Ka nisur manipulimi i zgjedhjeve të 2013-s

495
Sigal

INTERVISTA/Prof. Dr. Fatos Klosi: “E ardhmja e afrimit të dy shteteve shqiptarë është më e sigurt, në kuadrin e Europës së Bashkuar”

2012-ta do të mbahet mend në histori në dy këndvështrime. Si 100-vjetori i Pavarësisë të Shqipërisë, por edhe si dështimi i tretë i marrjes të eurostatusit, edhe pse jemi 21 vjet në periudhën e tranzicionit, ndërsa më saktë do të ishte të shprehemi, në parademokraci. Prof. Dr. Fatos Klosi, në intervistën për “Telegraf”, duke analizuar situatën politike, duke njohur edhe mendësitë politike të të mëdhenjve, shprehet se nuk shpreson se do të ndryshojë për të mirë, situata edhe në të ardhmen. Përsa i përket retorikave nacionaliste, që kanë ringjallur debatin politik, zoti Klosi ka bindjen se e ardhmja e bashkimit të Kombit tonë është më e sigurt në integrimin e përbashkët në BE. Duke iu referuar ngërçit politik edhe në KQZ, për rishpërndarjen e mandateve të deputetëve dhe ndarjen e ZAZ-vë, zoti Klosi e quan si “Si faza e parë e procesit të manipulimit të zgjedhjeve të ardhshme”. Duke iu referuar aleancave të mundshme të 2013-s, zoti Klosi divergjencat e shprehura nga LSI-ja në raport me PD-në i quan lojëra të Ilir Metës dhe se LSI-ja nuk do të bëjë asnjë aleancë parazgjedhore, as me PD-në dhe as me PS-në.

– Zoti Klosi, për ju cili do të ishte bilanci politik për Shqipërinë në vitin 2012?

– Sigurisht, një bilanc për politikën, do të dilte shumë negativ. Ajo që më shumë pritej nga shqiptarët, marrja e statusit të kandidatit për në BE, dështoi. Por ç’është më e keqja, nuk kemi asnjë shenjë, që situata do të ndryshojë në të ardhmen. Politika e atyre që janë në pushtet dhe, që natyrisht, kanë përgjegjësinë kryesore për këtë dështim, vetëm kërkon fajtorë të tjerë dhe përpiqet ta fshehë përgjegjësinë me argumente absurdë.

– Përveç lumit të fjalimeve e euforisë politike, shqiptarët dhe klasa politike e kremtoi 100 vjetorin e Pavarësisë me prestigjin  që meritonte ky jubile?

– Festimet e 100- vjetorit sollën argumente të rinj në favor të pohimit, që situata politike në vend nuk jep asnjë shpresë, që diçka do të ndryshojë në të ardhmen. Kryeministri u përpoq t’i privatizonte festimet, t’i kthente ato në një tribunë për sukseset e qeverisjes së tij, në vend që, të përfitonte nga rasti i festave për të dhënë mesazhe mirëkuptimi dhe tolerance me opozitën, një rast për kërkuar, qoftë dhe në tavolinat e festës, ura të afrimit. Më bëri shumë përshtypje gjithashtu, që në dhjetëra dalje që pati në publik, i qëndroi i patundur idesë për të mos e përmendur asnjëherë 29 Nëntorin si një datë tjetër e shënuar për vendin.

– Zoti Klosi, kurrë ndonjëherë në Histori shqiptarët nuk janë gjendur më mirë se 2012,  shqiptarët kanë me dy shtete, dhe më afër se kurrë janë mundësitë të bashkohen. Mirëpo, Shqipëria, në kontrast, për herë të tretë nuk mundet të marrë eurostatusin. Si mund ta gjykoni këtë kontradiktë?

