Kallëzimi nga ILDKP, Ndoka: Pasuria ime nga puna e ndershme

429
Sigal

Ish-deputeti i Qarkut të Lezhës, Arben Ndoka ka reaguar pas publikimit të lajmit për kallëzim penal nga ILDKP-ja. Ndoka në një status në Facebook shkruan se, është njohur për kallëzimin përmes medies. Ai sqaron se ka bërë deklarimin e pasurisë konform ligjit dhe thekson se pasuria e tij është vënë me punë të ndershme.
Reagimi i Ndokës:
Jam njohur për kallëzimin e ILDKP-së përmes medias. Sqaroj se në zbatim të legjislacionit në fuqi, kam bërë deklarimet e pasurisë çdo vit nga marrja e detyrës sipas formularit të kërkuar. 
Nuk kam qenë në dijeni të kërkesës së informacionit shtesë nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave. Unë kam lënë numrin e telefonit tek ILDKP-ja kur kam bërë deklarimin, nëpërmjet të cilit, institucioni në frymën e bashkëpunimit mund të më kishte kontaktuar, para se të nxitonte me kallëzim penal.
Sidoqoftë, nga marrja e dijenisë për këtë kërkesë, do të vendos në dispozicion të gjithë dokumentacionin e kërkuar. 
E gjithë pasuria e ime dhe e familjes sime vjen si produkt i një pune të ndershme, dhe përpjekjeje ndër vite të familjes sime, përmes nje biznesi privat transparent dhe te suksesshem. Prandaj jam qetesisht ne dispozicion te prokurorise per hetimin e kesaj ceshtjeje dhe siguroj cdo dashamires se ne kete siklet te radhes per mua, nuk ka asnje arsye te shqetesohen.