rrugë alternative.

Qëndrimi juaj
si është, të mos ketë taksë vetëm për kuksianët?

Ne gjykojmë që aq shumë taksa sa ne
paguajmë për mirëmbajtjen e rrugëve të Shqipërisë dhe aq shumë para’ sa janë shpenzuar
për t’u ndërtuar pikërisht ajo rrugë, nuk duhet të ketë asnjë pagesë, asnjë
rrugë, asnjë taksë, çfarëdo emri t’i vëmë për të kaluar në atë rrugë. Të paktën
jo deri në momentin që do të ketë një rrugë alternative, e cila do të krijojë
shanse më të mira për qytetarët për ta përdorur dhe atë në rast se nuk do
kalojnë nga ajo rrugë. Kjo është e para. E dyta, ne kërkojmë lirimin të
menjëhershëm të 11 kuksianëve, të hasianëve, tropojanëve, që janë të arrestuar.
Unë nuk e di se si vetë Kryeministri 
doli si i penduar, e quajti të drejtë protestën e banorëve atje.
Dhe tani vazhdon i mban ata në burg.
Por kjo është e papranueshme.

Nuk i liron Kryeministri…

Ju si mendoni, si ndodhi gjithë ajo procedurë? Ishte e
iniciuar nga prokuroria? Unë isha në seancë, 2 mijë oficerë policie,
shtetrrethim. A thua aty po kalonin kriminelë të rrezikshëm. A mendoni ju që
ajo ishte jopolitike? Absolutisht që ishte politike, absolutisht që ishte me
urdhër të Edi Ramës. Ai ishte me urdhër të Kryeministrit, ashtu si Edi Rama ka kapur
drejtësinë me manovrat që ne kemi parë, me zgjedhjen antikushtetuese që bëri me
Prokuroren e Përgjithshme që bëri në Parlament në dhjetor. E thonë dhe në
Amerikë, që në fakt në Shqipëri është investuar që qeveria të kapë sistemin e
drejtësisë. Ne që jetojmë këtu, ne që e shohim dorën e hekurt të Edi Ramës në
sistemin e drejtësisë, e ndjemë në atë seancë, pamë se si djem, burra
tërhiqeshin zvarrë nga shtëpitë e tyre në mes të natës, për të krijuar terror,
për të krijuar frikë te qytetarët që të mos ngrihen dhe protestojnë. Bëhen
procesverbale dhe dokumente duke thyer ligjin. Sepse ti nuk mund të shoqërosh,
të arrestosh qytetarët në orën 2 të natës dhe të shkruash në procesverbal sikur
e ke bërë në orën 10 të drekës. Janë të gjithë këto procedura dhe një gjyqtare,
që atje ishte si një zëdhënëse e Rilindjes të Edi Ramës që jepte verdiktin për
qytetarët, që protestonin në mënyrë legjitime. Kështu që, për ne e para është
heqja e tarifës për këdo që kalon në Rrugën e Kombit, lirimi iu menjëhershëm i
11 të shoqëruarve, largimi i Forcave Speciale nga Kukësi, dhe pastaj lista
vazhdon me disa probleme ekonomike, që e kanë mpirë vendin, që i kanë pirë
gjakun vendit, siç është TVSH-ja për biznesin e vogël. Ju e dini që janë
paralelisht 200 apo 300 biznese që kanë mbyllur qepenat për të protestuar.
Ashtu siç unë e kuptova nga deklaratat e tyre ishte një vendim i bizneseve të
vogla, për të qenë në protestë, sepse xhiroja e tyre vjetore e bënte të
pamundur për ta të gjenin mundësi financiare për të mbajtur dikë tjetër në
punë, për të paguar TVSH-në në shtet duke ditur që të gjitha hallkat e sistemit
nuk funksionojë. Këto janë pikërisht mënyra për të mbytur biznesin e vogël që
sërish të plotësohet dëshira e Edi Ramës, ku bizneset e mëdha ose ndryshe
oligarkët, të jenë pas tij dhe të jenë pikërisht ata që të mbizotërojnë dhe
sundojnë në Shqipëri.

Ju thatë në
fakt se akte te tilla të dhunshme ndodhin kudo në botë dhe njerëzit nuk mund të
arrestohen. Ish-kryetari i LSI dhe aktualisht Presidenti i Shqipërisë, z. Meta,
ka folur kundër çdo akti dhune. Si e komentoni këtë?

Unë dua të them që Presidenti në një
komunikatë tjetër tha se është e patolerueshme kjo gjuhë arrogante. Mendoj që
ky është roli i Presidentit, ku nuk duhet të qëndrojë mes palëve, por të jetë
një figurë unifikuese për popullin. Nuk habitem nga deklaratat e tij, por dua
të them se nuk kam përse të kem të njëjtin gjykim me të, pavarësisht faktit se
ka qenë ish-kryetari i LSI. Unë do ta ftojë Presidentin që të shkojë e të
takojë banorët e Kukësit, por gjithashtu të shikojë edhe situatën aty.
Gjithsesi, nuk mund të komentoj Presidentin pasi nuk është detyra ime, thjesht
unë bëj një koment politik. Dua të ftoj gjithsecilin prej jush, jo vetëm në
Kukës, por edhe nëpër fshatra, ku të shikoni se si jetojnë njerëzit.

