Sigal

Në qeverinë e re të Edi Ramës shumica prej emrave të rinj janë të panjohur për publikun edhe përpara se të punonin në rangje më të ulëta të administratës. Në jetën publike nuk kanë përfaqësuar asgjë më shumë sesa interesat e veta. Ata nuk kanë dhe as kanë marrë ndonjë angazhim publik dhe s’kanë asnjë përgjegjësi politike. Ata nuk përfaqësojnë asnjë pëlqim të transferuar përmes votës nga publiku. Ata kanë bërë këtë kapërcim me hop drejt majës së lartë të pushtetit vetëm prej shijeve personale të udhëheqësit, pa kaluar në asnjë filtër besimi dhe merite në shkallët më të ulëta të hierarkisë administrative apo politike. Për shkak të shkallës së ulët të njohjes dhe reputacionit, nivelit të ulët të përfaqësimit publik dhe angazhimit e përgjegjësive politike, ministrat e rinj nuk munden dhe as kanë marrë përgjegjësinë të mbushin gropat e mëkatit të krijuara nga ata që lëshuan vendin.

A ka shanse të ndryshojë kabineti i ri qasjen ndaj koncesioneve që po projektojnë një mal të madh me borxhe ndaj së ardhmes?

A do të heqë dorë kjo qeverisje nga kontratat skandaloze dhe klienteliste?

A do të dojë ky kabinet i ri të prodhojë reforma që përmirësojnë cilësinë e jetës së shtresave më në nevojë?

A do t’i vendosen barriera të forta krimit dhe korrupsionit etj., etj?

Kabineti i shkuar me ministrat që ikën, këto probleme i krijuan, me thënë të drejtën jo pa mbështetjen e mazhorancës arrogante aktuale. A beson njeri që do ta zgjidhin këta të rinjtë këtë? Jo, as vetë Rama. E bëri pothuajse të qartë kur tha, se studentët më qëlluan me shuplakë në faqe dhe unë iu ktheva tjetrën. Pra këta janë botoksi i ri në fytyrën e lënduar të Rilindjes nga shprehja e pakënaqësisë së njerëzve, e ku njëra faqe është ende e mavijosur. Fakti tjetër që e bën të pabesueshëm ndryshimin e qeverisjes është qëndrimi ndaj ministrave të larguar, të cilët siç duket nuk do t’i largohen kupolës drejtuese politike të Rilindjes. Sipas Kryeministrit-Kryetar ata do të jenë pjesa më e fortë dhe ndoshta më e denjë e përfaqësimit dhe përballjes së Rilindjes me publikun në fushatën e ardhshme për zgjedhjet lokale pas gjashtë muajsh.

Shpallja, si në një plenum të hershëm të Partisë famëkeqe të Punës, e këtij kabineti të ri na konfirmoi të paktën tre gjëra:

Se nuk iu shërben shqiptarëve, por vetëm qëllimit që Rilindja të mbajë pushtetin;

Se Rama vazhdon të sillet si zoti e mishëruesi i drejtësisë dhe i së mirës në tokë;

Se emrat e rinj janë thjesht një ndërhyrje estetike në vragat e profilit të Rilindjes, e cila sa kohë ndryshoi më shumë se gjysmën e kabinetit, tashmë ka rënë.

Por meqenëse kryeministri i qëndron bindjes, se po qeveris drejt, ndoshta do të ishte më e udhës që t’i drejtohej popullit për votëbesim, sesa të vendoste ai vetë se çfarë do populli.