Jorida Tabaku: Në kulmin e pandemisë, qeveria zien nga vjedhja dhe korrupsioni

431
Sigal

Ish-deputetja e PD, Jorida Tabaku, shkruan përmes një postimi në rrjetet sociale, se kjo pandemi shëndetësore nxori në pah sipas saj fytyrën e vërtetë të qeverisë.

‘Ne ditën kur shqiptarët kanë nevojë për mbështetjen e qeverisë, kur të ardhurat e buxhetit duhet tu vendosen në dispozicion, ata që përfitojnë janë po 10 personat e përhershëm. Klubi i Oligarkëve, ortakë me qeverinë, që privatizojnë kufij, bregdet, porte, rrugë, aeroporte, miniera, naftë e çdo pasuri kombëtare dhe që në shtatë vjet kanë privatizuar buxhetin.’, shkruan Tabaku.

Postimi i plotë:

Kjo pandemi shëndetësore nxori përfundimisht para çdo shqiptari fytyrën e vërtetë të qeverisë së fshehur pas maskës së propagandës. Në 7 vjet taksat e rritura të shqiptarëve shkuan në xhepat e oligarkëve. Korrupsioni dhe vjedhja u kthyen në veprimtarinë kryesore. Edhe sot, në kulmin e pandemisë qeveria zien si një tenxhere korrupsioni dhe hajdutërie. Ekonomia jonë është e fundit në rajon, me borxhin më të lartë publik në rajon, me papunësi dhe varfëri të shtuar sepse financat janë në shërbim oligarkëve dhe jo të qytetarëve.

Miliona euro për një grusht oligarkësh dhe gjysmë paketa me pikatore për njerëzit dhe ekonominë. Pa prekur milionat për PPP dhe koncesione e tendera. Ky fond nuk preket por mbrohet njësoj si hajduti plaçkën e vjedhur.

Përballë tyre janë shqiptarët. Familjet shqiptare kanë mbetur pa të ardhura për tre muaj me radhë. Lëmoshat me pikatore të qeverisë nuk i shërbejnë atyre.

Ne ditën kur shqiptarët kanë nevojë për mbështetjen e qeverisë, kur të ardhurat e buxhetit duhet tu vendosen në dispozicion, ata që përfitojnë janë po 10 personat e përhershëm. Klubi i Oligarkëve, ortakë me qeverinë, që privatizojnë kufij, bregdet, porte, rrugë, aeroporte, miniera, naftë e çdo pasuri kombëtare dhe që në 7 vjet kanë privatizuar buxhetin.

Kambanat e alarmit kanë rënë: Raporti i Bankës Botërore (BB) thekson se 61% e të punësuarve punojnë në të zezë. Këta kryefamiljarë nuk përfitojnë e nuk kanë më ç’të çojnë në shtëpi pasi qeveria nuk mendoi për ta. Jo! Nuk mendoi as për shumicën e të vetëpuësuarve, që sipas të njëjtit raport janë 35% e të punësuarve. Nga 173 mijë të vetëpunësuar qeveria ka vendosur të kryejë pagesa për 30 mijë të tillë.

Sondazhet e bëra publike edhe në media, raportojnë se 83% e bizneseve kanë mungesë likuiditeti. Pra, nuk kanë më parà as për të paguar punëtorët dhe furnitorët. Kriza ekonomike thellohet ndërsa qeveria vazhdon të këndojë të njëjtën si gjinkallë e ngopur këngën propagandës së vjetër.

Qeveria nuk ka vizion për të dalë nga kjo situatë edhe as për të ardhmen. Ajo njeh vetëm gjuhën e dhunës pa ofruar asnjë alternativë. Shqiptarët kanë nevojë për mbështetje me fonde dhe lehtësira, jo gjoba, vjedhje me tendera dhe propagandë. Pandemia Ekonomike po bën kërdinë edhe më keq se COVID-19. Shqipërisë nuk i duhet një kryeministër pazarxhi që për hir të pushtet shet Shqipërinë dhe shqiptarët.