Kancelarja Merkel sërish kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan

479
Sigal

Pas bisedës telefonike me Presidentin Trump: Zgjidhje të përbashkët Kosovë – Serbi të ketë parasysh tërësinë tokësore

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ritheksoi të martën qëndrimin e saj kundër ndryshimit të kufijve aktual në Ballkan, duke theksuar se një marrëveshje e mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për ndryshimin e kufirit mund të kishte pasoja në pjesët tjera të rajonit. Ajo i bëri këto komente pas takimit me kryeministrin kroat Andrej Plenkoviç, i cili po ashtu tha se një ndryshim kufijsh në Kosovë mund të ketë pasoja për pjesët tjera të rajonit. Kancelarja Merkel kishte biseduar të hënën me telefon me presidentin amerikan, Donald Trump lidhur më ketë çështje. Ajo tha të martën se “i mbështesim përpjekjet për një zgjidhje të përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por e cila ka parasysh tërësinë tokësore”. Aktualisht janë shtuar debatet rreth normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që përfshijnë idetë për ndarje tokësore të Kosovës, shkëmbim territoresh e korrigjim kufijsh dhe dallimeve në qëndrimet amerikane e gjermane rreth kësaj çështjeje. Të premten, këshilltari për siguri Kombëtare i presidentit amerikan, Donald Trump, John Bolton, tha që se Shtetet e Bashkuara nuk do të përfshihen në idenë për shkëmbimin e territoreve, por nëse palët merren vesh, nuk do të qëndrojnë në rrugë. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kërkuan të dielën në një forum në Austri, mbështetjen ndërkombëtare për çfarëdo marrëveshje që arrihet në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, qoftë edhe nëse ajo nënkupton ndryshim kufijsh. Presidenti i Serbisë, tashmë e ka shpallur politikë të tij synimin për ndarjen e ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë. Prishtina e ka hedhur poshtë idenë e ndarjes tokësore të saj, ndërsa është përfshirë në debatet e nxitura nga ideja e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për ‘korrigjimin e kufirit” që sipas tij, nënkupton bashkimin e luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, me Kosovën. Ai edhe të martën hodhi poshtë mundësinë e ndarjes së Kosovës, duke mbrojtur idenë e tij për bashkimin e luginës së Preshevës. Takimi i radhës ndërmjet dy presidentëve do të mbahet më 7 shtator. Serbia është zotuar se nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Por, ajo është përshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, që është edhe kusht për integrimet evropiane të të dyja palëve.

Soros del hapur, takoi dje Vuçiçin në Beograd dhe flet për Kosovën

Alexis Soros, djali i Xhorxh Soros ka takur presidentin serb në Beograd Aleksandar Vuçiç ku është diskutuar për Kosovën. Ka qenë vetë Soros ai që e ka bërë të ditur këtë duke publikuar një foto në rrjetet sociale, ku shprehet mjaft i kënaqur për takimin me presidentin serb për të vazhduar procesin e zgjidhjes për Kosovën, që sipas Soros do të sjellë paqe jo vetëm në Ballkan por në gjithë Evropën. Kjo është hera e parë që Alexis Soros flet hapur për “zgjidhjen” për Kosovën. Është e paqartë se deri ku mund të kenë shkuar bisedimet e fshehta për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë që përfshin “korrigjimin e kufijve”, por Soros është takuar dhe herë të tjera me Vuçiçin, Thaçin dhe Ramën. Kujtojmë që avokati Altin Goxhaj, prej kohësh ka paralajmëruar, se Soros qëndron pas “copëtimit të Kosovës”. Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë në vijim pasi edhe shtete që kanë përkrahur fuqishëm Kosovën, përfshirë dhe SHBA-në janë shprehur se do ta përkrahnin një zgjidhje që do gjendej mes dy palëve.