Juristët: Drejtësia në rrezik, vendimet e Kuvendit antikushtetuese

508
Juristët:Veprimet e Kuvendit antikushtetuese, drejtësia në rrezik, PD: Gati protestat
Zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, me shumicë të thjeshtë në parlament juristët e konsiderojnë një skandal, ndërsa opozita thirrje për protesta 
Zhvillimet e ditës së djeshme e kanë acaruar klimën politike dhe atë në radhët e sistemit të drejtësisë në të gjithë vendin. Mazhoranca lajmëroi dje hapjen e garës për prokuror të përkohshëm, duke bërë thirrje kandidatëve të dorëzojnë dokumentet deri sot në mbrëmje. Nga ana tjetër politika kundërshtoi fort këtë veprim, duke e konsideruar kapje e drejtësisë nga Edi Rama, me qëllim mbylljen e disa dosjeve të konsideruara tashmë të nxehta. Në të njëjtën linjë me opozitën, për sa i përket kësaj teme, shkon edhe mendimi i juristëve. Sokol Hazizi bënë thirrje që Kuvendi duhet të rishikojë veprimet e tij dhe dikush t’i tregojë se ai nuk ka të drejtë të bëjë propozime për Prokurorin e Përgjithshëm. Të njëjtën gjë e thotë edhe juristi tjetër Ylli Kameri, i cili citon Kushtetutën dhe thotë se Kuvendi është duke kryer një veprim antikushtetues në këtë rast, duke marrë kompetencat e KLP-së. Nga ana tjetër analisti Ylli Dylgjeri dhe gazetari Basir Çollaku, shprehen se drejtësia është kapur totalisht, pas veprimeve të fundit që janë vënë re. Dylgjeri citon disa nga çështjet që ky prokuror duhet të zgjidhë, ndërsa Çollaku, thotë se ndërkombëtarët dhe Sorosi, kanë ndërhyrë shumë keq në sistemin e drejtësisë dhe tashmë loja ka nisur. Nga ana tjetër politika është e përçarë. E majta këmbëngul të zgjedhë një prokuror që ajo e do sipas kritereve të përcaktuara prej saj dhe opozita shprehet se me veprimet e saj PS po kap drejtësinë, ndërsa fton popullin për protesta. 
Sokol Hazizi: Kuvendi nuk duhet të nxitohet për të zgjedhur Prokurorin e Përgjithshëm
Kush ka ndonjë njohje me ligjbërës me peshë, mund të rekomandojë që Kuvendi Shqipërisë nuk duhet të nxitohet me njoftime për shpallje interesi për Prokuror të Përgjithshëm, sepse, ndonëse Kuvendi merr të drejtën dhe detyrimin për caktimin e Prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm, por nuk mund kurrsesi të shpik/sajojë një procedurë që i takon vet prokurorëve në rastin kur funksionon KLP. Që do të thotë se Kuvendi nuk mund të njoftoj apo shpall afate kohore për shprehjen e interesit për prokuror të përgjithshëm, sepse nuk e përmban Kushtetuta dhe Ligji 97/2016, për më tepër që ligji ia ka kufizuar këtë mënyrë veprimi (shih nenin 22 dhe 109 të Ligjit 97/2016, Për organizimin e prokurorisë….). Çdo sajesë idiote i jep vlerë të kundërtës, qoftë dhe kur ekziston dëshira e mirë. Më shumë dobi ka zbatimi rregullores së Kuvendit të Shqipërisë për raste analoge, sesa një sajesë pa kuptim. E kundërta lë vend për ta paragjykuar.
Ylli Kameri: Mungesa e propozimeve nga KLP do të thotë që nuk ka proces 
Kushtetuta nuk ka lënë vend për diskutime : Neni 148/a (Shtuar me ligjin nr.76/2016, datë 22.7.2016) . Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me tre të pestat e anëtarëve të Kuvendit, mes tre kandidatëve të propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për një mandat 7-vjeçar dhe pa të drejtë riemërimi. Meqenëse për shtetin tonë, (parlamentarët/ligjvënës) është një situatë “normale” , shkelja e Kushtetutës, atëherë edhe ndërhyrja politike në jetën kushtetuese duket situatë “normale”. Ky “normalitet” jo kushtetues shtrihet, tek aktorët politikë edhe me tej, në gjithë “sistemin korruptiv” duke marrë role që sjellin, në skajin fundor, shtrembërim të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Duke lexuar, Kushtetutën Neni 149 (Ndryshuar pika 1 dhe 4 me ligjin nr.9404, datë 21.4.2008 dhe me ligjin nr.76/2016, datë 22.7.2016) 1. Këshilli i Lartë i Prokurorisë garanton pavarësinë, llogaridhënien, disiplinën, statusin dhe karrierën e prokurorëve të Republikës së Shqipërisë. Vetëm KLP garanton. Pra, nuk asnjë dyshim se çdo zgjidhje tjetër, edhe pse ngjan e ligjshme, nuk na garanton, se çështjet apo ndjekja penale do të bëhet nga prokurorë të interesuar për drejtësi.
