Kamera në çdo qendër votimi/ KQZ: Është në vëmendjen tonë

440
Sigal

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ju përgjigj kërkesës së Partisë Demokratike për të blerë kamerat e monitorimit në qendrat e votimit. KQZ u shpreh se po punohet në këtë drejtim, si edhe për të kaluar për miratim aktet normative.

“Kompetenca e KQZ e përcaktuar në nenin 22, paragrafin 2, të Kodit Zgjedhor, e cila ka të bëjë me përdorimin e kamerave monitoruese në qendrat e votimit dhe në vendet e numërimit të votave është në vëmendje të shtuar të KQZ-së. Ky aspekt i përgatitjes së zgjedhjeve të 25 prillit 2021 krahas aspekteve të tjera të rëndësishme sikundër janë identifikimi elektronik i zgjedhësve votimi e numërimi përmes përdorimit të sistemeve dhe pajisjeve të teknologjisë së informacionit, projekti për votimin e emigrantëve, ndërtimi i platformave raportuese për veprimtarinë e institucioneve publike dhe për financimin e fushatës, janë në proces realizimi. Në këtë kuadër KQZ shpejt do të kalojë për miratim aktet normative përkatëse, të cilat sikundër e kuptoni për shkak të risive që sjellin në zhvillimin dhe administrimin e procesit zgjedhor, janë duke marrë kohën përkatëse për draftim”, njoftoi KQZ.

Aktualisht sistemi i kamerave është i vendosur vetëm në tavolinën ku numërohen votat, por me ndryshimet në Kodin Zgjedhor çdo qendër votimi do të monitorohet me kamera, një kosto që nuk do të jetë e vogël pasi janë 5 mijë qendra votimi e minimalisht pajisja e një qendre shkon në 300 euro.