Kandidati i shkruan Yuri Kim: Vajzat e mia del se kanë votuar më 25 prill, ndërkohë që janë në Gjermani dhe Itali

291
Sigal

Gjergj Thanasi, një prej kandidatëve në këto zgjedhje, në një letër publike drejtuar Ambasadores së SHBA shprehet se këto zgjedhje janë manipuluar keq dhe kanë prodhuar rezultat të deformuar.
Ai shprehet se në Durrës, në qendrën e tij të votimit rezulton se kanë votuar dhe dy vajzat të tija, të cilat më 25 prill ndodheshin në Itali dhe në Gjermani.
“Madam Ambasadore në këto zgjedhje mua mu numëruan vetëm 3 (tre) vota të fituara në Qarkun Durrës. Dy prej tyre në QV numër 1452/2, ku kam votuar edhe unë me bashkëshorten time. Gojët e liga po thonë, që në këtë qendër votimi kanë votuar edhe dy vajzat e mija me numër votuesi perkatësisht 481 dhe 482.
Madam Ambasadore Kim, unë nuk e kam problem që dy vajzat e mija nuk kanë votuar alternativën e Koalicionit ABEOK të kryesuar nga z. Kujtim Gjuzi, madje nuk kanë votuar as për mua, babain e tyre. Unë si baba i tyre kam problem që vajzat e mija duke qenë studente jashtë shtetit përkatësisht në Itali dhe Gjermani, pa u rregjistruar në sistemin TIMS Card paskan kanë hyrë ilegalisht në Shqipëri (nga mali, apo klandestine me ndonjë peshkarexhë ose anije mallrash) vetëm e vetëm, që të mos më votojnë mua. Ju lutem shumë më ndihmoni Madam Ambasadore, sepse unë kurrsesi nuk dyshoj, që rilindasit e kryeministrit Edvin të bëjnë një vjedhje votash kaq të trashë, duke votuar vajzat e mija që nga Gjermani e Italia! Me siguri ky votim i vajzave të mija pa qenë fare në Shqipëri do ketë cfarëdolloj shpjegimi tjetër, por jo ama vjedhje votash nga rilindasit në pushtet”,- shkruan Thanasi.