Kandidatët për deputetë, Komisioni i Vlerësimit në PD drejt finalizimit të emrave, formulari që duhet plotësuar

114

Komisioni i Vlerësimit të Kanidatëve i ngritur në Partinë Demokratike ka përfunduar fazën e parë të filtrimit të kandidaturave për deputetë dhe nga java e ardhshme pritet të nis kontaktimin e emrave të propozuar nga degët e demokratëve në të gjithë vendin të shprehin vullnetin për të vijuar procesin.

Paraditen e të mërkurës, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit u mblodhën sërish për të vijuar me verifikimin e kandidatëve dhe pas 25 gushtit, kandidatët e propozuar do të plotësojnë formularët e kandidimit.

Komisioni do të njoftojë secilin nga kandidatët e përfshirë në Listën e Kandidatëve që do t’i nënshtrohen fazës së dytë, që të plotësojnë Formularin e Vetëdeklarimit.

Brenda 5 ditëve nga njoftimi, çdo kandidat është i detyruar që të plotësojë Formularin e Vetëdeklarimit mbi të dhënat e tij, sipas Formatit të miratuar nga Komisioni i Integriteti dhe Etikës. Në rast se kandidatët e propozuar nuk do të dorëzojnë në kohë Formularin e Vetëdeklarimit nënkupton heqje dorë nga mundësia për të qenë kandidat i mundshëm dhe Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve do të heq emrat e kandidatëve të mundshëm nga Listën e Kandidatëve që do t’i nënshtrohen fazës së dytë.

Nga detyrimi për të plotësuar këto formularë do të përjashtohen kandidatët që,në 10 vitet e fundit, kanë pasur mandate përfaqësimi politik të Partisë Demokratike, si deputet apo kryetar bashkie. Burime të ABC NEËS nga grupi i punës që po filtron mbi 3500 kandidatë që u propozuan nga strukturat e PD sqarojnë se në fazën e parë, kandiadatëve do t’i kërkohen të dhëna lidhur me arsimin, integritetin moral dhe përgatitjen personale, pastërtinë e figurës, kontributin në Partinë Demokratike dhe angazhimi në opozitë gjatë viteve të fundit.

Pasi mbledh të gjithë informacionin e nevojshëm, Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve do të bëj vlerësimin përfundimtar të kandidatëve dhe do të hartojë listat e kandidatëve të mundshëm, që do të përfshihen në procesin e konfirmimit nga anëtarësia, të ndarë për secilën Degë apo Qark.