Faktikisht
duhet të shkojë qeveria atje, ligjvënësit, ata që me taksat e qytetarëve duhet
të përmirësojnë dhe ndryshojnë këtë situatë.

Atëherë, ne këtu duhet të bëjmë një
ndarje të madhe nëpërmjet asaj pjese të politikës që është sot në qeveri dhe
pjesës tjetër që jo thjesht është në opozitë, por që është afër qytetarëve dhe
interesave të tyre. Këtu fillon ndarja. Pjesa e parë, pra mazhoranca na ka vënë
nën hijen e saj dhe ne të tjerëve pa u kuptuar dhe puna që në të vërtetë
opozita bën. Ne jemi çdo ditë në terren dhe kontakt me qytetarët, pranë
kërkesave por edhe halleve të tyre. Unë nuk kam biznes, ku nuk mund ta di se si
vuan biznesi i vogël. Unë nuk jam vetë pensioniste dhe nuk e them vetë që atyre
nuk i dalin paratë për të paguar ujin, dritat e ilaçet. Pra, këto janë probleme
që ne i marrim nga qytetarët dhe pikërisht për ta ne ngremë edhe zërin. Besoj
se ju e keni ndjekur me vëmendje ato çfarë kanë thënë edhe kryetarja jonë, znj.
Kryemadhi, por edhe z. Basha dhe z. Vasili, që nuk jemi ne ata që po e drejtojmë
këtë proces. Janë qytetarët shqiptarë, ata që po e bëjnë këtë gjë. Po të
shihni, kudo nëpër Shqipëri ka vatra të mosbindjes civile, si pasojë e
angazhimit qytetar dhe jo të politikës. Një opozitë nuk mund të ngrejë në këmbë
një popull të tërë nëse kauzat, për të cilat po flitet nuk rëndojnë pikërisht
te vetë ata. Dhe bllokimi i katër akseve rrugore u bë pikërisht nga qytetarët.
Po të shikoni, në këto akse të bllokuara për rreth dy ore e tridhjetë minuta,
ku nuk ka lëvizur asnjë automjet, përveç emergjencave që patëm, a dëgjuat ju
sikur vetëm një bori makine të binte?

Ju po thoni që
edhe ata që ndaluan për shkak të bllokimit të rrugës ishin dakord me këtë
mosbindje civile?

Ne i takuam ata, i kërkuam ndjesë,
sepse padyshim edhe vetë kryetarja e tha që bllokimi i rrugës nuk është për
shqiptarët, por për këtë qeveri të narko-trafikut, e cila po bllokon zhvillimin
dhe ecjen përpara të shqiptarëve.
Madje, drejtuesit e këtyre automjeteve dilnin prej tyre dhe
bashkoheshin me protestën.

Mirëpo ka pasur edhe nga ata që kanë dashur të kalojnë dhe
të mos bëheshin pjesë e kësaj mosbindjeje civile…

Unë isha aty dhe përveç rasteve të urgjencës nuk pashë asnjë
qytetar nga ato që ishin në automjete që ishin kundër protestës. Qytetarët janë
të revoltuar, ka arritur në pikën që nuk përballohet dot më. Dhe kur shohim nga
ana tjetër edhe arrogancën e këtij Kryeministri, që në parlament i krahason
organet gjenitale të një mashkulli, më besoni që aty ka ardhur fundi.

A mendon që ka një lloj ndarjeje mes shoqërisë civile dhe qytetarëve
të cilët vendosën të protestojnë veçmas duke mos u bërë pjesë e mosbindjes
civile të organizuar së fundmi? A nuk mendoni se ka qytetarë, të cilët mund të
duan të mos njollosen politikisht?

Ju keni pamjet, a kishit ndonjë logo partie? Ka një arsye
thelbësore se përse politikanët ishin në krye të asaj proteste, që Edi Rama të
mos shkojë me vasalët, me mercenarët e tij të burgosë qytetarët natën, ashtu
siç bëri me qytetarët e Kukësit. Pra, e vetmja arsye se pse politikanët ose
deputetët më saktë ishin në krye, ishte vetëm kjo: Nëse ka njeri që duhet të
arrestohet, këta jemi ne. Hajdeni na arrestoni!

Në mos gabohem, ka pasur procedime penale për disa deputetë
dhe qytetarë që morën pjesë në bllokimin e rrugëve…

Këtu kthehemi edhe njëherë në mënyrën se si prokuroria,
policia është kapur nga Kryeministri dhe qeveria e tij. Unë isha personalisht
në Elbasan, por kemi qenë me të gjithë kolegët në të gjitha protestat, nuk pati
asnjë qytetar që denjoi të shkaktonte incidentin më të vogël. Kjo është forma që
ata kanë zgjedhur për të intimiduar qytetarët, prandaj ne ishim atje. Aty nuk
kishte flamuj partie, aty kishte vetëm flamuj shqiptarë. Fakti që çdo ditë do
të ketë një protestë të re, kjo nuk do të thotë që ne jemi të ndarë. Ky nuk
është momenti për ndasi partish. Sa më shumë angazhim qytetar të kemi, aq më e
fortë do të jetë demokracia dhe aq më e mirë do të jetë Shqipëria. Në këtë
aspekt, është e mirëpritur çdolloj proteste, e cila do të shërbejë për të
zhvilluar vendin.