– Është e vërtetë se tani kemi dy shtete, por ama, është e më e rëndësishme, se për çfarë shtetesh bëhet fjalë. Sot mund ta dëgjosh rëndom, në Shqipëri dhe në Kosovë, shprehjen: “ne nuk kemi shtet”, të dy shtetet tanë po funksionojnë shumë keq, korrupsioni i ka kapur për fyti, ekonomitë e tyre janë në situatat më të këqija të mundshme, papunësia është problemi më i madh i familjeve shqiptare në të dy vendet, e plot të tjera si këto. Pse do bashkoheshim, për t’u qeverisur më mirë, apo për të na vjedhur më lehtë?  Ndryshe do të kish qenë në qoftë se njëri nga dy shtetet shqiptarë do të ishte në gjendje të mirë dhe mund të shpresonim se bashkimi do të ndihmonte dhe tjetrin për të ecur përpara, siç ndodhi me gjermanët. Por e vërteta tek ne është ndryshe, ne mund të shkëmbejmë vetëm eksperienca negative, që do të na çonin akoma më mbrapa. Prandaj, mendoj se e ardhmja e afrimit të dy shteteve shqiptarë, është më optimiste dhe më e sigurt, në kuadrin e Europës së Bashkuar. Ka pastaj, dhe plot arsye të tjera, që e bëjnë idenë e bashkimit me çdo kusht, qoftë dhe në konflikt me botën, një parullë të pastër propagandistike, që synon të mbledhë ca vota më shumë, nga ata, që mbase nuk e kanë aq të qartë se në ç’realitet jetojmë. Për sa i takon eurostatusit, ky është një tjetër problem, që nuk ka të bëjë shumë me bashkimin e mundshëm. Ai ka të bëjë vetëm me faktin që shteti shqiptar nuk është akoma i gatshëm për të pretenduar, që të fillojë tratativat për të hyrë në Europë, sepse parametrat e tij  të aspektit demokratik, politik, social, të sigurisë, etj., janë akoma larg atyre që kërkon Europa. Si mund të pretendohet të futemi në Europë, duke thënë se cilësia e zgjedhjeve nuk është kusht i Europës. Cilësia e zgjedhjeve është treguesi i parë dhe më i rëndësishëm i shkallës së demokratizimit të një vendi. Me zgjedhje të vjedhura, të gjitha pushtetet janë të uzurpuar. Europa ka kohë që nuk ka më shtete të tillë në gjirin e saj.

– Cila do të ishte pyetja më e drejtë që mund të shtrohet sot për zgjidhje për Kombin tonë: Bashkimi kombëtar, i lidhur ngushtë me procesin paralel të integrimit të dy shteteve tanë në Familjen europiane, apo primare është bashkimi kombëtar dhe pastaj, së bashku, duhet të fillojmë procesin e integrimit europian?

– Popujt tanë kanë më urgjente situatën ekonomike dhe politike, ata prej tyre po vuajnë, nuk po vuajnë se janë të ndarë në dy shtete. Çfarë do përmirësonim në aspektin politik dhe ekonomik po të bëheshim një shtet, me po këta pushtetarë? Asgjë. Më parë ne duhet ti përmirësojmë këto aspekte të jetës sonë e pastaj të mendojmë të zgjidhim dhe probleme që s’janë aq urgjentë.

  Pastaj ne mund të “bashkohemi” dhe pa bërë bujë. Mund të fillojmë me arsimin, kulturën, të vazhdojmë me aspekte ekonomikë si doganat, energjetika, investimet kapitale, me mbështetjen diplomatike reciproke, me vonë me bashkëpunime në fushën e sigurisë, e pasi ti kemi bërë të gjitha këto, do ta kemi kuptuar se s’ka mbetur dhe shumë për të arritur atë që ëndërronim.

Sjellja politike e PD-PS, duke u munduar të lerë fajin e dështimit të mosmarrjes të eurostatusit, u shërben  shqiptarëve dhe procesit të integrimit?