Basir Çollaku: Ndërkombëtarët dhe ndikimi i Sorosit po asgjësojnë Reformën në Drejtësi
Zgjedhja e prokurorit është një farsë e korruptuar në themel të së cilës është dukshëm paligjshmëria. Është një përpjekje e ngutshme për të kapur drejtësinë dhe për të bërë qokat vetvetes. Shmangia ose vdekja e vetingut është një alarm serioz. Ndërkombëtarët janë thellësisht pjesë e këtij korrupsioni, me leximet e tyre të opinioneve aspak profesionale. Ambasadorët po flasin me shpesh se moderatorët e lajmeve dhe më së shumti janë bërë të kudogjendur sepse shfrytëzojnë pasaktësinë korruptive të klasës politike. Hapur ndikimi i Sorosit ka klonuar dhe citatet e zyrtarëve të Brukselit, të cilët bëjnë deklarata të sheqerosura, ndërkohë që nuk janë ata vendimmarrës për të ardhmen e Shqipërisë por parlamentet e vendeve anëtarë të BE. Junker impresionohet të enjten për luftën kundër drogës që ka bërë Shqipëria, ndërsa të premten EUROPOL na rendit si vendin kryesor që furnizon BE me hashash. Kjo është shenjë e mungesës së seriozitetit të burokratëve të Brukselit, të cilët nuk shohin hashashin, por efektet e tij mbase. Rama ka korruptuar diplomatët dhe shumë zyrtarë të BE-së. Nuk është e nevojshme të na thonë të huajt se çfarë ndodh në shtëpinë tonë. Ne jemi të informuar, por reagimi është i munguar në masën e duhur që të sjellë ndryshimet. Ajo që po ndodh me Prokurorin është dëshmi e asgjësimit të të ashtuquajturës së Reformës në Drejtësi. Ndjesë pastë, e gjithë kjo gjullurdi në finale na del një rishpërndarje parash. Rama ia ka dalë të jetë një diktator që prodhon stabilitet dhe, këtu shumë aktorë të huaj por edhe vendas janë pajtuar trishtueshëm më rrënimin e demokracisë. Prokuror, tender dhe drejtësi nuk rrinë në një vend.
Kryeprokurori, Dylgjeri: Do të gatuhet në Kuvend për të zgjidhur disa çështje
A është Prokuroria e politizuar? Sigurisht. Po besojmë çdo ditë e më shumë se ngjarjet kryesore që po ndodhin sot në vend, të cilat po i japin trajtë rrugës drejt të cilës po ecim, po ndodhin sepse dikush apo disa i kanë planifikuar të ndodhin në atë mënyrë. P.sh ka më shumë se 1 muaj që nga Trupi Diplomatik u tha se në Janar do të fillojnë të kapen peshqit e mëdhenj. Dhe shihet që drejt kësaj po shkohet. Me Vitin e Ri shqiptarët do të njihen me: -Prokurorin e Ri, Burgun e Ri ( Shkodër), dhe Peshqit e Rinj. Ka precedentë ky parashikim? Në Amerikë, vitin 1991, Presidenti i porsazgjedhur Bill Klinton, emëroi mikun e tij të ngushtë dhe shokun me të cilin luante golf Uebster Habell, si zëvendësprokuror të përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë (në Amerikë funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm i mban Ministri i Drejtësisë). Në një autobiografi që ka botuar kohët e fundit me titull “Miq në Pozita të Larta”, Habelli shkruante se Klinton i kishte thënë atij : ” Ueb…nëse ia dal të të emëroj në krye të drejtësisë, dua të më gjesh përgjigjet lidhur me dy çështje: E para kush e vrau Xhon Kenedin? Dhe e dyta, a ka jashtëtokësorë? Ai e kishte me gjithë mend-thotë Habelli. Nisur sa më sipër, dhe paçka se çdo krahasim çalon, mund të hamendësojmë se dhe Prokurori shqiptar i Përkohshëm apo i Përhershëm do të ketë dy tre çështje “porosi”. Këtu nuk ka çështje Kenedi apo Jashtëtokësorësh, por ka çështje si p.sh. “Transferimi i Prokurorëve” – thotë z. Basha. “Çështja e ÇEZ” – them Unë. Doni dhe një të tretë që e thotë Taulanti? Po themi edhe “Afera e Koncesionit të Skanimit”. Pra, deri këtu jemi në rrjedhën logjike të ngjarjeve. Pritet vetëm emri i Prokurorit. Tek Ne nuk ka traditë loja e Golfit. Por kemi në traditë basketbollin. Le të presim. Prokurori do të gatuhet në Kuvend. Kujdes! Prokurori, jo Prokurori. 
Sigal