Kapitullon PS, PDIU dhe LSI kërkojnë drejtoritë kryesore

432
Sigal

PS në Elbasan dhe Durrës humbet terren, militantët në alarm

 Ajo që po ngjet javët e fundit me degët e PS në rrethe, mbetet padyshim shqetësimi kryesor i kryesisë qendrore të kësaj partie. Pas ardhjes me urgjencë të Musa Ulqinit dhe Blendi Klosit, në Elbasan, apo e Taulant Ballës në Durrës pritet ardhja e Gramoz Ruçit, që njihet edhe si “dora e fortë” e PS kur kjo parti ka pasur dhe ka kriza në rrethe. Realisht pas afrimit të PDIU, edhe LSI ka rritur oreksin e saj në marrjen e më shumë posteve drejtuese në disa institucione në Elbasan dhe Durrës. E ndërsa Elbasani po reziston duke mos lejuar dhe toleruar marrjen e 4 drejtorive nga LSI dhe PDIU, duket se PS e Durrësit mbetet e pafuqishme dhe konfuze. Shumica e kryesisë së PS në Durrës, pothuajse po ikin tek LSI, kurse dhjetëra militantë kanë disa muaj që janë pajisur me teserën e Ilir Metës. Radhitja e drejtoreshës së Arsimit të Durrësit në radhët e LSI (pas ikjes në qershor nga PS) u ka hapur rrugën dhjetëra të tjerëve. Drejtoria e Spitaleve, e Bujqësisë, Bordi Kullimit dhe Baseneve Ujore, Drejtorinë e Shëndetit Publik dhe Parësor, si dhe 14 shefa kuadri në disa institucione, janë disa prej kërkesave të PDIU dhe LSI në Durrës, të cilat pritet të marrin “OK” nga Rama për punë ditësh. Emërimet nepotike, aferat korruptive dhe emërimet pa kriter politik dhe profesional, duket se po i japin grushte të forta PS në Durrës. Por një situatë aspak premtuese ka edhe PS në Elbasan. I vetmi njeri, politikan dhe deputet, rreth të cilit janë bashkuar vlerat e kësaj partie, dhe që po i mban të rreshtuar jo vetëm në struktura por edhe në organizatat e bazës, ai është Ben Blushi. Reputacioni që Blushi ka në Elbasan ndoshta po ndikon pozitivisht për të mos shkëputur lidhjet e degës lokale me bazën e pakënaqur, lidhjen e drejtuesve të emëruar nga ushtria e madhe e cila prej një vend pune prej 1 viti në atë qytet, ku mbi 99 për qind janë militantë socialistë. Por defekti dhe shkaku kryesor i pakënaqësive të bazës socialiste në Elbasan, ka qenë dhe mbetet edhe përçarja e grupit të deputetëve, anësia e tyre krahinore, fisnore, shoqërore, duke lënë pas dore dhe pas dere, qindra militantë të cilët presin prej 1 viti dhe pothuajse çdo të premte të takohen dhe të zgjidhin hallet dhe problemet e tyre me ligjvënësit që votuan. Çorientimi dhe çoroditja e strukturave socialiste në degët lokale të Durrësit dhe Elbasanit, ngjan si dy pika uji. E ndërsa “mësymja” e LSI dhe PDIU duket se po merr edhe bekimin e kryesisë qendrore, kaosi dhe përçarja mes deputetëve dhe bazës, mes drejtuesve dhe strukturave të PS po thellohet. Selitë e PS në këto dy qytete ngjajnë me selitë e PD përgjatë 8 viteve të pushtetit të saj. Pothuajse asnjë ditë të javës, në selitë e PS në këto dy qytete, nuk do të takosh asnjë prej drejtuesve lokalë, madje as edhe ndonjë militant socialist, pasi shumica e tyre duke humbur besimin, po dynden drejt selive të LSI dhe PDIU. Çdo pasdite tek selia e re e LSI në Elbasan do të takosh me qindra militantë të PS. Ata priten nga mëkëmbësit e Edmond Haxhinastos, qerasen edhe ndonjë kafe, dhe u premtohet një vend pune, por paraprakisht duhet të bëhen anëtarë të LSI. Sipas kësaj strategjie të mirë studiuar politikisht, LSI në Elbasan në fund të mandatit të parë qeverisës , do ti ketë marrë PS mbi 30 per qind të anëtarësisë saj, duke synuar nxjerrjen e saj në minorancë elektorale. E njëjta gjë po ndodh edhe me Durrësin, ku selia e Lefter Kokës në qendër të qytetit, nuk mbetet kurrë bosh. Çdo ditë, paradite dhe pasdite, sekretarët e LSI lokale presin dhe përcjellin, premtojnë dhe punësojnë në Portin Detar, Ujësjellës, Agjencinë e Mjedisit, Arsim etj., dhjetëra e dhjetëra militantë të konvertuar. Por duket se kjo gjendje do të ketë kosto për PS në zgjedhjet e afërta lokale ku pritet të lindin dhe të bëhen “krushqi” dhe pazare por kësaj here do të jetë LSI e Metës që do të jetë maxhoranca e re elektorale, ku padyshim do të ketë edhe fituesit e saj me shumicë në bashkitë e komunat e vendit. Pavarësisht pakënaqësive dhe një qëndrimi të heshtur por jo të padukshëm antimetë, duket se LSI dhe aleancat e saj po shkatërrojnë pak nga pak çdo degë lokale të PS në rrethe.

Tefik OSMANI