– Për mua si një qytetar i Shqipërisë, më e rëndësishme nga të gjitha është që shteti im të funksionojë normalisht, pastaj, po e pranuan dhe në Europë, më mirë akoma. Prandaj, unë nuk dua, që për hatër të futjes në Europë, të pranoj, pa qenë i bindur, që shteti im po funksionon normalisht. Europa nuk është për mua një qëllim në vetvete, unë e dua futjen në Europë, me shpresën se ajo do ta ndihmojë vendin tim për të ecur më përpara. Por si? Natyrisht, problemet tona kryesore do të zgjidhen këtu, nga njerëzit tanë, Europa do të ndihmojë, por nuk do të angazhohet për të na zgjidhur problemet, që i kemi sajuar vetë. Këtë vend, prej shtatë vjet e gjysmë, po e drejton një qeveri e Partisë Demokratike dhe më duket absurde, që ajo vazhdon të justifikohet, se po e pengon opozita në marrjen e Statusit, e kjo se mungojnë dhe dy ligje e gjysmë, që u aprovuakan me shumicë të cilësuar. Ç’bëri kjo maxhorancë në këto vite për ta gjetur kompromisin për këto ligje e për të tjera arritje? Ç’bëri ajo, që ligjet e aprovuara më parë të zbatoheshin me drejtësi dhe seriozitet? Maxhoranca nuk e ka patur kurrë, gjatë këtyre viteve, frymën e kompromisit, të marrëveshjeve, qoftë dhe të lëshimeve, se ka fundja në legjislacionin tonë plot për të mbajtur e për të lëshuar. Është shumë vonë për tu justifikuar, se gjoja qenka “çoroditja “ e Kryetarit socialist, që po e pengon integrimin.

– Mos vallë PD-PS më shumë u intereson marrja/mbajtja e pushtetit dhe integrimin  e Shqipërisë dhe të shqiptarëve e kanë në plan të dytë dhe në shërbim të interesave partiake?

– Më duket pyetja e shtruar gabim. Sigurisht, për një parti si Partia Socialiste, që ka vite që lufton për të marrë në dorë qeverisjen e vendit dhe që kjo i është mohuar edhe me vjedhje të votës, mendon, se për interesat e vendit dhe për interesat e saj, është më mirë që të qeverisë ajo, se sa, për hatër të marrjes së statusit  ( dhe  “statusi” është akoma  shumë larg nga futja në BE, nuk është futje në BE) të bëjë vazhdimisht lëshime në favor të një force që nuk meriton, dhe më e keqja nuk di, të qeverisë, e cila dhe po ta marrë Shqipëria statusin, do ta përdorë vetëm si arritje propagandistike.

–  Sipas jush, përse palët politike e kanë të vështirë, deri të pamundur bashkëpunimin e mirëkuptimin politik, për temat politike që kanë lidhje me procesin e integrimit të Shqipërisë?

– Mungesa e bashkëpunimit në Shqipëri, realisht, nuk ka të bëjë me procesin e integrimit, sepse të gjitha forcat politike në vend, janë për integrimin e vendit në BE. Ky proces po e pëson nga një frymë e përgjithshme e acarimit të raporteve politike midis pozitës e opozitës, që ka filluar e vazhdon të mbahet që nga fillimet e pluralizmit në vend, pra shumë më herët se të shtrohej problemi i integrimit. Kjo frymë mosbashkëpunimi, vazhdimisht, ka pasur në bazë të saj, proceset e parregullt zgjedhor, “blerjen” e mandate të deputetëve, marrjen e vendimeve shumë të rëndësishme për vendin me “forcën” e dy apo tre kartonëve më tepër, e plot të tjera si këto. Dhe sipas meje, këto probleme dhe zgjidhja e drejtë e demokratike e tyre, është më e rëndësishme se “nguti” për të marrë statusin. Edhe një fakt tjetër, që e thashë më lart,  jam i sigurt se për pozitën, “nguti” për statusin ka më shumë vlera elektorale se sa vlerë reale. Mua nuk më shqetëson shumë vonesa prej disa muajsh, kemi kohë që po presim, le të presim dhe pak, mbase na del më mire, se ndreqim këtu brenda dhe ca gjëra, që pa presionin e Europës, do t’i kishim “harruar”.

– Kur ndërkombëtarët i bëjnë apel klasës politike në Shqipëri të tregojë vullnet bashkëpunimi, duhet kuptuar ajo që opozita të votojë çfarëdo ligji e reforme që janë prioritetet e integrimit?

