Kanalet jashtë standardit qelbin erë Rilindjen Urbane të Kukësit

714
Sigal

Një shpenzim prej 147 milionë lekësh për të ndërtuar një bulevard në qytetin e Kukësit ka shkaktuar më së shumti shqetësime për kanalizimet që mbajnë erë se sa kënaqësi për shëtitoren.

Sinan Çaka është pronar i një kafeneje në pedonalen e re të Kukësit, e vetmja zonë e mbyllur për trafikun në këtë qytet verior, e cila i kushtoi taksapaguesve së fundmi rreth 1.2 milionë euro. Në pamje të parë duket një zonë e mirë për të bërë biznes. Problemi është se shëtitorja kryesore e Kukësit, e cila u ndërtua falë një projekti të madh qeveritar të njohur si “Rilindja Urbane”, aktualisht mban erë të keqe nga pusetat, që duket se nuk janë projektuar apo zbatuar siç duhet.

Pronarët e lokaleve të zonës si Çaka, janë përpjekur të mbajnë klientët e vet duke mbyllur vrimat e pusetave me beton apo me silikon, por era e keqe nuk është larguar dhe ajo ndjehet veçanërisht shumë gjatë periudhës së verës kur temperaturat janë të larta.

“Jam munduar të betonoj pusetën por sërish mban erë,” i tha Çaka

Shkaku për erën e keqe është një defekt në projektimin e kanalizimeve të ujërave të zeza përgjatë pedonales, defekt që ndalon ujërat e zeza të rrjedhin tutje. Problemi është se bashkia e Kukësit ndërkohë i ka marrë në dorëzim punimet e kryera duke mos lënë hapësira për korrigjime pa kosto të mëtejshme për tatim-paguesit.

Vullnet Çika, përgjegjës i Urbanistikës dhe Kadastrës në Bashkinë e Kukësit i tha se problemi është shkaktuar nga llogaritja e gabuar e kuotave të  kanalizimeve.

”Ky rrjet është i shtrirë vetëm te pedonalja dhe është ngjitur me pallatet. Rrjeti nuk bën thithjen (vjeljen) e ujërave të zeza nga puseta e pallateve deri te kolektori kryesor përgjatë rrugës së xhamisë”, thotë Çika.

Specialistë të urbanistikës në bashkinë e Kukësit i thanë “BIRN” se gjatë ndërtimit të pedonales nuk janë hapur puseta të reja të ujërave të zeza, por janë përdorur ato ekzistuese ku  janë ndërruar vetëm tubat.

Zëvendësimi i tubave të vjetër me tuba më të mëdha se sa ato qe kanë qenë më parë, ka bërë që niveli i sipërm i tubacionit të grihet, duke penguar rrjedhjen e ujërave të zeza dhe duke i mbajtur pusetat të mbushura.

Në bazë të kushteve teknike, thellësia e kanaleve të ujërave të zeza duhet të jetë 1.60 metër, por në rastin konkret nuk është zbatuar ky kusht teknik.

Era e rëndë që lëshojnë ujërat e zeza është bërë shqetësim edhe për pronaret e bizneseve që kanë ngritur lokale me investime të konsiderueshme pas ndërtimit të pedonales.

Të njëjtin shqetësim ngrenë edhe pronarë të tjerë biznesesh. Disa kanë përdorur silikonin për të mbyllur vrimat e pusetave, por pa shumë sukses. Vetë mbyllja e vrimave është një problem për shkak se ato ekzistojnë për të lejuar ngopjen e kanaleve me oksigjen dhe për të mos lejuar përqendrim të gazrave.

Banorët e zonës ankohen se nuk po jetojnë dot normalisht.

“Jemi detyruar të mbyllim dritaret, sidomos në mëngjes me vesë,  ku në këtë kohë era behet e padurueshme”, tha Zyber Dragjoshi, banor i pallatit në anë të pedonales.

Pusetë e ujrave të zeza e bllokuar me silikon në pedonalen e Kukësit | Foto : Bashkim Shala

Qeveria shqiptare ka shpenzuar disa qindramilionë euro për projektet e Rilindjes Urbane, të cilat përfshijnë krijimin apo përmirësimin e hapësirave publike në qytete të ndryshme të vendit. Projekti i pedonales së Kukësit, një qytet me rreth 15 mijë banorë, ka marrë kritika jo vetëm për cilësinë e kanalizimeve.

“Gjelbërimi dhe pemët dekorative nuk  janë të përshtatura me klimën e Kukësit. Cilësia e barit të mbjellë  është e dobët dhe nuk ka mbijetuar më shumë se tre muaj. Tani rritja e barit është spontane. Sistemi i vaditjes nuk është i lidhur me ujin industrial, por me sistemin e ujit të pijshëm. Pra është lidhur gabimisht. Gjatë verës ku duhet vaditja, uji i pijshëm nuk përdoret pasi është me pakicë. Ndërkohë që investimi ka nxjerrë jashtë funksioni sistemin e ujit industrial, i ndërtuar para viteve 90-të dhe që përdorej për vaditjen e lulishteve”, sqaron për “BIRN” Vullnet Çika.