Kryetarja e
LSI-së, znj. Kryemadhi, e ftuar në një ekran televiziv, ka deklaruar që Edi
Rama duhet të ikë vetë.
Nëse
nuk e bën duhet larguar me luftë… Çfarë do të thotë ‘me luftë’?

Ja, kjo do të thotë, që qytetarët të jenë të gjithë në
rrugë. Ta ndalojnë të hyjë në Parlament, ta ndalojnë të hyjë në Kryeministri,
të ndalojnë ministrat të hyjnë në zyrat e tyre.

Përse nuk
bllokuat Kryeministrinë atëherë?

Pikërisht ky do të jetë një nga hapat e
ardhshëm. Byroja politike e Kuvendit do të kishte bërë një veprim të mirë për
të çtensionuar situatën, duke dënuar Edi Ramën, duke mos e lejuar që të hyjë në
Parlament për të paktën 10 ditë. Kështu nuk do ishim të detyruar ta pengonim ne
vetë që ai të hyjë në Parlament. Por, ja që nuk e bën.

A nuk ju duket
qesharake mbledhja e Byrosë? Kishit vërtet shpresë që Byroja e Kuvendit, duke
pasur maxhorancën, të vendoste përjashtimin e kreut të qeverisë?

Unë kam qenë në atë Byro në dhjetor dhe
jam dënuar që të mos marr pjesë në Parlament, sepse mbrojta Kushtetutën në
Parlament dhe pse një nga mercenarët e Edi Ramës ushtroi dhunë në Parlament në
mënyrë të pakontrolluar. E për këtë u përjashtova nga Parlamenti për pesë ditë,
pa asnjë motiv. Unë e besoj që në radhët e mazhorancës ka deputetë, të cilët
janë të ndershëm, punëtorë, jo të gjithë janë pjesë e pazareve të Edi Ramës. Ne
mund të na ndajnë partitë, por absolutisht që kjo nuk na pengon të jemi miq me
njërin-tjetrin. Por, me sa duket, frika e Edi Ramës i ka frikur edhe ata. Edhe
ata kanë qenë në trysni. U ndjeva shumë keq të dëgjoja një kolege deputete në moshën
e nënës sime që të thotë se, ishte normale, sepse ajo ishte një poezi. Nëse në
shtëpinë e zonjës Hysi është normale dhe përdoren këto metafora dhe nuk
krijojnë asnjë problem, në shtëpinë time dhe të të gjithë shqiptarëve, jo vetëm
që nuk përdoren, por janë një turp i vërtetë. Nuk mund të ofendosh qytetarët e
tu, duke i krahasuar në atë lloj forme.

Ti je
politikane e re, por ndoshta do duhet të mbash mbi shpatulla edhe përgjegjësinë
e gjithë politikës që bën vetë LSI-a. Ti the që nuk mund të ketë në asnjë
mënyrë taksë në Rrugën e Kombit. Edhe motivet janë shumë të qarta. Edhe unë
vetë si qytetare e mendoj si të papranueshme këtë gjë, por realisht kjo
marrëveshje me koncesionarin është bërë në kohën kur ministër ka qenë z.
Haxhinasto, është firmosur nga Sokol Dervishaj. Përse nuk e kërkuat më përpara
këtë gjë? Përse nuk e kundërshtuat më përpara?

Ju e dini se përse janë zvarritur
procedurat, qoftë edhe me urdhër të Kryeministrit, sepse nuk gjendeshin termat
e përshtatshëm në mënyrë që të mos rëndohej xhepi i qytetarëve shqiptarë. Dhe
LSI bëri të mundur këtë dhe paralelisht, pa u vendosur që ky koncesion të
firmosej, ka propozuar në Parlament një ligj për koncesionet dhe PPP-të, i cili
ka dy vite që fle në sirtarët e parlamentit, sepse Rilindja e asaj kohe dhe e
kësaj dite nuk pranon ta sjellë në parlament dhe ta votojë. Ky ligj për të
kontrolluar koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat në një spektër më të
gjerë, në momentin që do kalonte, do ta bënte të pamundur që ky koncesion të
kalonte. Pra, ne në aksionin tonë, qoftë edhe të atëhershëm, kemi qenë në të
njëjtën linjë mendimi me këtë që themi sot. Edhe nëse rruga ka nevojë për
mirëmbajtje, gjë që është normale, le të ketë një koncesion, le të ketë një
partneritet, le të ketë një tenderim, sido që ta quajmë, duhet të jetë buxheti
që duhet të paguajë Partneritetin, sepse aktualisht nga taksa e qarkullimit
buxheti i shteti fiton një sasi të konsiderueshme parash. Një pjesë e saj le të
shkojë për të mirëmbajtur Rrugën e Kombit dhe për rrugë të tjera.