– Unë e kuptoj në të kundërtën. Pozita, që i ka marrë të gjitha frenat e shtetit në dorë, e ka më të kollajtë që të lëshojë, për të arritur kompromiset e duhura. Në këtë vend, ku tre kartonë diferencë bëjnë “kohën e mirë dhe të keqe” ç’i mbetet opozitës po të lëshojë dhe në ato momente kur vota e saj është e domosdoshme. Në këto kondita,  po ta bëjë këtë sa herë që i duhet qeverisë, do të ishte njëlloj sikur të pranonte, që opozita nuk ekziston. Dhe Zonja spikere e Kuvendit e konfirmoi këtë opinion timin para dy ditësh në Kuvend, kur tha pak a shumë: “E ç’u kushtonte, që të kishim marrë statusin, për tre votime, që bëheshin për tre sekonda”. Ky është opinioni i saj për opozitën.

– Me zgjedhjen e Kryeprokurorit, pa konsensusin e opozitës, por edhe më përpara, me zgjedhjen e Presidentit pa konsensusin politik, me emërimet e maxhorancës për të gjithë drejtuesit e institucioneve të pavarura,  a mund të flasim për  hapësira demokratike në jetën politike në Shqipëri?

– Këtu me tre kartonë më shumë zgjidhet Presidenti, e pastaj me radhë shefa institucionesh mjaft të rëndësishme, gjyqtarë etj. Dhe duhet të kemi parasysh se populli ka votuar, që ata tre kartonë të ishin në anën tjetër. Pra, e kuptoni vetë se për ç’ demokraci  po flasim.

– Derisa faktori ndërkombëtar e kushtëzon marrjen e eurostatusit me mënyrën se sa të lira e të ndershme do të zhvillohen zgjedhjet e 2013-s, pyetja është: Kemi parademokraci në Shqipëri?

– Zgjedhjet e lira dhe demokratike janë elementi themelor i demokracisë. Zgjedhjet janë forma e vetme e ushtrimit të pushtetit nga populli. Një herë në katër vjet populli thirret për të dhënë verdiktin e vet, se kush do ta qeverisë. Në qoftë se zgjedhjet manipulohen, rezultati i tyre nuk përfaqëson më vullnetin e popullit dhe ajo që pason nuk është demokraci.  Një qeveri, që ka planizuar t’i manipulojë zgjedhjet, nuk e ka frikë verdiktin e popullit, ajo është e sigurt se mund të qëndrojë mbi të. Me fjalë të tjera, ajo mund t’i lejojë vetes të bëjë ç’të dojë me popullin e saj, pra dhe ta sundojë atë, ta vjedhë, etj.. Sigurisht, kjo vetëm demokraci nuk është. Por Europa është një koalicion shtetesh demokratikë, e një vend si ky, ky manipulohen zgjedhjet, nuk mund të jetë anëtar i këtij koalicioni.

– Duke u nisur nga punimet e deritanishme të KQZ-së së re, ju si e gjykoni përpjekjet e saj për rishpërndarjen e mandateve në bazë të ndryshimit të popullsisë, si edhe mosarritjen për ndarjen e ZAZ-ve?

– Si faza e parë e procesit të manipulimit të zgjedhjeve të ardhshme. Kjo frymë mosbashkëpunimi, vazhdimisht, ka pasur në bazë të saj, proceset e parregullt zgjedhor, “blerjen” e mandate të deputetëve, marrjen e vendimeve shumë të rëndësishme për vendin me “forcën” e dy apo tre kartonëve më tepër, e plot të tjera si këto. Dhe sipas meje, këto probleme dhe zgjidhja e drejtë e demokratike e tyre, është më e rëndësishme se “nguti” për të marrë statusin.  Skandaloz është votimi i Kuvendit për të mos ngritur Komisionin hetimor për listat e zgjedhësve në qarkun e Kukësit, është njëlloj sikur të thuash troç që na lini të bëjmë ç’të duam me këto zgjedhje.

– Duke qenë se ngërçi politik është përcjellë tashmë në KQZ, a mund të jemi që tani optimistë se do të kemi një klimë politike të qetë në procesin e zgjedhjeve të 2013-s?