Ankesa për cilësine e barit  dhe për mungesën e impiantit të vaditjes në  lulishten kryesore të qytetit Kukesit  kanë edhe pronarët e lokaleve. Pronari  i restorant “Parku” Meriman Mustafa, se është detyruar të mbjellë barin me shpenzimet e veta  para restorantit pasi ai që është mbjellë nga firma është tharë, por edhe ka degjeneruar gjenetikisht.

“Mungon sistemi i vaditjes në lulishte. Jam detyruar që para lokalit tim të investoj për të mbjellë edhe një herë barin që është zhdukur, por jam gjobitur nga bashkia si për vaditjen e barit me ujë të pijshëm, ashtu dhe për ndërhyrje pa leje. Ujërat e zeza janë problem në vete. I kemi taposur  me beton, por prapë mbajnë erë”, thotë Mustafa.

Një problem serioz që shqetëson pronarët e bizneseve, por edhe qytetarët, janë sipërfaqet e braktisura, por edhe ndërtimet që janë bërë pas viteve 90-të të shekullit kaluar, në hapësirat mes katër pallateve në anë të pedonales së qytetit.

“Janë dy objekte të ndërtuara me leje në fillim të viteve 90-të të shekullit kaluar që janë të amortizuara gati plotësisht. Pronarët e tyre tashmë nuk jetojnë në Shqipëri. Pronarët e këtyre dy objekteve nuk kanë interes të investojnë në objektet  ekzistuese. Ato kanë kërkuar që t’i shembin dhe të ndërtojnë të reja në vend të tyre, por kjo është e pamundur ligjërisht pasi kërkohet ndryshimi i projektit. Kjo është e pamundur edhe për faktin se nuk është planifikuar ndërtim në atë zonë”, sqaron Vullnet Çika.

Ndërsa për sa u përket sipërfaqeve ekzistuese që ndodhen poshtë pallateve, ku shumë pronarë kanë investuar në disa prej tyre, shefi i Urbanistikës sqaron se këto sipërfaqe janë pronë e ministrisë Financave.

“Objektet e braktisura janë “de jure”pronë e Ministrisë Financave  (Drejtoria e Pronave Publike) e cila është përgjegjëse për shitjen e tyre. Pra këto objekte të amortizuara  tej mase janë në shitje. Disa janë të degraduara dhe rrezikojnë shembjen. Por këto objekte janë të zaptuara nga të ashtuquajtur pronarë tokash që nuk kanë asnjë lloj dokumenti, kështu që i interesuari për të blerë këto prona nga shteti, rasti konkret nga Ministria e Financave, has ne rezistencën e pronarëve të vetëshpallur. Personat që kanë blerë këto prona dhe kanë investuar më pas,  i kanë blerë ato dy herë, edhe pronarit të rremë edhe shtetit që është pronar i vërtete”, thotë Vullnet Çika.

Ndërkohë që stolat në lulishte nuk janë shumë të përshtatshëm, pasi janë prej betoni,  ndërsa sinjalistika horizontale  është me probleme pasi vijëzimi nuk është bërë me  bojë fosforeshente. Sipas shefit të urbanistikës së Kukësit, rikualifikimi urban në Kukës është gjysmak, pasi nuk është e përfunduar  pjesa veriperëndimore e sheshit, përgjatë rrugës “Ramadan Zaskoci”, deri te ish-turizmi i ri.

Lulishtja në qendër të Kukesit pas rikualifikimit urban, Gusht 2019 | Foto: LSA

Rifat Demalia, drejtor i Qendrës për Progres Rinor, një organizatë jofitimprurëse në Kukës, thotë se projekti i pedonales u zhvillua pa ndonjë konsultim real me banorët dhe, siç u pa më vonë, nuk ofroi zgjidhje funksionale për një shëtitore. Demalia ankohet gjithashtu se projekti dëmtoi gjelbërimin duke prerë pemë e shkurre.

“Para fillimit të zbatimit të projektit të rikualifikimit urban ne kemi protestuar. Arsyet e protestës ishin mungesa e transparencës me qytetarët për projektin e rilindjes urbane. Ajo që u pa më pas  ishte shkatërrimi i parkut të mëparshëm dhe dëmtimi i kurorës së gjelbër,”.

“Parku i mëparshëm është ngushtuar jashtë mase,” shtoi ai.

“Pedonalja sot nuk funksionon për publikun pasi asnjë qytetar nuk qarkullon në të, sepse  përgjatë gjithë gjatësisë së pedonales dhe në trotuarin e saj janë vendosur karriget e lokaleve. Pedonalja më tepër i ka shërbyer kompanisë ndërtuese për rritjen e vlerës së projektit dhedisa bizneseve  se sa qytetarëve”, thotë Demalia.

Projekti me vlerë kontrate 147 milionë lekë rregulloi trotuaret dhe shtroi me gurë dekorativë rrugën. Shtrimi me gurë dekorativë ishte pjesa më e kushtueshme e projektit me afro 77 milionë lekë ndërsa lyerja e fasadave të pallateve përgjatë pedonales kushtoi 10.5 milionë lekë.