– Në këtë aspekt unë nuk kam qenë optimist dhe kur PD-ja ishte në opozitë e jo më sot kur i ka uzurpuar të gjitha institucionet e shtetit, edhe ata pak, që sipas Kushtetutës duhet të jenë të pavarur dhe të depolitizuar.  Dua të kujtoj një fakt nga eksperienca ime. Në zgjedhjet e vitit 1997, kam qenë nënkryetar i KQZ-së, dhe kryetar grupit të anëtarëve të koalicionit të majtë në KQZ.  Në ato zgjedhje PD-ja ishte në gjendjen e saj më të vështirë, kur gjithë zemërimi i popullit, për rënien e firmave piramidale, kish rënë mbi të dhe për rrjedhojë pritej një humbje e thellë e saj në ato zgjedhje, siç me të vërtetë ndodhi. Por, edhe në atë situatë, kur problemi ynë kryesor, ishte miratimi i masave për zvogëlimin në minimum të mundësive për vjedhjen e votës, përfaqësuesit e PD-së bënë të pamundurën për mos miratimin e atyre masave, dhe në ato kushte mendjen e kishin për të lënë shtigje për manipulime të mundshme. Kemi hequr shumë për miratimin e lyerjes së gishtit me bojë, për dokumentet që duhet të kish votuesi për identifikimin e tij, për kufizimin e orarit të qëndrimit hapur të qendrave të votimit etj.. Prandaj unë asnjëherë, e aq më pak sot, nuk kam qenë e nuk do të jem optimist për një klimë të qetë në procesin zgjedhor.

Asnjëra nga partitë e mëdha nuk do të bëjë aleancë parazgjedhore me LSI-në

– Kohët e fundit vërehen tendenca  të divergjencave politike midis PD-së dhe LSI-së. Ju keni mendimin se këto divergjenca mund të shkojnë deri në shkëputjen e LSI-së nga maxhoranca?

– Nuk janë divergjenca, janë thjeshtë lodra politike. Ilir Meta e deklaroi qartë këtë gjë, duke thënë se koalicioni mbetet solid, pra me fjalë të tjera tha se këto janë diferenca të parëndësishme opinionesh, për probleme të dorës së dytë.  Për sa i takon Beratit, dheLSIështë e interesuar që numri i deputetëve të atij qarku të mos zvogëlohet, se dhe ajo ka interesa në atë qark. Për problemet e tjera, për të cilat kanë dhënë opinione të ndryshme nga PD-ja, janë thjeshtë manovra paraelektorale, për ta treguar veten parti të spektrit të majtë dhe të pavarur nga PD-ja. LSI-ja do të jetë gjithmonë me atë që ofron më shumë.

– Nga PS-ja dhe  Edi Rama deri tani vërehen qëndrime kontradiktore në lidhje me raportet që duhet të ndërtojnë me AK-në dhe FRD-në, për të krijuar një front të përbashkët opozitar. Sipas jush përse kjo kontradiktë?

– Këtë nuk e quaj kontradiktë të PS-së apo Edi Ramës. FRD-ja e ka deklaruar qartë se si parti e qendrës së djathtë, nuk e ka në plan që të bashkëpunojë me PS-në, bile ajo e vendos atë në të njëjtin rang kundërshtar si dhe PD-në, si dy forca që deri tani kanë qeverisur keq këtë vend. Pak a shumë, të njëjtin qëndrim ka mbajtur gjer më tani dhe AK-ja, kështu që PS-së nuk i mbetet shumë hapësirë, gjer më tani, për të kërkuar apo jo një koalicion të mundshëm me këto dy forca.

– Do të jetë përcaktuese e shumatores qeverisëse kahu politik i aleancës që do të zgjedhë LSI-ja?

– Këtë do ta kemi të qartë, kur të shohim rezultatet eLSI-së në zgjedhje. Unë mendoj se asnjëra nga dy partitë e mëdha nuk do të bënte një koalicion parazgjedhor meLSI-në. Pas zgjedhjeve gjithçka mund të ndodhë, varet, kush do të dijë të ofrojë më shumë.

 – Ju faleminderit!